E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi-Erdogan: Marrëdhëniet mes dy vendeve, të shkëlqyera

Presidenti Topi, ka pritur sot në Pallatin e Brigadave Kryeministrin e Turqisë, Rexhep Taip Erdogan dhe delegacionin që e shoqëron gjatë vizitës zyrtare në vendin tonë. Presidenti Topi vlerësoi nivelin e shkëlqyer të dialogut politik midis dy vendeve tona, që reflektohet, ndër të tjera, në intensitetin e vizitave reciproke të nivelit të lartë. "Turqia është një vend mik i ngushtë i Shqipërisë dhe i shqiptarëve, e tashmë do të jetë një partner strategjik i saj në rajon e më gjerë. Ndaj dhe forcimi e zgjerimi në vazhdimësi i marrëdhënieve me Turqinë, për të cilat ne krenohemi, përbën prioritet të rëndësishëm të politikës së jashtme të Shqipërisë" - theksoi Presidenti Topi.
Presidenti Topi shprehu mirënjohje për përkrahjen dhe ndihmën e madhe që Turqia i ka dhënë Shqipërisë gjatë gjithë procesit drejt anëtarësimit të plotë në NATO dhe theksoi se kontributi i Turqisë për realizimin e këtij objektivi strategjik kombëtar për Shqipërinë, ka qenë jo vetëm politik, por edhe në drejtim të reformimit e modernizimit të Forcave tona të Armatosura. Kreu i shtetit shqiptar, vuri në në dukje se Turqia mbetet një partner i rëndësishëm ekonomik e tregtar për Shqipërinë, gjë që e tregon bashkëpunimi ekonomik dhe shkëmbimet tregtare midis dy vendeve tona, të cilat kanë njohur rritje të dukshme gjatë viteve të fundit. Në këtë kuadër, Presidenti Topi nënvizoi angazhimin për zgjerimin e mëtejshëm të tyre në fushën energjetike, nëpërmjet rritjes së prezencës së kompanive turke në tregun shqiptar, si dhe në fusha të tjera me interes reciprok.
Nga ana e tij Kryeministri turk, Erdogan, pasi falenderoi Presidentin Topi për mikpritjen e ngrohtë, shprehu kënaqësinë që gjendet në një vend mik dhe vëlla dhe nënvizoi mbështetjen e plotë të Turqisë në të gjitha fushat me synim integrimin e përbashkët në gjirin e familjes së madhe evropiane.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›