E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS mbledh kryesinë, diskutohet për Presidentin

Partia Socialiste mbledh sot kryesinë e partisë, ku pjesa më e madhe e diskutimeve pritet të fokusohet tek zgjedhja e Presidentit të republikës. Kryetari i PS-së Edi Rama pritet të konsultohet me anëtarët e kryesisë për procesin e zgjedhjes së Kreut të ri të Shtetit, por veçanërisht për qëndrimin që do të shprehë vetë Rama në takimet që do të ketë me krerët e partive parlamentare, pas letrës që iu adresoi atyre dy ditë më parë, ku kërkonte nisjen e një dialogu konstruktiv për të zgjedhur një President, që do të jetë garant i Kushtetutës.

Kryesia pritet të diskutojë edhe për kandidatin e vetëshpallur për President, Fatos Nano dhe mundësinë për një mbështetje ose jo të emrit të tij për postin e Kreut të Shtetit, në kushtet kur pas takimit me Nanon, vetë Rama evitoi një pergjigje të drejtpërdrejtë për këtë çështje.

Kryesia e socialistëve do të ketë në rend edhe miratimin e datës së mbajtes së Kongresit të FRESH, nga ku do të dalë edhe kryetari i ri. Gjatë periudhës 5 maj deri më 5 qershor do të zhvillohet fushata e zgjedhjeve të FRESH në gjithë qarqet e vendit. Kandidatët për krerët e FRESH do të ballafaqojnë platformat e tyre, sa i përket drejtimit të një prej forumeve më të rëndësishme të kësaj force politike.
Në mbledhje, të deleguarit e kryesisë së PS-së në rrethe, do të raportojnë edhe për punën e tyre me strukturat e partisë, si dhe për shpalosjen e programit e socialistëve për një Rilindje Shqiptare.

Megjithatë veç vendimeve për çështjet organizative, vendimet për qëndrimet politike të PS-së pritet të marrin peshën kryesore të mbledhjes, nisur edhe nga situata aktuale politike, ku krahas konsultave të paralajmëruara nga kryesocialisti Rama edhe ish kreu i PS-së Fatos Nano, ka nisur një tur takimesh për të njëjtin qëllim, procesin e zgjedhjes së Presidentit të Republikës.

Burime të “Ora News” thanë se në pritje të një takimi me kryeministrin Berisha, takimi më i afërt i tij di të jetë me kreun e PDIU-së, Shpëtim Idrizi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›