E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS mbledh Asamblenë, slogani: "Politika e re për ndryshim"

Partia Socialiste ndez zyrtarisht motorët e fushatës elektorale. Sot do të zhvillohet mbledhja e parë e një prej strukturave më të larta vendimmarrëse, e cila ka si detyrë kryesore thirrjen e kongresit elektoral. Axhenda mbetet mjaft e ngjeshur. Burime nga selia rozë konfirmuan për "Shqip" se anëtarët e Asamblesë do të miratojnë sloganin e fushatës elektorale të 28 qershorit "Politika e re për ndryshim". Pjesë e punimeve të mbledhjes së sotme janë kriteret që duhet të përmbushin kandidatët për deputetë. Deri më tani mësohet se parimet e përgjithshme janë ato që kandidatët duhet të kenë mbaruar arsimin e lartë, integritet moral e politik, të gëzojnë besueshmëri në zonë etj. Tjetër pikë e axhendës jenë kriteret e marrëveshjes me partitë e tjera që pritet të nënshkruhen ditën e hënë. Bashkëqeverisje, programe të njëjta, qëndrime politike të njëjta, luftë kundër fenomeneve negative etj., janë disa prej kritereve ku do të bazohet ky koalicion. Vëmendje të veçantë do të ketë strategjia për fushatën elektorale, qëndrimet e partisë gjatë gjithë kësaj periudhe, paraqitja para elektoratit, mënyra e dhënies së mesazhit të PS-së për zgjedhësit etj. Në fokus pritet të jetë programi qeverisës, i cili ka nisur të prezantohet qysh në datën 10 prill dhe deri më tani janë shpallur prioritet teza të tilla si varfëria, bujqësia, papunësia, emigracioni, shëndetësia, arsimi. E ideuar, por jo zyrtare, mbetet data e zhvillimit të kongresit. Burimet partiake sqaruan se është menduar për datën 16 ose 17 maj, por dora e fundit që do e zyrtarizojë do të jetë pikërisht vendimi i sotëm i anëtarëve të AK-së. Mbledhja e kësaj strukture shënon startin e dy forumeve të tjera, siç është Kryesia që pritet të zhvillohet në datën 12 maj për të kaluar kandidatët për deputetë. Pas Kryesisë do të zhvillohet kongresi, i gërshetuar me mesazhet që do të japë PS-ja gjatë kësaj fushate, me strategjinë kundër mazhorancës aktuale dhe strategjinë për të sqaruar politikën e re që kërkon të sjellë ajo. Si një traditë tashmë, pritet të mos mungojnë as mesazhet e figurave dhe personazheve të rëndësishme të së majtës evropiane. Element i rëndësishëm i punimeve të Kongresit do të jenë kandidatët për deputetë, të cilët fill pas tij duhet të regjistrohen në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›