E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS lobing në Strasburg, Rama: Kutitë janë kusht

Takime dyditore me eksponentët e socialistëve europianë
Në prag të negociatave te kreu i shtetit, një delegacion i Partisë Socialiste, i kryesuar nga Edi Rama, do të niset sot drejt Strasburgut, ku do të diskutohet me drejtuesit e Partive Socialiste Europiane. Kryetari i selisë rozë, në një komunikim me mediat, konfirmoi dje se qëllimi i takimit është komunikimi me këta faktorë, të cilët, sipas tij, janë shumë të interesuar mbi atë çfarë po ndodh në Shqipëri. Pas një bisede në zyrën e tij me anëtarët e këtij delegacioni: Arta Dade, sekretarja për marrëdhëniet me jashtë, kryetari i Komisionit të Jashtëm, Taulant Balla, dhe deputeti Arben Ahmetaj, Rama konfirmoi se në këtë mënyrë komunikimi shkon përtej kufijve edhe me faktorin ndërkombëtar. Burime nga selia rozë bënë me dije dje për gazetën “Shqip”, se takimi është thirrur nga drejtues të PSE-së, por pritet që kontaktet të zhvillohen edhe me autoritete të tjera të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës. “Dua t’ju informoj se bashkë me disa kolegë, nesër do të nisem në Strasburg për një ditë të komunikimit masiv me miqtë e Partisë Socialiste Europiane, me të cilët jemi në kontakt të vazhdueshëm dhe që janë seriozisht të angazhuar për të dhënë kontributin e tyre në zgjidhjen e kësaj krize. Me këtë rast e shoh të rëndësishme të theksoj se vazhdimi i komunikimit me të gjithë aleatët tanë, të frontit opozitar, është pjesë e këtij procesi në përgatitjen jo vetëm të tryezës së dialogut, por edhe i të gjithë hapave që parashohin kontributin tonë për zgjidhjen e kësaj krize”, tha Rama. Ai konfirmoi në këtë mënyrë gjithë përgatitjet e tij dhe të partisë që drejton, duke u konsultuar si me aleatët, por edhe më dashamirës të huaj të kësaj partie. Mes të tjerash, kreu socialist përshëndeti tryezën e thirrur nga Presidenti Bamir Topi, ndërsa deklaroi edhe një herë se kushti për hapjen e kutive nuk mund të negociohet. “Dua ta vlerësoj këtë moment si shprehje të progresit të bërë në një përpjekje që tashmë nuk është vetëm e jona, por edhe e miqve dhe partnerëve ndërkombëtarë, për të zgjidhur një krizë që thellohet dita-ditës me implikime të rënda në të gjitha fushat e jetës së vendit”, deklaroi kryesocialisti. Sakaq, Rama bëri me dije se nuk do të ketë mbledhje të forumeve të selisë rozë lidhur me negociatat. Deputetë të LMN-së, pak ditë më parë kanë kërkuar që të mblidhet Asambleja Kombëtare, e cila duhet të shqyrtojë të gjithë strategjinë me të cilën PS-ja do të paraqitet në tryezën e Presidentit. Nga ana tjetër, kreu socialist deklaroi se vijojnë takimet me frontin opozitar. “Partia Socialiste ka një qëndrim të qartë në bazë të shprehjes së vullnetit të lirë të gjithë popullit socialist për këtë rrugë që ne po ndjekim. Nga ana tjetër, koordinimi i të gjithë faktorit opozitar në Shqipëri është detyrim që buron nga fakti se jemi në këtë përpjekje të përbashkët përtej gjithë kufijve që na ndajnë, sepse këtu na bashkon çështja e demokracisë në Shqipëri”, vijoi ai. I pyetur nëse do të përmendet çështja e protestave në tryezën e Presidentit, Rama tha se PS-ja është në gjendje proteste, duke lënë të nënkuptuar se është një ndër temat që nuk mund të shmanget. “Për sa i përket protestës, ne jemi në protestë, sepse nuk jemi në Parlament. Shfaqja e kësaj proteste në të gjitha format e veta, është pjesë e këtij procesi, i cili sot është i fokusuar te tryeza dhe për këtë arsye edhe gjithë përgatitja jonë për çka vjen më pas zhvillohet në një formë tjetër të përshtatur me nevojën për t’i dhënë dialogut hapësirën e vet”, tha ai.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›