Sllava, violonçelisti legjendarNga Dr. Sul GragjeviViolonçeilisti i famshëm rus, Mstislav Rostropoviç ose siç e thërriste shkurt Yehudi Menuhin, Sllava, lindi më 27 Mars 1927 në Baku të Azerbaixhanit. Ishte prej një familjeje ruse. Babai i tij ishte
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Sllava, violonçelisti legjendarNga Dr. Sul GragjeviViolonçeilisti i famshëm rus, Mstislav Rostropoviç ose siç e thërriste shkurt Yehudi Menuhin, Sllava, lindi më 27 Mars 1927 në Baku të Azerbaixhanit. Ishte prej një familjeje ruse. Babai i tij ishte një çelist i njohur, ndërsa e ëma ishte një pianiste me përvojë, pra, një familje muzikantësh. Eshtë një nga violonçelistët më të mëdhenj të shekullit të 20-të dhe njëkohësisht një nga dirigjentët e shquar të kohës së tij, megjithëse sipas shumë muzikologëve dhe specialistëve të muzikës Rostropoviç konsiderohet sot si violoncelisti më i madh i gjithë kohëve. Sa ishte fëmijë ai mori mësimet më të rëndësishme të cellos nga i ati i tij Leopold, ai ishte me një fëmini plot talent që në moshen tre vjeç. Në moshën tetë vjeç jep recitalin e tij të parë. Mbasi familja e tij ishte vendosur në Moskë, djaloshi Sllava përfundon mësimet në një shkollë muzike dhe më vonë fillon mësimet në Konservatorin e Moskës ku mëson cello dhe kompozim. Në konservatorin e Moskës ka fatin që pedagogë të tij janë Dmitri Shostakoviç dhe Sergej Prokofiev. Këtu ai mëson edhe dirigjim përveç cellos dhe pianos. Në një konkurs për muzikantë të rinj Rostropoviç fiton medaljen e konkursit si cellisti më i mirë. Në vitet 1947-‘49 dhe 1950 fiton çmimin e parë ndërkombëtar në Pragë dhe Budapest. Interpreton solo në Konseravatorin e St. Petersburgut dhe të Moskës. Cello e Rostropoviçit është Stradivari "Duport" dhe mund të jetë një nga instrumentët më të mirë të bërë atë kohë. Për herë të parë del në Perëndim, në Itali më 1951, pastaj në Londër dhe në Njujork, Carnegie Hall. Tashmë Rostropoviç konfirmohet si një cellist "star" ndërkombëtar.
Mbasi kthehet në atdhe, kompozitorët vendas shkruajnë për të punime të cellos. Shostakoviç shkroi për të dy koncerte për cello dhe orkestër
njërin nga të cilët e interpretoi me Orkestrën Simfonike të Filadelfias nën dirigjimin e Eugene Ormandit,koncertin No. 1 në E/Mi bemol op. 107 .
Martohet me sopranon më të mirë të Theatrit Balshoi të Moskës
Në vitin 1955 Rostropoviç martohet me sopranon më të mirë të Theatrit Balshoi të Moskës, Galina Vishnjevskaja. Edhe Prokofiev kompozoi për cellistin e madh, sonatën në C/Do op. 119 dhe të cilën e interpretoi i shoqëruar nga pianisti famshëm Sviatoslav Richter. Bashkëpunimi me Prokofievin nuk mbaron me kaq. Prokofiev i dedikon atij edhe një kompozim të bukur, simfoninë koncertante për cello op. 125. Karriera e tij ndërkombëtare vazhdon me vitin 1963 kur jep një koncert në të suksesshëm në Konservatorin e Liezhit nën drejtimin e dirigjentit të njohur Kiril Kondrashin. Një vit më vonë shkon në Gjermaninë Perëndimore, ndërsa në Londër takohet me shumë kompozitorë, një ndër të cilët ishte edhe i njohuri Beniamin Britten, i cili i dedikoi cellistit rus një cello sonatë, tri suita solo dhe një cello simfoni. Po në Londër, Rostropoviç, Sllava, në vitin 1968 interpreton koncertin për violonçelo dhe orkestër të Antonin Dvorzhak me Orkestrën Simfonike të Filarmonisë, Moskë. Një vit më vonë, më 1969, Sllava proteston kundër trajtimit të keq që i bëhet shkrimtarit rus Aleksander Solzhenjicin dhe për këtë i gjithë programi i koncerteve të tij dhe të së shoqes anullohen nga shteti komunist. Galina si soprano star përjashtohet nga Balshoi dhe bashkë me të shoqin dhe fëmijët, më 1974 ikin për në Amerikë. Shteti sovjetik përveç kësaj, i heq edhe nënshtetësinë. Megjithëse e detyruan brutalisht të lërë vendlindjen e vet Rostropoviç, gjithmonë ishte krenar për vendin e tij. Një gazetar rus shkruante që "Rostropoviç sot është simbol i lirisë". Edhe pse ishte një artist i madh edhe i privilegjuar, ai u ngrit i tëri dhe doli në mbrojtje të hapur të disidentëve rusë.
Në Perëndim cellisti Rostropoviç është një star i pakrahasueshëm. Debuton më parë në Londër me Neë Philarmonic Orchestra dhe pastaj në Orkestrën Simfonike Nacionale të Ëashingtonit. Në vitin 1977 emërohet drejtor i Muzikës në Ëashington ku punoi deri në vitin 1994. Si violonçelist, Rostropoviç ka repertorin më të pasur si asnjë tjetër cellist, me mbi 100 pjesë të ndryshme.
Violonçelo i Rostropoviçit ishte Stradivarius "Duport"
Violoncelo i Rostropoviçit ishte Stradivarius "Duport", por cellon në fillim fare e ka prodhuar Andrea Amati dhe atë kohë, deri në shekullin e 18-të, ky instrument ka mbështetur më tepër linjën e "basit" për t’i dhënë një plotësim full strukturës muzikore. Sot cello është pjesë standarte e një orkestre simfonike dhe përbën seksionin vendimtar të saj. Në shekullin e 20-të repertori i cellos bëri një rritje të paparë ndonjëherë. Në këtë rritje ka ndikuar puna e madhe e virtuozit, gjeniut të cellos Mstislav Rostropoviç, i cili inspiroi, interpretoi dhe regjistroi me dhjetra punime solo dhe instrumentale-orkestrale midis të cilave mund të përmenden: Simfonia Koncertante e Prokofievit, Cello Simfonia e
Brittenit, Cello Koncertet e Shostakoviçit, Cello koncertet e Haydnit, Cello Koncerti i Antonin Dvorzhak, pa lënë në harresë sonatat për cello dhe piano të kompozuara nga Beethoven, Mendelssohn, Brahms, Rahmaninov Shostakoviç, Prokofiev. Cello sonaten e Rahmaninovit në G/Sol minore op. 19, Rostropoviç e luajti në Carnegie Hall të Nju Jorkut, i shoqëruar nga pianisti i famshëm Horoëitz.
Kur sheh në DVD interpretimin e Rostropoviçit në cello koncertin e Haydnit në C/Do maxhore, është e vështirë ta besosh se ai nuk është më, nuk mund të imagjinohet muzika klasike pa Sllavan. Eshtë shumë energjik, gishtat e tij të gjatë përshkojnë më shumë shpejtësi regjistrin e poshtëm dhe të sipërm, duke dhënë një ton të pastër si kristali, plot kolor. Jo vetëm në këtë koncert të bukur të Haydnit, por edhe në double koncertin e Brahmsit dhe triple koncertin e Beethovenit dhe në çdo tjetër interpretim, Rostropoviç e prezanton veten si një virtuoz modern koncertesh. Violoncelo e tij dominon jo vetëm në solo, por edhe në koncertet, dominonte edhe vëmendjen e spektatorit në audiencat. Interpretimet e tija brilante, me një ton elegant, audiencat gjithmonë i kanë duartrokitur për minuta të tëra. Faktori emocional ishte prezent në çdo performancë të tijën, duke e bërë atë cellistin më të suksesshëm në botë dhe më romantik në interpretim. Stradivari i tij mund të ishte violonçelo më e mira në dorë të Sllavas që e shoqëroi atë deri në fund, ishte një periudhë madhështore në muzikë dhe Sllava ishte një Legjendë. Ai luante si një cellist universal, herë lirik, herë romantik, herë me cilësi aristokratike dhe herë herë me cilësi demonike që të kujton performancën demoniake të violinistit Ivry Gitlis në violinë koncertin No. 2 të Paganinit, me një ndryshim 180 gradë prej cellistëve tjerë. Performancat e Rostropoviçit në cello koncertet janë vërtetë të pakrahasueshme. Zëri i cellos së tij ishte absolut irreversibël. Ai si cellist ishte i famshëm, i koncentruar mbi cellon e tij si askush tjetër, kjo vihet re në çdo interpretim. Ishte një gjeni në mjeshtëri, në ekspresion. Të gjitha këto veçori të mrekullueshme, mahnitëse ndodhin vetëm brenda artit, kur i jepen artit me gjithë jetën, dhe këto i kishte të gjitha
Rostropoviç. Edhe pse shumë koncerte Rostropoviç i luajti në moshë, siç është rasti i cello koncertit në C/Do maxhore të Haydnit në Londër, më 1981, i luajti më mirë se një i ri, me një mekanizëm e shpejtësi të paparë ndonjëherë. Yehudi Menuhin thoshte për të: "Sllava është një cellist mahnitës".
Double koncerti i Brahmsit, cello-violinë dhe orkestër në A/La minore op.102 dhe triple koncerti i Beethovenit, piano, cello, violinë dhe orkestër në C/Do maxhore op. 56, treguan se Rostropoviç me një memorie fenomenale kishte një komandë fenomenale mbi cellon, duke bërë që audiencat të adhurojnë jo vetëm artin e tij, por edhe atë si njeri për t’u bërë një figurë e paharrueshme. Ai interpretoi double koncertin e Brahmsit bashkë me violinistin Oistrah
në një performancë të shkëlqyeshme të drejtuar nga Kiril Kondrashi dhe të njëjtin koncert ai e dirigjon në Paris Festival me violinistin Vadim Repin dhe cellistin Denis Shapovallov. Ndërsa në triple koncertin e Beethovenit Rostropoviç luajti bashkë me pianistin Richter dhe violinistin David Oistrah, një treshe e virtuozëve të mëdhenj të drejtuar nga Herbert Von Karajan në Vjenë.
Nën dirigjimin e Carlo Maria Giulini Rostropoviç interpreton cello koncertin e Saint-Saens, No.1 dhe cello koncertin e Dvorzhakut me performancat më të mira në Henry Wood Hall të Londrës, kurse cello koncertin e Schumannit në A/La - minore op. 129 e interpretoi me orkestrën franceze ORTF nën dirigjimin e të shquarit Leonard Bernstein.
Celistja virtuoze Natalia Gutman, studente e Sllavas
Një nga dëshirat e tija kur ishte profesor i cellos, 1956, në Konservatorin e Moskës ishte që të shihte çdo ditë studentët duke luajtur në instrumentin e tyre, sepse kur do të luanin një pjesë muzikore komplete ata do të kishin një frymëmarje më të lehtë. Një nga studentët e cellos që ka mësuar nga Rostropoviç është celistja virtuoze Natalia Gutman. Kjo, në mars të këtij viti dha një koncert në Ankara, cello koncertin No. 1 të Shostakoviç. Mstislav Rostropoviç me cellon e tij, me interpretimet e tija mahniti më shumë shikues, më shumë audienca sesa cellistë të tjerë. Kariera e tij ishte monumentale, ndërsa ai ishte i vetmi muzikant i lartësive më të mëdha që frymëzoi shumë njerëz me cilësinë shpirtërore të artit. Arti i Rostropoviçit ishte pjesë e jetës së tij dhe ai e vërtetoi atë që arti në të vërtetë është më i shkëlqyer, është më madhështor kur bëhet pjesë e një personaliteti të shëndoshë. Regjistrimet e performancave të tij mbeten sot një thesar i Artit të Violoncelos. Koncertet e Haydnit, Shostakoviçit, Prokofievit, Brahmsit, Beethovenit, Dvorzhakut mbeten koncert-performanca madhështore. Violoncelo koncerti No. 1 në C/Do maxhore i Haydn përbëhet prej tri kohëve: Moderato-Adagio-Allegro molto. Haydn e ka kompozuar këtë koncert për cellistin kryesor të orkestres së Princit Nicolaus Esterhazy, dhe i përket linjës "basso continuo". Basso continuo në epokën Baroque nënkuptonte një stil artistik, i cili mbizotëronte nga fundi i shekullit të 16-të deri në fillimin e shekullit të 18-të. Në thelbin e stilit të Ri,ishte "basso continuo", një sistem kompleks shkrimi dhe leximi të muzikës, krijuar e përdorur në periudhen Baroque me një linjë të vetme të Bassit të shkruar ku kompozitori mundë të improvizojë zëra të tjerë të nevojshëm për të plotësuar harmoninë. Kur studjohej muzika, në fillim mësohej teknika e "basso continuo". Tre kohët e koncertit janë shkruar në formën e sonatës. Ky koncert ka një teknikë dhe virtuozitet dhe veçanërisht koha e tretë, finale-Allegro molto, është e shpejtë dhe dinamike, jo vetëm për cellistin, por edhe për harqet, mbas një introduksioni të orkestrës. Në këtë Allegro molto, shohim virtuozitetin e Rostropoviçit, mjeshtërinë e tij, dinamikën e shkathtësinë e tij, jo vetëm në pasazhet duke alternuar me shpejtësi kalimet nga njëri regjistër në tjetrin, por edhe staçatot e harkut të tij magjik. Triple koncerti i Beethovenit për violinë, piano, cello dhe orkestër në C/Do maxhore , op. 56. (1803). Koncerti ka tri kohët: Allegro-Largo-Rondo alla pollaca. Ky koncert është interpretuar nga David Oistrah, violinë, Sviatislav Richter piano, Mstislav Rostropoviç violoncelo dhe është quajtur performanca madhështore e shekullit, e cila mahniti performancat me tre mjeshtrat më të mëdhenj virtuozë dhe me dirigjimin e Herbert Von Karajanit në Vienë, me Orkestrën e Filharmonisë së Berlinit. Pavarësisht prej bukurisë dhe madhështisë së piano koncerteve dhe violinë koncertit të Beethovenit, koncerti op. 56 është i pasur me melodi dhe tema.
Koha e parë fillon me një introduksion të orkestrës, me një temp si marsh moderato me pasazhe dekorative për 2:35 min. Rostropoviç fillon i pari me cellon temën, pastaj Oistrah dhe të dy luajnë duetin deri në hyrjen e pianistit që vazhdon solo dhe orkestra shoqëron solistët. Koha e parë ka edhe shumë dialogë, ndërsa mbas min. 03:30 dhe mbas min. së katërt janë variacionet e temës. Pjesa e pianos shpesh të kujton Fantazinë Korale, op. 80.
Koha e dytë, Largo, fillon me një interpretim mjaft tërheqës të Rostropovicit, melodi të cilën e persërit pianisti Oistrah në variacionet e mëvonë. Cello dhe violina ndajnë së bashku materialin melodik, kurse piano i shoqëron. E gjitha kjo kohë përshkohet nga melodi lirike. Koha e tretë ka një përsëritje dramatike, është e shpejtë, një poloneze
(e quajtur pollaca), një ritëm i shpejtë dhe është një material për mjeshtrat e virtuozët Oistrah, Rostropoviç, Richter. Këtë koncert e kanë interpretuar edhe treshja e shquar Itzhak Perlman
violinë, Yo-Yoma cello, Daniel Barenboim piano.
Double koncerti i Brahmsit në A/La minore op. 102
violinë, violonçelo dhe orkestër. David Oistrah violinë dhe Mstislav Rostropoviç cello. Të dy virtuozët luajnë me një ton madhështor dhe plot elokuencë. Shihet qartë interpretimi i cellistit Rostropoviç, energjik, gjithë kohën duke dominuar mbi cellon. Ky koncert është luajtur edhe nga Zino Francescatti dhe cellisti francez i shquar Pierre Fournier me Orkestrën e BBC-së nën dirigjimin e Sir Clin Davis. Violoncelo koncerti i Dvorzhak në B/Si minore op. 104. i vitit 1894 u shkrua prej kompozitorit kur ai ishte në Njujork si Drejtor në Konservatorin Nacional. Ka tri kohët: Allegro - Adagio - Finale: Allegro moderato-andante-allegro. Performanca e këtij koncerti është bërë në Henry Wood Hall të Londrës nën dirigjimin e Carlo Maria Giulini. Performanca e këtij koncerti ka qenë më e mira dhe më madhështorja për cellistin Rostropoviç. Për këtë interpretim kanë shkruar shumë duke e cilësuar si interpretimin më të mirë deri sot dhe një nga interpretimet "legjendë". Koncerti në të tri kohët është mjaft atraktiv, jo vetëm për audiencën, por edhe solistin. Ka shumë elementë muzikorë të teknikës dhe të virtuozitetit, të cilat e bëjnë koncertin madhështor. Akordet, pasazhet, veçanërisht në notat më të larta dhe glissandot e stilit të Rostropoviçit tregojnë qartë teknikën e përsosun dhe temparamentin e cellistit të madh. Linja melodike që nga introduksioni i hapjes që zgjat më shumë se 4:00 minuta, dhe që përshkon kohën e dytë dhe atë të tretë, me melodi mjaft të bukura, tregon qartë se Dvorzhak ishte një melodist i madh çka shihet edhe në Humoresken op. 101 dhe Slavonic Dance No. 2 për cello dhe orkester. Koncerti i Haydnit No. 2 në D-maxhore është edhe ky një nga performancat më të mira të violoncelistit legjendar Rostropoviç. Këtë koncert e luajti me "Akademi of St. Martin in the Fields" Londër, që e drejtoi edhe ai vetë. Ai interpretoi mjaft bukur një koncert të bukur të Haydnit. Në kohën e parë Allegro moderato, shquhen variacionet dhe kadenca e tij me glissando dhe gjithë elementët e virtuozitetit. Rostropoviç është futur plotësisht brenda botës muzikore të Haydnit dhe pasioni me emocionet e interpretimit i japin një ndriçim gjithë koncertit. Në kohën Adagio, ritmi është shumë i ngadaltë, dhe kjo kohë është më lirike nga ajo e koncertit në C/Do. Mbizotron tonaliteti i A/La maxhore dhe toni mjaft i ngrohtë i cellistit që dallohet edhe në kohën e tretë, Rondo-Allegro, që është një kohë e shkurtër. Siç shihet edhe në gjithë DVD e koncerteve, Rostropoviç ka një përdorim fantastik të harkut të dorës së djathtë, në dallim nga të tjerët. Introduksioni prej gati 2 min. që e drejton vetë Rostropoviç, fillon qetë, deri kur cello përsërit temën disa herë. Kadenca e shkruar nga Rostropoviç është mjaftë e bukur, që përveç
tri glissandove të stilit të tij, ajo është në harmoni të plotë me linjën kryesore të zhvillimit, mjaft e kuptueshme për orkestrën "tutti". Mendoj se një kadencë e tillë e ndërtuar zor se mund të gjendet në ndonjë piano apo violinë koncert dhe them të drejtën që koncerti No. 2 i Haydnit në D/Re maxhore, koha e tretë e koncertit në C/Do dhe koncerti i Dvorzhak në B/Si minore për cello e orkester të interpretuara nga Rostropoviç, janë favoritet e mija. Rostropoviç pasi largohet nga Amerika vazhdon me koncertet nëpër Europë si cellist dhe dirigjent. Me ardhjen e Jelcinit në fuqi ai rimerr nënshtetsinë ruse dhe lufton për lirinë e artit dhe të politikës. Rostropoviç është dekoruar shumë herë, më shumë se ndonjë tjetër muzikant jo vetëm si interpretuesi më i madh në violonçelo por edhe për kontributin që dha në zhvillimin e artit muzikor botëror. Ai vazhdoi si dirigjent deri në moshën 79-80 vjeç. Orkestra Simfonike e Londrës e njeh shumë mirë stilin e dirigjimit të Rostropoviçit plot pasion dhe energji e veçanërisht në kompozimet e Çajkovskit, Shostakoviçit. Njeriu kujton mirë koncertet e Haydnit No. 1 dhe No. 2 , atë të Mozartit për klarinetë, koncertin "Emperor" të Beethovenit, Skercon dhe Melodinë op. 42 të Çajkovskit që janë kompozime të bukura.
Cellisti brilant, dirigjenti e pianistit i shquar...
Historia e muzikës është e mbushur me interpretime të virtuozëve te famshëm Stadler, Joachim, Lacatelli, Vivaldi, Paganini, Liszt, të cilët me artin e tyre inspiruan repertorët që sot i shohim dhe dëgjojmë. Këtij arti, thesari të çmueshëm, i shtohet edhe repertori i pasur i Rostropoviçit, i cellistit brilant, dirigjentit e pianistit të shquar, luftëtarit për lirinë e artit dhe politikës, njeriut më humanitar në gjithë botën muzikore. Rostropoviç është i vetmi instrumentist që zgjeroi repertorin e cellos me pjesë të reja, sepse ishte i vetmi që kërkonte nga kompozitorët që të kompozonin për cellon e tij. Ai ishte edhe një njeri me shpirt të madh dhe zemër të hapur për këdo. Dirigjoi kohët e fundit plot energji, me pasion në Filarmoninë e Njujorkut. Podin e tij e karakterizonte energjia dhe pasioni në dirigjim veçanërisht kur kishte para repertorin e Çajkovskit, Shostakoviçit në Simfonitë ose ndonjë koncert violine me Vengerov dhe Repin. Ai u largua nga Orkestra Nacionale e Washingtonit si drejtor Muzike dhe dirigjent Laureat. Rostropoviç nuk arriti të marrë pjesë në një Festival Ndërkombëtar të cellos në Angli, sepse mbas një sëmundje të rëndë u nda nga jeta me 27 Prill 2007 në Moskë. Në Baku, qyteti i lindjes së tij, në lagjen ku jetoi dhe shtëpinë ku u lind violoncelisti i famshëm sot është shtëpia Muze e Mstislav Rostropoviç. Ndër të tjera, violinisti Star Virtuoz Maksim Vengerov shkruan : "Maestro Rostropoviç, si cellist legjendar dhe dirigjent me personalitetin e tij të shquar frymëzoi gjithëkënd, ai është heroi im".
Burime: Joseph Stevenson: All Music Guide