Prokurori i Beratit denoncon tre gjyqtarë te Presidenti
Xhemal Saliasi: Shkelën ligjin dhe dënuan lehtë trafikantët
Kreu i Prokurorisë së Beratit, Xhemal Saliasi, u ka kërkuar dje instancave të shtetit ndëshkimin e njerëzve të drejtësisë. Duke marrë shkas nga një vendim i Gjykatës së Faktit në Berat të disa ditëve më parë, kryeprokurori Saliasi u ka drejtuar një letër zyrtare Presidentit të Republikës, Bamir Topi, KLD-së dhe ministrit të Drejtësisë, Bujar Nishani, ku u ka kërkuar ndërhyrjen e tyre në mbrojtje të figurës së tij morale. Në këtë letër zyrtare, të nisur mesditën e djeshme drejt Tiranës, kryeprokurori Saliasi ka kërkuar të gjenden dhe më pas të ndëshkohen përgjegjësit e shkeljes flagrante të ligjit në organet lokale të drejtësisë.
Letra
Ka qenë një vendim gjyqësor dhe pikërisht ai i datës 20 janar 2010, që ka ngjallur reagimin e kreut të akuzës beratase. Sipas Saliasit, treshja e gjyqtarëve penalë të Gjykatës së Shkallës së Parë në Berat: Nazmi Troka, Fatime Velçani dhe Agron Vavla, kanë dhënë dënime mjaft të lehta për katër persona të akuzuar për tri vepra penale: “kultivim dhe shitje të lëndëve narkotike”, “armëmbajtje pa leje” dhe “kundërshtim të autoriteteve të policisë”. Si prokuror i çështjes ai kishte kërkuar 15 vjet heqje lirie për shtetasin Ndriçim Koçi dhe nga 12 vjet heqje lirie për tre të akuzuarit e tjerë: Ardian Tabaku, Elvis Alibeaj dhe Johan çukon. Më tej, ai tregon se të katër këta persona u arrestuan pasditen e 28 prillit të vitit të kaluar, pas një operacioni të organizuar nga sektori i antidrogës në Drejtorinë e Policisë së Beratit, në afërsi të fshatit Moravë, ku pas bllokimit të automjetit tip “Land Rover”, me të cilin ata udhëtonin drejt Fierit, u gjetën dhe u sekuestruan 45 kg lëndë narkotike e llojit kanabis sativa. Droga ishte e destinuar për t’u shitur në Greqi dhe pas kontrollit që policia bëri në banesën e Ndriçim Koçit, u gjetën e u sekuestruan në cilësinë e provës materiale edhe 148 bimë kanabis sativa të mbjella në oborrin e shtëpisë, 284 gramë farë kanabisi dhe 155 copë fishekë të kalibrit 7.62 mm model 60. Krahas tyre, policia bllokoi edhe dy automjete në pronësi të trafikantëve. Sipas Saliasit, megjithëse provat ishin të pakontestueshme togat e zeza të Beratit, duke dalë në kundërshtim të hapur me ligjin, kanë ndryshuar akuzat dhe kanë dhënë dënime shumë më të buta. Trupi gjykues dënoi me 1 vit burg shtetasin Elvis Alibeaj, vetëm për “kundërshtim të forcave të policisë” dhe me nga 7 vjet burg shtetasit Ndriçim Koçi e Johan çuko, ndërkohë që për shtetasin Ardian Tabaku çështja u pushua.
Kryeprokurori Saliasi shpjegon se pas këtij vendimi, ai e ka apeluar çështjen në Gjykatën e Apelit në Vlorë brenda afatit ligjor. Por, krahas rrugës ligjore, ai ka marrë vendimin t’u drejtohet instancave qendrore të drejtësisë. Në letrën e tij, Xhemal Saliasi shpjegon shkurtimisht precedentin e fundit dhe më pas rendit disa raste të tjera të ngjashme, të ndodhura kohë më parë në Gjykatën e Beratit, të cilat ai i konsideron shkelje të hapura e flagrante të Kodit Penal. Në fund të kësaj letre, kryeprokurori i Beratit, Xhemal Saliasi, i vë në dijeni tre institucionet qendrore të drejtësisë shqiptare, se këto veprime bien ndesh me principet e moralit të tij dhe nuk kanë asgjë të përbashkët me figurën e tij dhe u kërkon ndërhyrje të shpejtë për hetim të rastit në fjalë dhe ndëshkim ligjor të personave përgjegjës, qofshin këta në organin që ai drejton apo dhe në Gjykatën e Shkallës së parë në Berat.
#