E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prokuroria: Vrasja e deputetit Xhindi, "punë profesionistësh"

Prokuroria e Krimeve të Rënda ka analizuar gjatë ditës së djeshme provat dhe dëshmitë e mbledhura për vrasjen e deputetit socialist Fatmir Xhindi, disa ditë më parë, duke dhënë edhe detyra të reja. Drejtuesit më të lartë të policisë dhe prokurorisë janë fokusuar në katër pista hetimore, midis të cilave pronësia dhe vrasja për shkak të cilësive të veçanta. Kur kanë kaluar rreth gjashtë ditë nga ngjarja e rëndë, vrasja është cilësuar si "profesioniste", pasi ende nuk është mundur të zbardhet asnjë detaj nga autori, megjithëse hetimet kanë avancuar duke përjashtuar shtatë pista hetimi. Puna e "megagrupit" hetimor po përqendrohet te një autor i mundshëm, i cili mund të ketë lëvizur në datën 2 maj në qytezën e Roskovecit. Madje, po punohet për thirrjet telefonike që mund të ketë kryer. Burime nga Policia e Shtetit thanë se u kanë kërkuar kompanive celulare të evidentojnë me antena personat që kanë lëvizur shpesh atë natë në qytezë dhe kanë ndryshuar frekuenca të valëve.

Takimi

Krerët më të lartë të grupit hetimor që po përpiqen të zbardhë vrasjen e deputetit Fatmir Xhindi, kanë zhvilluar për mese tre orë një mbledhje në Prokurorinë e Krimeve të Rënda për analizimin e informacioneve të marra nga agjentët. Zëvendësdrejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Agron Kuliqi, drejtori i sektorit kundër krimeve të rënda dhe krimit të organizuar, Nikolin Bala, dhe drejtori i Policisë së Fierit, Shemsi Prençi, janë takuar me prokurorët e Krimeve të Rënda të kësaj çështjeje mes të cilëve Kosta Beluri, Ardian Nezha, Adnan Xholi dhe Besnik Muça, por që nuk ka munguar edhe drejtuesi i Prokurorisë së Krimeve të Renda, Olsian Çela. Në ditën e gjashtë të hetimeve, për të cilat thuhet se po vijojnë intensivisht, zyrtarisht nuk ka asnjë të dhënë se cilat janë pistat e hetimit më afër së vërtetës. Ndërsa jo zyrtarisht përflitet për mundësinë e identifikimit të autorit, drejtori i Policisë së Fierit deklaroi se ende nuk ka emra konkretë për këtë ngjarje të rëndë. Dhjetëra persona po shoqërohen që prej mbrëmjes së krimit në Komisariatin e Fierit për t‘u marrë në pyetje, kryesisht banorë të vendlindjes së deputetit, fshati Kurjan, por edhe nga Roskoveci, si dhe nga qyteti i Fierit.

Pistat e diskutuara
Analiza midis drejtuesve më të lartë të policisë dhe prokurorisë ka shërbyer për të përjashtuar nga hetimi shtatë pista hetimore. Më pas janë lënë detyrat përkatëse, ku kryesorja ishte që të mblidhej informacion rreth aktiviteteve tregtare të Xhindit në zonë. Mësohet se grupi hetimor ka firmosur një shkresë që i drejtohet Hipotekës së Fierit, që të zbardhë çdo privatizim të kryer në këtë qark pas vitit 2003. Konkretisht ka dyshime se familja e deputetit socialist, megjithëse e hedh poshtë këtë pistë për ekzekutimin e tij, ka përfituar prona pas privatizimit të disa objekteve tregtare. Mësohet se kërkesa është firmosur dje dhe gjatë ditës së sotme pritet të mbërrijë në duart e drejtuesve të zyrës së regjistrimit të pronave të paluajtshme në rrethin e Fierit. Vetëm pas konstatimit të pronave që ka përfituar familja Xhindi, prokuroria mund të saktësojë ndonjë pistë të mundshme. Krahas kësaj piste, është analizuar momenti i ekzekutimit dhe largimi i autorit. Hetuesit dyshojnë se personat që mund të kenë qëlluar Xhindin kanë qenë të zonës, pasi i njihnin mjaft mirë lëvizjet e tij, orën kur kthehej në shtëpi dhe rrugët për t‘i shpëtuar policisë. Kjo, sipas hetuesve, mund të realizohej vetëm nga një person i zonës, pasi njerëz që nuk banojnë në atë zonë e kanë të vështirë të orientohen. Sipas burimeve nga Policia e Shtetit, është arritur të zbardhet veprimtaria ditore e Xhindit, nga nisja në mëngjes e deri te kafja e fundit disa minuta para se të ekzekutohej. Sipas hetuesve, janë marrë në pyetje të gjithë personat që kanë parë Xhindin në datën 2 maj, por edhe disa ditë para ngjarjes. Mësohet se janë qindra dëshmi që i janë bashkangjitur dosjes, e cila deri dje nuk ka pasur asnjë autor. Zyrtarisht, hetuesit e çështjes deklarojnë se nuk mund të japin asnjë emër, megjithëse kanë dhjetëra të dyshuar. Ata deklarojnë se kanë prova të lëna në vendngjarje, por nga krahasimet që kanë kryer me të shoqëruesit nuk janë përputhur. Është arritur të evidentohet se 49-vjeçari është qëlluar fillimisht me dy plumba nga një largësi e vogël dhe më pas autorët, për t‘u bindur se kanë përmbushur misionin, janë afruar dhe kanë qëlluar përsëri.

Pronat

Kërkohen dokumente

nga Hipoteka

Grupi hetimor ka firmosur një shkresë që i drejtohet Hipotekës së Fierit që të zbardhë çdo privatizim të kryer në këtë qark pas vitit 2003. Konkretisht ka dyshime se familja e deputetit socialist, megjithëse e hedh poshtë këtë pistë për ekzekutimin e tij, ka përfituar prona pas privatizimit të disa objekteve tregtare. Mësohet se kërkesa është firmosur dje dhe sot pritet të mbërrijë në duart e drejtuesve të Zyrës së Regjistrimit të Pronave të Paluajtshme në Rrethin e Fierit. Vetëm pas konstatimit të pronave që ka përfituar familja Xhindi, prokuroria mund të saktësojë ndonjë pistë të mundshme.

Media nxori inicialet e një të dyshuari, por nuk ka asnjë konfirmim

Informacione kontradiktore nga Fieri

Ndërsa burimet nga krerët e grupit hetimor që u mblodhën dje në Tiranë flasin për një hetim të vështirë, nga Policia e Fierit dalin informacione deri edhe për emrin e një personi të dyshuar për vrasjen. Këto burime shpërndanë dje paradite informacionin se një 25-vjeçar me inicialet K.C., banor i qytetit të Roskovecit është personi i dyshuar për vrasjen. Madje, u shkua deri aty sa të thuhej se ky person është mes të shoqëruarve në komisariat dhe se arrestimi ishte çështje kohe.

Zyrtarë të Policisë në Fier thanë gjithashtu se rreth 10 persona të marrë në pyetje nuk janë lënë të dalin nga mjediset e policisë që nga dita e së martës. Grupi i hetimit në ndihmë të ecurisë së zbardhjes së ngjarjes ka edhe tabulatet e telefonatave të kryera jo vetëm gjatë javës së fundit nga deputeti Fatmir Xhindi, por edhe tabulatet e personave të dyshuar si autorë. Nga informacionet që rrjedhin kohë pas kohe nga grupi hetimor i instaluar në Fier, krijohet përshtypja se zbardhja e krimit të rëndë të 2 majit është shumë e afërt. Ndërkaq, zyrtarisht vazhdon të mos ketë asnjë informacion, duke e bërë të vështirë besueshmërinë dhe vërtetësinë e informacioneve.

Burime të tjera policore, daljen e informacioneve në rrugë jozyrtare e konsiderojnë si një strategji të policisë për të arritur ndoshta tek ndonjë autor. Kujtojmë se grupi i hetimit dhe Policia e Fierit gjatë këtyre ditëve të hetimit kanë nxjerrë disa pista të dyshuara, të cilat i kanë rrëzuar më pas. Po ashtu, edhe në fillim të javës, burime zyrtare policore pohuan se kanë rrethuar autorin dhe presin që ta kapin, por vonesa dhe zvarritja e hetimeve fakton se grupi i hetimit dhe policia janë shumë larg autorit dhe për të arritur në prangosjen e tij po përdorin edhe strategjinë e nxjerrjes së informacioneve të pasakta, për të studiuar më pas reagimin e personave të futur në rrethin e të dyshuarve.

Nga ana tjetër, familjarët e deputetit të ndjerë Fatmir Xhindi kanë kërkuar zbardhjen e shpejtë të motiveve të vrasjes dhe gjetjen e autorit, duke thënë se vonesat në këtë proces hetimor ngrenë dyshime për përfshirje edhe të strukturave shtetërore në këtë krim.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›