Bankat, fitime surprizë në tetor-dhjetor
Statistikat
Pavarësisht krizës, fitimet neto arritën në 25.7 milionë euro në vitin 2009
Bankat që veprojnë në Shqipëri raportuan në mënyrë surprizë rritje të fortë të fitimeve neto në tremujorin e katërt të vitit 2009, pavarësisht pasojave negative që prodhoi rritja e shpejtë e kredive të këqija. Sipas të dhënave të grumbulluara nga Banka e Shqipërisë, për vitin 2009 bankat realizuan fitime prej 25.7 milionë eurosh, shifër kjo dy herë më e ulët se sa fitimet e vitit 2008, të cilat të konvertuara me kursin e euros në atë kohë, qenë rreth 60 milionë euro. Bankat raportuan një rritje të vakët të aktivitetit të vet të zakonshëm në depozita dhe kredi si dhe rritje minimale të të ardhurave nga shërbimet e tjera. Surpriza e madhe ishte në periudhën tetor-dhjetor, ku sipas statistikave, u realizuan fitime në masën 18.4 milionë euro, ose gati 72 për qind e fitimeve totale të regjistruara vitin e kaluar. Shpenzimet për provigjione, të cilat janë paratë që bankat detyrohen të vendosin mënjanë për të mbuluar humbjet e mundshme nga kreditë e këqija, u rritën në 86 milionë euro, një rritje prej 40 përqindësh në krahasim me vitin 2008, kur qenë 68 milionë euro.
Strategjia e suksesit
Bankat vijuan aktivitetin normal të biznesit gjatë vitit të kaluar, me të ardhura në rritje, sido që me normë rritjeje shumë më të ngadaltë se një vit më parë. Por sistemi bankar mbylli disa muaj me humbje në fillim të vitit 2009, si pasojë e rritjes së shpejtë të kredive nënstandarde, e për rrjedhojë, edhe të fondit të provigjioneve. Ndryshim bëri vetëm muaji dhjetor, ku rivlerësimi i kredive ekzistuese nga bankat solli një situatë shumë më të ndryshme nga sa pritej. Kreditë e konsideruara si “të rregullta” u rritën nga 81.74 për qind të totalit që qenë në shtator, në 83.38 për qind të totalit në dhjetor. Fitimet prej 25.7 milionë eurosh pritet t’i lejojnë një pjesë të bankave të shpërndajnë dividentë dhe të riatdhesojnë fitimet, një procedurë që nuk e bënë dot gjatë vitit 2009, për shkak se Banka e Shqipërisë urdhëroi rikapitalizimin e të gjitha fitimeve si masë për t’i paraprirë humbjeve të mundshme nga kreditë e këqija.
#