E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rrëshen-Kalimash, nis numërimi mbrapsht

Jo vetëm qeveritë i matin punët dhe hapat që ndërmarrin me 100 ditësh, por edhe kompani të mëdha siç është "Bechtel-Enka". Kompania ka hyrë në 100-ditëshin e fundit nga afati i përfundimit të segmentit Rrëshen-Kalimash, pjesë e autostradës Durrës-Kukës-Prishtinë. Ndërkohë kanë mbetur pa përfunduar edhe 100 metrat e fundit nga tuneli verior, në njërën prej dy galerive. Në një vepër të tillë kaq të madhe, të përfolur, të kushtueshme dhe të rëndësishme, njëqindmetërshi i fundit i tunelit prej 5.6 km është padyshim një cak, shumë afër finishit dhe që të nxit të flasësh për të.

Vizita në tunel

Një material i kompanisë, që bën supervizionin e ndërtimit të autostradës, i shpërndarë kohët e fundit, e klasifikon autostradën dhe veçmas segmentin Rrëshen-Kalimash, si një nga autostradat më panoramike në Evropë. Edhe sot, kur ende nuk ka përfunduar, janë me qindra njerëzit që tentojnë të kalojnë nëpër pjesën e përfunduar, të paktën të shkelin në pjesën nga Thirra e deri në Spaç, ku tashmë kompania po bën retushimet e fundit a ndonjë bordurë që ka mbetur pa përfunduar. Por është gati e pamundur të shkelësh në autostradë, për sa kohë ajo nuk ka përfunduar, aq më pak nëse je "i paftuar". Nuk ka asnjë arsye tjetër, përveçse angarisë dhe telasheve që i dalin kompanisë në raste të tilla. "Bechtel-Enka" ka lejuar shpesh që tuneli dhe rruga të vizitohen nga njerëzit, por duke bërë shumë ditë më parë kërkesa formale dhe mundësisht në grupe të organizuara. "Nuk kemi nge të merremi me vizitorët, thotë Razi Ademi, një nga përgjegjësit e sigurimit teknik, për çdo vizitë ne na duhet të bëjmë program të veçantë, të vëmë në dispozicion mjete dhe njerëz. Madje, çdo vizitor duhet të njihet dhe t‘u nënshtrohet kushteve teknike, sepse jeta e njerëzve është në plan të parë", thotë Ademi, duke shtuar se ka ndodhur që edhe ministra të kabinetit ‘Berisha‘ janë kthyer mbrapsht, kur kanë dashur të vizitojnë tunelin pa njoftuar në kohën e caktuar. Për çdo vizitor zhvillohen procedura rigoroze. Pas leximit të rregullores dhe një seance të shkurtër trajnuese, vizitorit i jepet të veshë një uniformë të caktuar me shirita fosforike, kasketë dhe çizme, pajisjet me distinktivin personal (një llamarinë, e cila mund të të identifikojë në raste zjarri etj.) shkruhet emri i vizitorit në fletore dhe i shoqëruar me mjete të firmës hyn në galeri. Imagjinoni sa kohë e të holla shpenzohen edhe për raste të tilla. Nga ana tjetër, punëtorët e trajnuar shumë mirë shohin vetëm punën e tyre dhe nuk ke mundësi që t‘i ndërpresësh, qoftë edhe për të pyetur për diçka që të nxit kuriozitetin. Ndërkohë vizitorët, të befasuar me madhështinë e veprës, shprehin me fjalë të ndryshme admirimin e tyre, ndërsa dikush përmend edhe librin "Guines" që meriton tuneli ("Bechtel-Enka"), që gjatë gjithë kohës së ndërtimit nuk ka shkaktuar asnjë viktimë.

Të dhëna teknike

22 ura të segmentit Rrëshen-Kalimash (në të vërtetë Rrëshen-Fushë Dukagjin) prej 61 km, tashmë kanë përfunduar dhe përdoren nga mjetet e kompanisë për të lehtësuar trafikun. Ndërkohë janë ndërtuar bazamentet dhe këmbët mbajtëse edhe për 5 ura të tjera, ku po hidhen panelet. Ura më e lartë e krejt segmentit, që ndodhet në krahun verior të tunelit, që njihet si Ura 88 (lartësia maksimale) ka përfunduar që në muajin dhjetor të vitit 2008. Prej disa javësh ka përfunduar edhe ndërtimi i trarëve të fundit për urat, gjithsej 660, nga të cilat 650 janë tashmë të instaluara. Deri tani janë kryer 32 300 000 m3 apo 100 për qind gërmime pa përfshirë tunelin. Tuneli, në tubin verior, ka tashmë 100 metrin e fundit, ndërsa në tubin jugor janë për t‘u gërmuar edhe rreth 250 m. BEJV po punon njëkohësisht në të dy tunelet, paralelisht në hyrjet e pjesës veriore dhe atë jugore. Deri dje, progresi total i gërmimeve në metra kub, i kombinuar në të dy galeritë e tunelit, ka qenë mbi 96 për qind. Aktualisht në firmë punojnë mbi 3800 punonjës, dy të tretat e të cilëve janë shqiptarë, të aktivizuar në punë të ndryshme, nga ato krahut, të sigurisë e deri tek inxhinierët e projektuesit. Për të arritur një progres të tillë punimesh po përdoren rreth 1200 makineri të tipave të ndryshme. Në zonat e banuara është parashikuar të ndërtohen 12 mbikalime dhe nënkalime, përkatësisht tri mbikalime, nga të cilat në Ndërfushaz dhe në Reps dhe nëntë nënkalime në Ndërfushaz, Ndërfanë, Mashtërkorë, Zajc, Zall Xhuxhë, Sang, Thirrë dhe Kolsh.

Përtej tunelit

Grupe vizitorësh të paftuar, edhe pse nuk mund ta vizitojnë tunelin, ngjiten me automjetet e tyre në Qafën e Kumbullës dhe zbresin drejt në Thirrë, duke e kundruar autostradën në pjesën perëndimore, ku pothuajse ka përfunduar dhe po i jepet dora e fundit. Në Qafë të Kumbullës edhe më herët ka ekzistuar mundësia e lidhjes me rrugë të shkurtër mes Kukësit e Prizrenit me Tiranën edhe pa tunel, por askush se di pse shteti shqiptar e degdisi rrugën më të rëndësishme nëpër malet e Pukës. Dikush nga vizitorët e komenton kështu këtë fakt: "Nuk kanë dashur serbët që Kosova të afrohet me Shqipërinë", thotë ai dhe shton se "edhe kur të dy shtetet kanë pasur miqësi, serbët janë kujdesur ta mbajnë sa më të ndarë Kosovën nga Shqipëria". Ndërsa një kuksian i vjetër tregon: "Shpesh e kam bërë rrugën e shkurtër nga Qafa e Kumbullës, drejt e në Thirrë e më tej në Spaç, por ka qenë rrugë e paasfaltuar", rrëfen kuksiani për kohën e ish-kooperativave bujqësore, kur ai dhe mjaft të tjerë e bënin me IFA e me kamionë të tjerë, rrugën e shkurtër, që siç tregojnë është shfrytëzuar shpeshherë edhe për kontrabandë mallrash për t‘ju shmangur Policisë së Fushë-Arrësit.

Asfalti

Ashtu si në segmentin Kukës-Morin, ku në rreth 40 për qind të tij është shtruar asfalti dhe ku shkojnë për të "lëshuar" makinat shumë drejtues mjetesh, edhe për në Fan udhëtojnë mjaft njerëz, ku gjëja e parë që u bie në sy është trashësia e asfaltit dhe cilësia e çdo pune në tërësi. Pas një shtrese tepër të kujdesshme të stabilizantit, një makineri precize hedh asfaltin, dy shtresa të tilla me nga 15 cm, pra një asfalt të trashë prej 30 cm, disa punëtorë i shkojnë pas duke prerë ndonjë sasi të vogël që del ngjitur me bordurën e rrugës. Një grupi punëtorësh u themi "puna e mbarë", duke u shprehur edhe simpatinë për një punë kaq precize. Në mes tyre një punëtor turk, duke kuptuar komplimentin, pohon me lëvizje të kokës. Një ndalesë në autostradë dhe disa fotografi, nuk bëjnë gjë tjetër veçse ta shtojnë edhe më shumë etjen për të vozitur, "për të vozitur edhe ne në një autostradë", siç u shpreh një i ri.

Borxhet dhe rruga Rrëshen-Kalimash

Segmenti pritej të kushtonte 418 milionë euro kur u dizajnua në vitin 2006

Deri në qershor do të merren 500 milionë euro, ndërsa kredi të tjera janë marrë në lekë

Qeveria nuk ka deklaruar se sa pritet të kushtojë rruga deri në fund

Ekspertët thonë se ka shumë pak gjasa që rruga të rezultojë një investim i suksesshëm

Borxhet e rrugës do të vijojnë të shlyhen nga shqiptarët edhe për një apo dy dekada

Kredia e fundit pati interesin marramendës euribor plus 9.65 për qind

Kredia paraardhëse pati interes euribor plus 1.25 për qind, shtatë herë më pak

Kredia pritet të miratohet të hënën në Kuvend, duke anashkaluar procedurat normale

Vendimi

Qeveria miratoi të mërkurën marrëveshjen e kredisë, pa dhënë sqarime për detajet e saja

Kredia e shtrenjtë, procedurë e përshpejtuar në Kuvend

Këshilli i Ministrave miratoi të mërkurën ligjin për marrjen e kredisë më të shtrenjtë në historinë e vendit, nga një sindikatë bankash vendase dhe të huaja, por nuk e publikoi marrëveshjen, duke ia lënë kushtet dhe kostot shqiptarëve si surprizë që do të mund të mësohet vetëm pasi ligji të jetë miratuar në Parlament. Për më tepër, Parlamenti pritet ta miratojë kontratën në seancën e fundit para zgjedhjeve, të hënën, hap që ndoshta do të kërkojë shkeljen e procedurave parlamentare të debatimit të një ligji.

Projektligji, që mban më pak se gjashtë rreshta, thotë se "kredia do të përdoret për shpenzime kapitale", dhe duhet të miratohet në Parlament sa më parë, sepse qeveria dëshiron të arkëtojë paratë e këstit të parë prej 95 milionë eurosh brenda këtij muaji dhe këstin e dytë prej 155 milionësh brenda muajit qershor. Kuvendi i Shqipërisë do t‘i mbyllë punimet për këtë sezon në datë 15, kur do të fillojë edhe fushata elektorale. Por vetëm një seancë ka mbetur për këtë legjislaturë, ajo që do të zhvillohet ditën e hënë, në datë njëmbëdhjetë dhe koha procedurale për diskutimin e kontratës në komisione parlamentare është e pamjaftueshme. Kredia nuk mund të tërhiqet pa një ligj të posaçëm të miratuar në Parlament. Shqipëria rrezikon të zhytet në vështirësi të konsiderueshme financiare gjatë muajve të ardhshëm, pasi vendi do të mbetet praktikisht pa Parlament për një periudhë relativisht të gjatë para dhe paszgjedhore dhe në rast se qeveria do të kërkojë të ndryshojë parametrat e buxhetit, do të duhet të përdorë procedura të jashtëzakonshme. Parlamenti ka në axhendë 12 ligje për të miratuar ditën e hënë, ndërkohë që qeveria miratoi të mërkurën edhe 13 ligje të tjera, ku përfshihen disa kontrata koncesionare, si dhe disa kontrata kredish. Edhe para zgjedhjeve të vitit 2001 apo 2005, Kuvendi ka zgjedhur të miratojë ligje shumë të debatuara në seancën e fundit, pa lënë kohë për debate.

Një investim me humbje

Teorikisht, kur një kompani merr para borxh, norma e fitimit të biznesit që do të gjenerohet nga borxhi duhet të jetë më e lartë sesa interesi real efektiv i paguar për borxhin. Duket se kjo nuk ka shpresa të ndodhë për sa u përket kredive që po merren për rrugën Durrës-Kukës. Kostoja e projektit të rrugës patriotike mbetet ende enigmatike, ku burime jozyrtare nga qeveria thonë se deri më sot ka kushtuar 680 milionë euro, ndërsa dokumentet e prokurorisë vlerësojnë se do të kushtojë rreth 1 miliard euro. Nga këto, rreth 500 milionë euro janë marrë kredi me interes mesatar efektiv prej së paku 8 për qind, ndërsa para të tjera janë marrë borxh në lekë përmes bonove të thesarit. Pas kredisë së re, e cila ka një interes euribor plus 9.65 për qind, segmenti Rrëshen-Kalimash do të duhet të "prodhojë" 50-60 milionë euro në vit vetëm për të shlyer interesat e kredive të marra.

Dyfishohet kostoja e borxhit të jashtëm

Shqipëria zotëron aktualisht borxh të jashtëm prej rreth 2 miliardë eurosh, por interesat për këtë borxh kushtojnë aktualisht rreth 30 milionë euro në vit. Me marrjen e kredisë së re, vendit do t‘i duhet të shpenzojë rreth 60 milionë euro, aq sa qeveria shpenzon për të rritur pagat dhe pensionet, vetëm për interesa. Kredia prej 250 milionë eurosh ka një normë interesi reale prej 12 për qind. Ekspertët e kanë me dyshim skenarin e qeverisë për të emetuar eurobonde vitin e ardhshëm dhe për ta zëvendësuar kredinë e shtrenjtë me borxhe më të lira. Gj. Erebara

Kredia e shtrenjtë

Rriten interesat mes bankave

Kostoja me të cilat bankat marrin borxhe nga njëra-tjetra në tregun shqiptar u rrit ndjeshëm me gati 50 pikë bazë (100 pikë baras me 1 për qind), si pasojë e pakësimit të likuiditetit. Kostoja mesatare e pranimit të parasë në Tiranë, TRIBID, për depozita njëditore, arriti maksimumin e shumë ditëve dje në kuotën 4.83 për qind. Kostoja mesatare e ofrimit, TRIBOR, për kredi njëditore, ishte 6.18 për qind, me një rritje prej 12 pikësh bazë brenda tri ditësh. TRIBID dhe TRIBOR janë normat mesatare të interesit me të cilat bankat në Tiranë kreditojnë njëra-tjetrën. Ato kanë filluar të zëvendësojnë dalëngadalë bonot e thesarit si normë referuese për kreditë në lekë në tregun vendës. Teorikisht, një kredi e marrë në euro nuk ka se si të ndikojë në normat e interesit të lekut, por ekspertët thonë se kredia e re e qeverisë hoqi papritur nga tregu disa dhjetëra milionë euro, të cilat u morën hua në bankat vendase, gjë që e vështirësoi edhe më tej situatën e likuiditetit, pavarësisht monedhës. Për më tepër, kredia e re e qeverisë, megjithëse është marrë në euro, ka interesa më të larta sesa bonot e thesarit.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›