Referendumi për importin e mbetjeve, KQZ pranon kërkesën
Sipas projektvendimit, KQ do të miratojë sot vendimin për t’i dhënë të drejtën grupit nismëtar të referendumit që të mbledhë 50 mijë firma
Përpjekjet e një grupi ambientalistësh dhe përfaqësuesish të shoqërisë civile, për të kundërshtuar importin e mbetjeve, duket se nuk kanë shkuar kot. Kjo pasi ata janë shumë pranë mundësisë për ta rrëzuar këtë ligj me anë të referendumit popullor. Një mundësi të tillë pritet t’ia japë sot KQZ, i cili ka parashikuar të miratojë vendimin për t’i dhënë të drejtën grupit nismëtar për mbajtjen e referendumit që të mbledhë 50 mijë firma.
Kërkesa
Në datën 30.11.2011 një grup prej 16 nismëtarësh, kryesisht përfaqësues të shoqërisë civile, paraqiti në KQZ kërkesën me anë të së cilës kërkojnë fillimin e procedurave për zhvillimin e një referendumi të përgjithshëm, për shfuqizimin e një pjese të ligjit nr.10463, datë 22.09.2011 “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”. Dhe më konkretisht nenin 22 të ligjit “Rrjeti i integruar i impianteve të trajtimit të mbetjeve”, pika 3, si dhe nenin 49 “Importi i mbetjeve jo të rrezikshme”. Këta dy nene janë dispozitat konkrete të ligjit nr.10463, datë 22.09.2011, të cilat kërkohen të shfuqizohen. Në projektvendimin e saj administrata e KQZ-së thekson se ky institucion, në mbështetje të nenit 126, pika 2 të ligjit nr. 9087, datë 19.06.2003 i ndryshuar, me shkresën nr. 6545, i ka kërkuar fillimisht Ministrisë së Brendshme, si organi kompetent, të verifikojë nëse 16 personat me cilësinë e grupit nismëtar janë apo jo zgjedhës. Ndërkohë që Ministria e Brendshme me shkresën nr.6545/1, datë 15.12.2011 konfirmon faktin se 16 personat janë zgjedhës. Gjithashtu, administrata e KQZ-së thekson në projektvendim se nga verifikimi rezultoi se kërkesa e paraqitur përmbush elementet e kërkuara nga neni 126, pika 4, i ligjit të sipërcituar, pasi përmban titullin, numrin dhe datën e miratimit të ligjit pjesë të të cilit kërkohet të shfuqizohet, dhe dispozitat konkrete të cilat kërkohet të shfuqizohet.
Referendumi
Sipas projektvendimit, propozohet se KQZ duhet të pajisë kundrejt pagesës grupin nismëtar me fletën tip, për mbledhjen e nënshkrimeve të 50 mijë zgjedhësve, të cilët duhet të jenë zgjedhës në kohen e paraqitjes së kërkesës. Po sipas këtij neni, në krye të fletës tip duhet të shënohet titulli i ligjit si dhe dispozitat që kërkohen të shfuqizohen. Megjithëse vetë administrata e KQZ-së gjykon në projektvendim si të drejtë dhe ligjore kërkesën e 16 nismëtarëve, do të jetë tryeza e komisionit ajo që do të vendosë në mënyrë përfundimtare nëse do ta miratojë apo jo kërkesën për referendum. Në rast se një kërkesë e tillë do të miratohet, atëherë grupi nismëtar do të pajiset me fletën tip dhe më pas do të nisë punën në terren për të mbledhur 50 mijë firma nga qytetarë në moshë mbi 18 vjeç, për t’ia paraqitur më pas ato sërish KQZ-së. Pas verifikimit të tyre, KQZ merr masat për organizimin e votimit për referendum, ku qytetarët do t’i përgjigjen dy pyetjeve: 1) a dëshirojnë të shfuqizohet neni 22 pika 3 dhe 2) a dëshirojnë të shfuqizohet neni 49 i ligjit të goditur. Në të dyja rastet qytetarët do duhet të votojnë po ose jo.