Presioni për bojkotin, një proces normalNga Mero BazeOpozita shqiptare duhet të jetë e përgatitur për presionin në rritje që do të ketë nga faktorë politikë brenda vendit, por sidomos komuniteti ndërkombëtar lidhur me gjestin e saj politik për të hyr
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Presioni për bojkotin, një proces normalNga Mero BazeOpozita shqiptare duhet të jetë e përgatitur për presionin në rritje që do të ketë nga faktorë politikë brenda vendit, por sidomos komuniteti ndërkombëtar lidhur me gjestin e saj politik për të hyrë në parlament pas marrjes së një sërë garancish, që kanë të bëjnë me hetimin mbi dyshimet e saj për zgjedhjet parlamentare dhe normalitetin demokratik në vend, pas shenjave të qarta për revansh që ka shfaqur shumica e re mikse mes Berishës dhe Metës.
Opozita duhet të jetë e përgatitur së pari për presionin e brendshëm, që do të vijë natyrshëm nga opsione të tjera politike, edhe pse më minore brenda së majtës. Qëndrimi i Ben Blushit do të pasohet dhe nga zëra të tjerë, të cilët janë të sinqertë dhe legjitimë në kërkesën e tyre për të mos e bërë çështje problemin e standardit të zgjedhjeve. Kjo është një histori që përsëritet vazhdimisht në Shqipëri. Sali Berisha prej vitit 1997 nuk ka hyrë asnjëherë në parlament pa marrë garanci, edhe pse së paku në zgjedhjet e vitit 1997 rezultati ishte dramatik kundër tij. Në vitin 2001, nga zgjedhjet e vjedhura me arrogancë, dhunë dhe pará nga ish-kryeministri, Ilir Meta, opozita e atëhershme e Berishës nuk hyri në Kuvend për së paku 7 muaj, derisa u rrëzua Ilir Meta dhe derisa politika në vend u bë tripolare, duke marrë garanci për zgjedhjen e ardhshme të presidentit, duke përfshirë në marrëveshjen e kthimit dhe pazare të nëndheshme me Ilir Metën.
Dhe atëherë ka pasur zëra të egër kundër opozitës. Të gjithë e mbajmë mend si vraponin ekran më ekran Genc Pollo dhe garnitura e tij për të akuzuar Berishën si destabilizues të vendit, si njeri që nuk njeh humbjen, si njeri që do të shkatërrojë Shqipërinë, por kjo nuk e dëmtoi Berishën. Përkundrazi, në zgjedhjet e radhës lokale ky grupim mori 1,5 për qind duke u bërë i parëndësishëm si opozitar. Edhe presioni ndërkombëtar ishte i madh. Sa herë që Berisha bënte fjalë për bojkot të Kuvendit, Brukseli, por dhe gjithë diplomacia ndërkombëtare stimulonte qëndrime pozitive ndaj qeverisë dhe injoronte shpesh deformime të forta demokratike në vend.
Të gjitha këto do përsëriten, edhe pse në miniaturë. Opozitarët e Edi Ramës në Partinë Socialiste nuk janë opozitarë të rremë si Genc Pollo. Ben Blushi është një opozitar real me Sali Berishën, edhe pse është dëmtuar nga mbështetja gati publike e tij kundër Edi Ramës. Por kjo nuk e bën atë një opozitar fals. Opsioni i tij për të hyrë në Kuvend duket se është më shumë diferencë me Edi Ramën sesa afërsi me Sali Berishën. Ai e kupton se qëndrimi radikal humbet terren për qëndrimet e moderuara brenda PS dhe natyrisht e bën më të lehtë dominimin e PS prej Edi Ramës. Për këtë arsye unë nuk e quaj regres qëndrimin e tij, por një qëndrim normal dhe të arsyeshëm, sidomos për ambiciet e tij politike.
Po ashtu, qëndrimi i Komisionerit Olli Rehn reflektonte paralajmërimet e Edi Ramës. Brukseli, i cili është i shqetësuar realisht për përsëritjen e problemeve në zgjedhje, është i gatshëm të dekurajojë opozitën për të mos qëndruar jashtë Kuvendit, sidomos për një kohë të gjatë.
Por këto rrethana janë të gjitha rrethana të pritshme. Opozita duhet të jetë e përgatitur se një qëndrim radikal ndaj Kuvendit dhe shumicës së re do të ketë një çmim politik brenda së majtës dhe një problem me qëndrimin ndërkombëtar. Por mënyra se si Edi Rama e ka parashtruar planin e tij përmes kushtëzimeve, nuk na jep luksin ta quajmë bojkot, ashtu sikundër nuk i jep të drejtë shumicës të injorojë kërkesat për hetimin e zgjedhjeve apo lirimin e kriminelëve nga burgjet.
E rëndësishme është që opozita të dijë të mbrojë qëndrimet e saj dhe të mos vazhdojë të ndjekë spiralen e eklektizimit politik të Edi Ramës, për shkak të presioneve ndaj tij. Pavarësisht zërave brenda dhe jashtë saj, pro apo kundër bojkotit të kushtëzuar, opozita duhet të dëshmojë se di të mbrojë qëndrimet e saj. Ajo duhet ta qartësojë planin e saj për bojkot të kushtëzuar dhe ta mbrojë atë, derisa ta realizojë, për të bindur të gjithë ata që ndjehen të pasigurt te vendosmëria e kësaj opozite. Askush nuk bën gabim që qorton opozitën për opsionet e saj, por pjesa opozitare e kësaj shoqërie ka nevojë të shikojë, nëse është e aftë kjo opozitë t’i mbrojë vendimet e saj.