E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zgjedhjet, misioni i ODIHR-it takon kreun e opozitës Rama

Kreu i misionit vëzhgues të ODIHR-it për zgjedhjet e 28 qershorit në Shqipëri, Audrey Glover, zhvilloi dje një takim me kreun e Partisë Socialiste, Edi Rama. Pak ditë pasi misioni i vëzhguesve ka mbërritur në Tiranë, ka nisur kontaktet me faktorë të politikës shqiptare në kuadër të zgjedhjeve të qershorit. Burime nga takimi bënë të ditur se fokusi i kësaj bisede ishin pikërisht zgjedhjet dhe situata paraelektorale në vend. Pritet që misioni i vëzhguesve afatgjatë të ketë kontakte me krerë të tjerë të politikës shqiptare, ndërsa sot, kreu i PS-së do të ketë një takim me zëvendësndihmësin e sekretarit të shtetit në SHBA, Stjuart E. Xhons. Misioni do të udhëtojë në Shqipëri për të ndjekur përgatitjet për zgjedhjet parlamentare deri në ditën e votimit, ndërsa pak ditë para zgjedhjeve pritet një tjetër kontingjent më i madh, që shkon në disa qindra vëzhgues. Sot pritet që misioni të ketë edhe një komunikim me mediat në vend lidhur me situatën parazgjedhore dhe angazhimin e vëzhguesve. Sipas raportit të nevojave të ODIHR-it, publikuar pak ditë më parë, zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit do të monitorohen nga 430 vëzhgues të kësaj organizate. Bashkërisht pritet që organizatat vendore të angazhojnë 2500 vëzhgues vendas, që do të mbështeten nga USAID-i. Delegacioni i raportimit të nevojave të OSBE/ODIHR-it, që vizitoi Shqipërinë në datat 16-19 mars 2009, publikoi konkluzionet për procesin elektoral në vendin tonë. Skuadra e ODIHR-it do të ketë 30 vëzhgues afatgjatë, të cilët do të lëvizin në Shqipëri për të parë përgatitjen e zgjedhjeve dhe 400 vëzhguesit e dytë që do monitorojnë vetëm ditën e votimit dhe numërimin e votave. Në raportin që publikoi ODIHR-i pak ditë më parë, konstatonte se Kodi i ri Zgjedhor mund të ishte një mundësi që në zgjedhjet e ardhshme të plotësoheshin standardet ndërkombëtare për zgjedhje demokratike. Por, thuhej në dokument, kjo mundësi mund të realizohet vetëm nëse përgatitjet për infrastrukturën dhe administrimin e zgjedhjeve do të bëhen brenda kohës së duhur.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›