PS, midis taksës progresive dhe paaftësisë programore
… dhe tani kam një pyetje të fundit për ju: Do të preferonit taksimin progresiv, apo një taksim të sheshtë, bashkë me të gjitha taksat e fshehta të tij..? Kjo ishte, pak a shumë, pyetja me të cilën z. Rama mbylli takimin e tij përpara disa ditësh me komunitetin e biznesit. Siç edhe mediat e pasqyruan gjerësisht, prezantimi i idesë se PS-ja do të aplikonte taksimin progresiv si për individët, ashtu edhe për kompanitë, shkaktoi reagim të menjëhershëm kundërshtues thuajse te të gjithë pjesëmarrësit në takim.
Përgjatë takimit, pjesëmarrësit kërkuan të dinin shkaqet përse PS kërkonte të aplikonte një taksë të tillë progresive? A kishte ndërmarrë PS-ja ndonjë studim në lidhje me këtë temë, apo ishte thjesht një ide elektorale dhe diferencuese nga programi i PD-së? Ku synonte të arrinte PS-ja me aplikimin e kësaj takse, dhe pse mendonte që ajo ishte e nevojshme për vendin pikërisht tani?
Të gjitha këto kundërshti dhe pyetje shënuan në thelb edhe atë çfarë ndodhi ditën kur z. Rama takoi përfaqësues të biznesit shqiptar dhe të huaj. Në të vërtetë, pyetja e mësipërme nuk pati nevojë për përgjigje. Gjykuar nga pasqyrimi mediatik, si dhe nga informacionet e pasmbledhjes, ky ka qenë ndoshta takimi më i vështirë i z. Rama me grupet e interesit. Dhe kjo është e kuptueshme, sepse kemi të bëjmë me ekonominë, me faktin se përballë biznesit duhet të jesh i qartë, njohës i mirë i aktualitetit dhe problematikës, mendjehapur dhe i gatshëm për të dëgjuar. Asnjë nga këto veti nuk është pikë e fortë e z. Rama, dhe, për fat të keq, as të stafit të tij, që kishte përgatitur këtë takim.
Ideja e taksës progresive ka disa muaj tashmë që është hedhur si çelësi i suksesit dhe thelbi i reformës fiskale të PS-së kur ajo të vijë në pushtet. Në emër të barazisë sociale dhe të një trajtimi të ndershëm proporcional fiskal, z. Rama ka prezantuar prej disa muajsh idenë e taksës progresive si ilaçin çudibërës apo eurekën e kësaj reforme.
Pas akuzave disavjeçare se PS-së i mungonte një program i qartë dhe i mirëhartuar ekonomiko-fiskal, në konferencën e shtypit që z. Rama organizoi kur shpalli për herë të parë këtë ide, për dëgjuesit ishte e paqartë nëse z. Rama këtë taksë donte ta aplikonte për individët, kompanitë, apo për të dyja kategoritë së bashku. Disa ditë më vonë, pas reagimit të menjëhershëm që erdhi nga komuniteti i biznesit, në një dalje të dytë për shtyp, z. Rama sqaroi që ideja ishte vetëm për individët, e jo për taksimin korporativ.
Në takimin e fundit me biznesin, z. Rama përsëri ndërroi mendje dhe të ftuarve-biznesmenë u deklaroi se taksimi progresiv do të aplikohet edhe për individët, edhe për kompanitë, si dhe do të ishte tipari dallues kryesor i programit të tij ekonomik nëse ai do të fitonte zgjedhjet e ardhshme. Siç edhe e shikoni, në krye të disa muajve z. Rama ndryshoi të paktën tri herë mendim mbi këtë çështje. Është e kuptueshme që mbrapa këtij pozicioni kaq të lëkundur qëndron pasiguria dhe paaftësia e z. Rama të kuptojë siç duhet realitetin shqiptar.
Por le të mundohemi të bëjmë një analizë, pa paragjykim dhe anësi politike, mbi konceptin dhe arsyet e taksës së sheshtë në Shqipëri, të aplikuar nga PD-ja dhe mundësisë/dëshirës për të ndryshuar këtë koncept nga ana e PS-së.
Së pari, konteksti ideologjik: Si taksa e sheshtë, ashtu edhe ajo progresive janë dy sisteme të cilat përdoren gjerësisht sot në botë. Mund të gjesh shumë shembuj të suksesshëm të përdorimit të taksës së sheshtë, ashtu si edhe të taksës progresive, në vende të ndryshme dhe në kohë të ndryshme. Nuk duhet të ngatërrohet përdorimi i një taksimi të caktuar, qoftë ky i sheshtë apo progresiv, me përkatësinë apo ideologjinë politike. Sot ka shumë vende që qeverisen nga qendra e djathtë dhe përdorin taksimin progresiv, siç ka shumë vende që qeverisen nga qendra e majtë dhe përdorin taksimin e sheshtë.
Diferenca ideologjike përgjithësisht ka të bëjë me ngarkesën apo barrën fiskale: qendra e djathtë, e cila lajtmotiv të saj ka modelin ekonomik liberal-neoklasik, përgjithësisht aplikon nivele më të ulëta të barrës fiskale, sesa partitë e qendrës së majtë, të cilat në qendër të programit të tyre kanë përkrahjen shoqërore dhe mbështetjen sociale nëpërmjet aplikimit të barrës më të lartë fiskale në ekonomi. Pra, çështja kryesore që diferencon të dyja përqasjet ideologjike është ajo e rishpërndarjes së të ardhurave. Të djathtët sugjerojnë se vërtetë duhet siguruar një nivel bazik i mbështetjes sociale, por paratë/kapitali është gjithmonë më eficient në duart e investitorëve. Ai riinvestohet duke krijuar kështu më shumë punë, pasuri dhe mirëqenie shoqërore. Të majtët mendojnë se shteti duhet t`i menaxhojë vetë paratë, duke i rishpërndarë në formën e mbështetjes sociale e shëndetësore te popullata, veçanërisht tek ata më të ardhura të ulëta. Pra, siç edhe shikohet, diferenca e djathtë – e majtë nuk ka të bëjë me faktin se çfarë modeli taksimi aplikon, sesa me qëndrimin ndaj barrës fiskale dhe rishpërndarjes së të ardhurave.
Në fjalën e z. Rama, në takimin e bërë disa ditë më parë, nuk jepet asnjë ide mbi barrën fiskale korporative (aktualisht 10%), nëse PS kërkon ta rrisë këtë barrë apo jo, si dhe mënyrës së ndryshme se si PS-ja do ta rishpërndajë këtë pasuri, përkundrejt qendrës së djathtë që qeveris sot Shqipërinë.
Pra, vetëm aplikimi i taksës së sheshtë apo asaj progresive nuk të bën automatikisht të majtë apo të djathtë!
Së dyti, konteksti kombëtar: Sistemi fiskal i aplikuar në një vend është rezultat sa i ideologjisë politike, ashtu edhe i historisë së institucioneve të tij. P.sh., pavarësisht se cila parti qeveris në vendet skandinave, barra fiskale është përgjithësisht e lartë për shkak të modelit ekonomik të zhvillimit të këtyre vendeve, si dhe të trashëgimisë së tyre politike dhe historike. Ky parim është gjithashtu i vërtetë për SHBA, Japoninë, Gjermaninë, Italinë e kështu me radhë. Në këtë kontekst, aplikimi i një sistemi të caktuar fiskal duhet parë në radhë të parë nën këndvështrimin historik dhe trashëgimor, përveç atij ideologjik.
Në dekadat e fundit, taksa e sheshtë është aplikuar përgjithësisht në vendet e Europës Qendrore e Juglindore, e sidomos tek ato të cilat dolën në fillimin e viteve 90 nga sistemi komunist i ekonomive të centralizuara. Arsyeja, përveç të tjerave, ishte edhe forca e pakët e zbatimit të ligjit dhe e konsolidimit institucional. Në parim, sa më i thjeshtë të jetë sistemi fiskal, sa më disincentivues të jetë ai për evazionin dhe korrupsionin, aq më shumë të ardhura mblidhen për arkën e shtetit.
Në Shqipëri, në vitet e qeverisjes socialiste përdorej taksimi progresiv, i cili kishte kontribuar jo pak në nivelin e lartë të evazionit dhe korrupsionit qeverisës. Pas vitit 2005, nga Partia Demokratike u aplikua për herë të parë taksa e sheshtë, si premtim i saj për të luftuar evazionin, për të rritur lirinë ekonomike, si dhe për ta bërë vendin sa më tërheqës ndaj investimeve të huaja. Të gjitha këto qeveria e Partisë Demokratike i arriti në krye të mandatit të parë të saj qeverisës, duke përmirësuar ndjeshëm imazhin ndërkombëtar të Shqipërisë. Në radhë të parë u luftua seriozisht evazioni fiskal, duke rritur më shumë se dy herë të ardhurat nga sistemi fiskal në vitet 2005 deri në 2009. Aplikimi i një sistemi të tillë fiskal u shoqërua me përmirësimin drastik të kapaciteteve të administrimit fiskal, tatimor dhe doganor. Reforma fiskale u perceptua shumë më e gjerë se sa thjesht ideja e taksës progresive apo të sheshtë, sepse ndryshe nuk do të kishte pasur asnjë efekt. Në radhë të dytë, Shqipëria arriti të tërheqë investime të huaja direkte në nivelin rekord të saj ndonjëherë. Në pesë vitet e fundit, Shqipëria ka tërhequr afërsisht 5 miliardë $ IHD, më shumë se çdo vend tjetër, në kulmin e një krize ekonomike globale të paprecedentë.
