Përsiatje rreth një përvjetori të zi që vjen
Këto ditë, shtypi shqiptar botoi një intervistë me zonjën Nexhmije Hoxha, e veja e diktatorit më famëkeq në historinë e Shqipërisë. Me një vetëpërmbajtje model dhe konsekuencë për t’u admiruar, kjo zonjë plakë vazhdon t’i mbushë mendjen opinionit shqiptar për qëllimet e mira të Enver Hoxhës, për shpirtin e tij të madh dhe mirësinë e tij prej engjëlli. Shokët nuk i vrau Enveri, thotë zonja e tij, por ata e tradhtuan Enverin. Dhe kalon më tutje e bën filozofira se pse nuk duhet të kërkojë ndjesë në emër të regjimit, të cilit i përkiste si anëtare e familjes diktatoriale. Intervista ka mjaft broçkulla se si një nga pendesat e saj qenka ajo për Fadil Paçramin, të cilit ia ktheu dramat që naivi mendjefyçkë i dërgonte nga burgu, por ajo nuk përmend fare mijëra të pushkatuar e të vdekur internimeve, mijëra familje të mjeruara, vullnetet e ndrydhura të mbarë një populli dhe mënyrën e detyruar të jetesës gjysmake që nuk ishte jetë edhe për shumicën e atyre që qenë jashtë burgjeve e internimeve.
Mund të jetë edhe e natyrshme, që nuk ke pse pret më tepër nga kjo zonjë plakë, që pavarësisht halleve e heqjeve të viteve të fundit (që janë një cërre në oqean në krahasim me ç’i shkaktuan ajo me të shoqin e mbarë kastën e tyre këtij populli), bëhet gati të shkojë e lumtur në atë botë, sepse ka jetuar me burrin më ideal e më vizionar. Dhe ajo shpreson, siç na thotë në fund të intervistës, që populli shqiptar ta korrigjojë veten e ta vërë mostrën që ajo pati për burrë në vendin që i takon.
Unë nuk i vë faj fare kësaj gruaje që për 40 vjet iu duk vetja edhe më e fuqishme se vetë Hera e Zeusit, pasi ky i fundit, kur i binte ndesh me dëshirat e veta, e merrte dhe e përplaste të shoqen kokëtatëpjetë atje ku rronin vdekatarët e gjorë, kurse ajo bënte ç’donte e si ta donte në mbretërinë e mjeruar të burrit të saj. Ajo që më bën të vë ulërimën në vetvete në këto raste është gazetari që është përballë saj. ǒpret tjetër të thotë Nexhmije Hoxha me ato pyetje të mefshta të gazetares së nderuar Rudina Xhunga? Vini re intervistën e Katie Couric të CBS me kandidaten amerikane për zëvendëspresidente, Sarah Palin. Ajo nuk mban as anën e demokratëve dhe as të republikanëve, as e fyen e as e sulmon të intervistuarën, por me pyetjet e mençura e korrekte që bën, nxjerr në pah injorancën dhe mungesën e përgatitjes së saj për të kontribuar në këto fusha. Kaq.
Kurse kjo gazetarja jonë sikur ka merak se mos e lëndojë shumë në pikëllimin e saj zonjën e rëndë e të respektuar që ka përpara. Sepse mund edhe ta marrë inat ajo e t’i mbyllë derën. Bah, atëherë na iku zogu nga dora e nuk bëjmë dot scoop. Ja pra, gazetarja e pyet zonjën plakë se a është në dijeni se Këshilli i Evropës vazhdon t’i kërkojë Shqipërisë të kërkojë ndjesë për krimet e komunizmit. Zonja erudite i thotë se nuk është Këshilli i Evropës pas kësaj, po njëfarë baroni. Kurse gazetarja kalon më tutje e nuk i thotë asaj (mbase nuk e di fare as ajo), se Këshilli i Evropës kaloi më 25 janar 2006 në Strasburg një rezolutë që dënon krimet e kryera nga regjimet totalitare komuniste. Rezoluta u miratua si rezultat i një raporti mbi “Nevojën për dënim ndërkombëtar të krimeve të regjimeve totalitare komuniste”, me autor Göran Lindblad, anëtar i delegacionit parlamentar suedez në Këshillin e Evropës. Rezoluta dënon shkeljet masive të të drejtave të njeriut nga regjimet komuniste totalitare dhe shpreh simpatinë, mirëkuptimin dhe njohjen e viktimave të këtyre krimeve. Ajo iu kërkon të gjitha partive komuniste apo pas-komuniste në këto vende të bëjnë, nëse nuk e kanë bërë, rivlerësimin e historisë e të komunizmit dhe të distancohen qartë nga krimet e kryera nga regjimet komuniste totalitare dhe t’i dënojnë ato pa asnjë mëdyshje. Ja pra këto duhej të thoshte gazetarja e nderuar.
Më tutje, kur ta pyeste nëse Hoxha ka vrarë shokët dhe të merrte përgjigjen se nuk ishte e vërtetë, por e vërteta na qenkësh se shokët e paskan tradhtuar atë, duhet t’i thoshte ca fakte (të vockla fare), si për shembull pse e vrau pas krahëve Mustafa Gjinishin që tutje në kohë të luftës? Ishte tradhtar? Po pse nuk i bëri gjyq? Kështu e mësonte kanuni i tij marksist? Po këta shokët që e paskan tradhtuar, çfarë tradhtuan? Tradhtuan besnikërinë ndaj tij? Nuk e dinë vallë njerëzit që shokëve të tij iu shkulnin gjuhët me pincë që të pranonin se kishin tradhtuar? Pastaj, kur kujton Fiqirete Shehun, pse nuk e pyet gazetarja se a e vizitoi ndonjëherë në burg shoqen e saj të rinisë dhe pse nuk qau hallet me të që t’i rrëfente ajo “gabimet” e veta? Sipas kujt ligji komunist e droguan dhe e vdiqën në qeli këtë shoqen e saj të vjetër? Sa kollaj lustrohen gjërat e punët, harrohen krimet e lemerishme, sundimi monstruoz dhe na u përmendka kafshata e bukës që na mbante gjallë dhe mjetet më minimale të jetesës. A ka turp më të madh se ky në faqe të dheut? Na kujton ajo se paska qenë luftë sistemesh. Po Enver Hoxha nuk ishte Karl Marksi, e pandershmja zonjë, pasi ky ishte një intelektual borgjez që analizoi kapitalizmin dhe dha ca ide të dyshimta për të ardhmen e shoqërisë. Ai gjithsesi nuk ishte një kasap si Enver Hoxha, me hanxhar në dorë e kobure në brez. Totalitarizmi shqiptar nuk mbronte as marksizmin e as komunizmin, por në fakt, si një pjellë komuniste mbronte enverizmin, që ai instituti yt i pështirë e quante triumfin e teorisë komuniste në botë. Ja, këto duhet të thoshte ty gazetarja, o shëmbëlltyrë e pandreqshme e së keqes mbi dhé!
Dhe mos shpreso të vijë koha për respekt e nderim e burrit tënd. Ajo kohë ka përfunduar bashkë me aq jetë e energji njerëzish që ai shpuri dëm. Gjej ndonjë vend tjetër ku ndoshta ca si ai e nderojnë ende, te Meles Zenavi, për shembull, në Etiopi që u frymëzua nga mësimet e Enverit e vazhdon të përgjakë popullin e vet. Dhe më lejo të të përmend së fundi një shprehje të C. S. Lewis: “Nga të gjitha tiranitë, më shtypësja nga të gjitha është ajo e ushtruar për të mirën e vetë viktimave. Është më mirë të jetosh nën baronët plaçkitës sesa nën shtiekeqët e plotfuqishëm moralë. Mizoria e baronit plaçkitës mund të flejë ndonjëherë, lakmia e tij në një pikë mund të ngopet, por ata që na torturojnë ne për të mirën tonë, do të na torturojnë pa fund, sepse ata bëjnë kështu me miratimin e ndërgjegjes së tyre”. E pra, përvjetori i ditëlindjes së tët shoqi është vetëm një përvjetor i zi dhe për të tillë nuk ka respekt, por vetëm reflektim, pendesë për disa, syçeltësi e vullnet nga të gjithë për të mos lejuar më të kthehen ato kohëra.