E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS mes bojkotit dhe protestave

01/07/2010 Grupi kuvendor socialist analizon situatën aktuale politike në vend

Deputetët të ndarë në qëndrime. Vendosin strukturat për pozicionin final

Rikthimi i bojkotit ndaj institucionit të Kuvendit nga ana e Partisë Socialiste sjell sërish në skenë zërat pro dhe kundër një vendimmarrjeje të tillë. Megjithatë, pritet që të jenë strukturat drejtuese të PS-së, ato të cilat të vendosin piketat ku do të përqendrohet aksioni politik i opozitës parlamentare. Kështu, gjatë mbledhjes së djeshme të grupit parlamentar të PS-së, deputetët e kësaj partie, nisur nga situata aktuale politike, kanë dhënë opsionet e tyre lidhur me pozicionin që duhet të mbajë kjo forcë politike përkundrejt mazhorancës qeverisëse. Në këtë mënyrë, në takimin e djeshëm parlamentarët socialistë kanë qenë të ndarë në propozimet e tyre, ku një pjesë e deputetëve kanë propozuar rinisjen e protestave dhe pjesa tjetër kanë hedhur idenë e shoqërimit të këtyre protestave dhe me bojkot të Parlamentit. Burime pranë kësaj mbledhjeje, bënë me dije se në fillim të këtij takimi deputetët kanë shfaqur shqetësimet e tyre sa i takon përkeqësimit të mëtejshëm të situatës politike në vend. Për këtë arsye, disa nga ligjvënësit socialistë, si: Arben Ahmetaj, Ledi Shamku, kanë kërkuar rifillimin e menjëhershëm të protestave, por njëkohësisht krahas këtij aksioni të rikthehet dhe bojkoti ndaj Parlamentit. Por vetë kreu i grupit kuvendor socialist, Gramoz Ruçi, në vijim të propozimeve ka deklaruar në këtë mbledhje se PS-ja do të bëjë një luftë të ashpër parlamentare dhe nuk do votojë as një projektligj, qoftë ato që kërkojnë shumicë të cilësuar apo të thjeshtë. Ndërkohë që po në këtë linjë, deputetë të PS-së kanë hedhur idenë që përgjatë kësaj periudhe deri në fund të këtij sesioni parlamentar të mbajnë një marrëdhënie të tillë me Kuvendin, pra duke e shtrirë oponencën ndaj shumicës në pushtet si në rrugë institucionale, ashtu dhe jashtë saj. Nga ana e tij, nënkryetari i Kuvendit, Dokle, është shprehur se nuk mund të ketë “ose, ose, por edhe, edhe”, pra edhe luftë parlamentare, edhe protesta. Por ndërkohë një pjesë e mirë e deputetëve kanë theksuar me forcë faktin se e gjithë lufta duhet të bëhet në Kuvend. Deputetë si Gjiknuri, Bushati, Gjoni, Braçe, Kodheli, Malaj janë shprehur kundër bojkotit, duke kërkuar një oponencë të fortë në Kuvend.

Diskutimi

Grupi parlamentar i PS-së diskutoi dje lidhur me problemin e transparencës së zgjedhjeve të 28 qershorit. Kryetari i grupit kuvendor socialist, Gramoz Ruçi, bëri me dije se “në këtë takim deputetët e PS-së diskutuan edhe një herë ndryshimet në Rregulloren e Parlamentit, gjë që bën uzurpimin e organeve të drejtësisë dhe veçanërisht të Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë. Njëherësh dhe projektligji i fundit, lidhur me inspektimin e financave publike”. Sipas tij, kjo çon në një trysni, gjë që çon në një kontroll, gjë që çon në një paralizim financiar, administrativ, nën tutelën e qeverisë të gjykatave, të KLD, të SHISH, të OJQ-ve, veçanërisht pushtetit vendor, e pse jo deri tek institucioni i Presidentit”.

Vendimi

Kryetari i grupit parlamentar të PS-së, Gramoz Ruçi, zbardhi dje vendimet e marra në mbledhjen e djeshme të këtij grupi. “Duke filluar që nga dita e nesërme, grupi parlamentar socialist përshkallëzon marrëdhënien me Parlamentin shqiptar, duke kushtëzuar marrëdhëniet ndaj këtij Parlamenti, duke mos votuar asnjë ligj, as me shumicë të thjeshtë e as me shumicë të cilësuar. Grupi parlamentar do të përgatisë gjatë ditëve në vazhdim axhendën e tij opozitare në marrëdhënie me Parlamentin. Lidhur me hapat e mëtejshëm, grupi parlamentar socialist në sesionin e ardhshëm apo të ri parlamentar, që fillon në shtator, do të bëjë publikë hapat e mëtejshëm lidhur me marrëdhëniet dhe me qëndrimin ndaj Parlamentit shqiptar”, u shpreh Ruçi.

Raporti i “Freedom House”

Hysi

Raporti i organizatës “Freedom House” për vendin tonë ka sjellë me vete dhe reagimin e ashpër të kampit opozitar në adresë të shumicës qeverisëse. Nënkryetarja e grupit të deputetëve të PS-së, Vasilika Hysi, ndalur në vlerësimet e një raporti të tillë, u shpreh se “elementi i parë që të bie në sy nga ky raport është se Shqipëria nën qeverisjen e Sali Berishës nuk ka shënuar përparime në asnjë fushë të vetme. Përkundrazi, në një sërë fushash janë shënuar përkeqësime serioze të situatës së demokracisë dhe shtetit ligjor, si pasojë e veprimeve të qëllimshme nga ana e Qeverisë”. Sipas saj, është i papranueshëm presioni mbi gazetarinë investigative dhe presioni i politikës mbi organizmat mbikëqyrëse të medias. Madje, duke shtuar dozën e kritikave, Hysi vlerësoi se “raporti vëren se zgjedhjet nuk përmbushën standardet ndërkombëtare dhe liston një sërë problemesh me periudhën parazgjedhore, si për shembull 275 000 shqiptarët që nuk mundën të votonin për shkak të mungesës së dokumenteve të identifikimit, pjesëmarrjen masive të punonjësve të administratës civile në aktivitete elektorale të pushtetit, presionet e ushtruara nga Qeveria mbi administratën për të marrë pjesë në mitingjet e mazhorancës apo për të mos marrë pjesë në aktivitetet e opozitës, votimin familjar, si dhe vëren se u shkel e drejta e dy anëtarëve të KQZ-së për rinumërimin dhe rivlerësimin e votave në disa qarqe”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›