E Diel, 1 Nëntor 2026

PS mbledh sot Kryesinë, vendoset për bojkotin ndaj KuvenditNga Mblidhet sot pasdite Kryesia e PS për të marrë vendim për pjesëmarrjen ose jo në Kuvendin e ri të Shqipërisë, i dalë nga zgjedhjet e 28 qershorit. Kryesia e PS pritet të mblidh

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

PS mbledh sot Kryesinë, vendoset për bojkotin ndaj KuvenditNga

Mblidhet sot pasdite Kryesia e PS për të marrë vendim për pjesëmarrjen ose jo në Kuvendin e ri të Shqipërisë, i dalë nga zgjedhjet e 28 qershorit. Kryesia e PS pritet të mblidhet sot, pas publikimit të mundshëm të raportit përfundimtar të OSBE-ODIHR për zgjedhjet e 28 qershorit në Shqipëri. PS dhe kryetari i saj në detyrë prej ditësh kanë artikuluar bojkotin ndaj Kuvendit duke pretenduar se Kuvendi i ri i Shqipërisë nuk është legjitim, pasi zgjedhjet e 28 qershorit nuk i plotësuan standardet dhe për këtë arsye PS nuk do t’i njohë institucionet e dala prej zgjedhjeve. Rama ka deklaruar se marrëdhëniet do jenë të kushtëzuara, duke nënkuptuar zbardhjen e krimit elektoral, si dhe krijimin e kushteve që drejtësia dhe media të funksionojnë të pavarura.

Në Kongresin e Jashtëzakonshëm të 29 gushtit, socialistët miratuan një rezolutë, thelbi i së cilës është pikërisht vendimi për mosnjohje të zgjedhjeve të 28 qershorit. Në Kongres u fol edhe për bojkotin ndaj Kuvendit. Një grup delegatësh propozuan bojkotin ndaj Kuvendit si një hap të parë në betejën politike, por u vendos që të jetë Kryesia dhe grupi parlamentar, forumi që do të përcaktojë se cili do të jetë qëndrimi i PS në raport me pjesëmarrjen në Kuvendin e ri të Shqipërisë, i dalë nga zgjedhjet e 28 qershorit, të cilat PS nuk i njeh. Në mbledhjen e sotme të Kryesisë së PS pritet të ketë debate lidhur me marrjen e vendimit për bojkotin parlamentar. Kjo për shkak se një pjesë e anëtarëve të Kryesisë janë shprehur publikisht kundër bojkotit. Të përfaqësuar nga Ben Blushi e Arben Malaj, një grup deputetësh dhe anëtarësh të Kryesisë do të luftojnë në grup parlamentar dhe Kryesi që PS të mos shkojë drejt vendimit për bojkot.

Blushi: Para se të braktisë parlamentin, PS të dëgjojë raportin e OSBE-ODIHR

Anëtari i Kryesisë së PS, Ben Blushi, i bëri dje thirrje të gjithë deputetëve të PS që të shmangin bojkotin ndaj parlamentit, pasi në të kundërt ky do të ishte një vendim, për të cilin do të pendohen. Një ditë pas deklaratës së Olli Rehn se zgjedhjet në Shqipëri ishin me të mira se ato të 2005, por shfaqën sërish probleme, Blushi i kërkoi grupit parlamentar të PS dhe Kryesisë së kësaj partie, që të pritet deri në momentin e publikimit të raportit të OSBE-ODIHR për zgjedhjet e 28 qershorit, për të marrë vendimin për bojkotin ndaj parlamentit. “Para se të braktisë parlamentin, Partia Socialiste duhet të dëgjojë raportin e OSBE-ODIHR për zgjedhjet. Vendimet nuk duhet të merren sipas tekave të Edi Ramës. Ne duhet të shkojmë në Kuvend për zgjedhje të parakohshme”, - tha Blushi. Ai tha dje se e vetmja mënyrë për të arritur në zgjedhjet e parakohshme është të qenit brenda në parlament. “Unë besoj që është detyrim i të gjithëve ne të komentojmë dhe të kuptojmë deklaratën e Olli Rehn dhe të Bashkimit Evropian, dhe besoj që sidomos Partia Socialiste ka detyrim ta adaptojë këtë qëndrim, ta adaptojë për të marrë vendimet e duhura, të arsyeshme në raport me zgjedhjet, dhe në raport me Kuvendin e Shqipërisë. Besoj që deklarata e Olli Rehn që i paraprin raportit të OSBE/ODIHR për këto zgjedhje, së pari njeh disa defekte që u vunë re në këto zgjedhje, gjë për të cilën PS është angazhuar t’i zbardhë dhe së dyti është qëndrim i pastër kundër bojkotit të Kuvendit të Shqipërisë. I kërkoj të gjithë deputetëve të PS të jenë të arsyeshëm, mos të marrin vendime nën imponim, për interesa personale të Edi Ramës, por të gjykojnë se luhet për fatet e PS, që është votuar më 28 qershor për të shkuar në institucione dhe jo për të dalë në rrugë”, - tha Blushi.

Megjithëse është renditur në krye të kundërshtarëve të Ramës në PS, Ben Blushi sulmoi ashpër edhe marrëveshjen midis LSI dhe PD. “Besoj që ia vlen të kujtohet ai filmi “Ballë për ballë” me një rus dhe me një shqiptar, të cilët nuk merreshin vesh se nga ta drejtonin nëndetësen 905. Kam përshtypjen ky do të jetë rasti i kësaj qeverie, drejtuar me dy marinarë, në një det të trazuar, në një ekonomi në krizë. Dëgjuam vetëm se si u nda qeveria 80 për qind me 20 për qind. Dyshoj se i vetmi program që kjo qeveri ka është nevoja për të ndaluar kthimin në pushtet të PS”, - vijoi Blushi.

Malaj: Të kushtëzojmë mbështetjen tonë për reformat e rëndësishme

Anëtari i Kryesisë së PS, Arben Malaj, ritheksoi dje qëndrimin e tij kundër bojkotit të parlamentit, duke theksuar se një vendim i mundshëm për bojkot do të cenojë rëndë vlerësimin dhe mbështetjen publike ndaj PS.

“Çdo qëndrim emocional dhe i imponuar, që mund ta shndërrojë PS nga një forcë moderne dhe brenda institucioneve të vendit, në një parti radikale, dëmton rëndë investimin e përhershëm të socialistëve për të modernizuar vendin e tyre. Qëndrimet bojkotuese mund të cenojnë vlerësimin dhe mbështetjen publike, dëmtojnë kohezionin dhe bashkëpunimin në forumet e Partisë Socialiste, kufizojnë efikasitetin e grupit parlamentar, dobësojnë mbështetjen dhe partneritetin ndërkombëtar, duke vështirësuar fitoret tona në ballafaqimet e ardhshme vendore dhe parlamentare”, - tha dje Malaj.

Në një deklaratë për shtyp, Malaj theksoi dje se PS duhet të marrë parasysh qëndrimet më të fundit zyrtare të BE në lidhje me zgjedhjet. Malaj u shpreh gjithashtu se në Partinë Socialiste ka qëndrim unik për vlerësimin se zgjedhjet 2009 kishin shumë shkelje dhe mangësi, dhe se ka qëndrim të përbashkët sa i përket domosdoshmërisë së hetimit parlamentar për shkeljet në zgjedhjet e qershorit 2009. “Për ne socialistët zgjedhjet 2009 janë një mundësi e humbur për të arritur standarde evropiane. Por në Partinë Socialiste pas mbetjes në opozitë në mënyrë të përsëritur, ka mendime ndryshe për veprimet politike që duhen ndërmarrë pas zgjedhjeve 2009. Partia Socialiste është forca më e madhe opozitare në vend dhe në misionin e saj parlamentar duhet të synojë dy objektiva të mëdha politikë: Të evidentojë, të denoncojë dhe të veprojë në rrugë institucionale për të ndalur keq-qeverisjen e vendit. Partia Socialiste mund ta arrijë këtë objektiv nëpërmjet pjesëmarrjes aktive në debatin parlamentar, nëpërmjet forcimit të kontrollit parlamentar mbi institucionet kushtetuese dhe nëpërmjet sensibilizimit dhe solidaritet në rritje me opinionin publik shqiptare. Partia Socialiste në misionin e saj edhe në opozitë duhet të jetë aktive dhe efektive për të nxitur reformat që e përshpejtojnë procesin dhe rrisin cilësinë e integrimit të vendit. Partia Socialiste duhet të rrisë efikasitetin parlamentar ndaj qeverisë që shqiptarët sa më parë të mund të lëvizin lirisht, siç e fituan këtë të drejtë serbët, maqedonasit dhe malazezët. Ne mund të kushtëzojmë mbështetjen tona për reforma të rëndësishme me objektiva të qarta politike, por jo me mospjesëmarrje në institucionet kushtetuese të vendit”, - tha Malaj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›