E Diel, 1 Nëntor 2026

Një avokat për familjen natyrore?

GJERGJ META

Këto ditë po flitet shumë për të drejtat e personave me prirje homoseksuale dhe për të ashtuquajturit biseksualë dhe transseksualë, të njohur si komuniteti LGBT. Diskutimet janë përqendruar më së shumti në faktin nëse jemi pro apo kundër manifestimit në formën e paradës që ky komunitet ka ndër mend të mbajë pas do kohësh. Po këto ditë, edhe Avokati i Popullit ka zhvilluar një takim me anëtarë të LGBT, duke dhënë një sinjal që duhet lexuar më shumë se sa vetë parada apo marshimi i parashikuar. Angazhimi i një institucioni të tillë në këtë çështje është shumë tregues, pasi është, sipas këndvështrimit tim, shenjë dhe premisë e angazhimeve dhe nismave të mëtejshme ligjore që në shumë vende të Europës i ka çuar përpara një lloj politike liberale, sikurse ishte p.sh. rasti i qeverisë Zapatero në Spanjë, apo sikurse janë shumë programe politikash liberale pak a shumë kudo në Europë. Që Avokati i Popullit të angazhohet në mbrojtjen e të drejtave të njeriut e në mënyrë të veçantë të atyre kategorive që janë më në rrezik, përbën një premisë të mirë për seriozitetin e kësaj zyre, dhe kjo është treguar edhe në angazhimin e tij kundrejt romëve sapo mori detyrën. Por, nga ana tjetër, ne si shoqëri, e në këtë rast edhe Kisha Katolike, nuk mund të mos evidentojë apo të rrijë indiferente ndaj prirjeve të mundshme morale, politike dhe sidomos juridike që kanë si synim të rrafshojnë sistemin e vlerave në emër të relativizimit të tyre, duke kushtëzuar në të tashmen apo në të ardhmen edhe vendimmarrje legjislative. Një konceptim i të drejtave të njeriut i themeluar mbi shijet, modat apo edhe orientimet thelbësisht të çrregullta (sikurse vlerësohet orientimi homoseksual nga mësimi i Kishës Katolike apo edhe ai biseksual e transseksual) çon rrezikshmërisht në bërjen e ligjeve, të cilat cenojnë rëndë institucionin natyror të familjes. Nëse nga njëra anë askush nuk ka të drejtë të damkosë me anë të një diskriminimi të padrejtë personat homoseksualë, nga ana tjetër, asnjë lloj maxhorance nuk ka të drejtë të cenojë themelet e paluajtshme të një ligji natyror mbi të cilin duhet të bazohet edhe ligji pozitiv, duke e trajtuar kuadrin ligjor si diçka që mund të mbajë përbrenda gjithçka që i kalon nëpër mend një grupi apo një personi. Prirja drejt një horizonti të tillë do të thotë fshirjen e çdo lloj horizonti të rrënjosur në vlerat më të natyrshme dhe në traditën më të mirë njerëzore. Çështja, pra, nuk shtrohet vetëm thjesht të bëhet apo të mos bëhet një manifestim i tillë, një paradë apo një marshim, pasi këto marshime shpesh kanë bërë histori dhe kanë zgjidhur shumë probleme në botën demokratike (si p.sh. të drejtat e personave me ngjyrë, të drejtat e grave, të drejtat e minoriteteve etnike, të punëtorëve, të personave me aftësi të kufizuar etj.), por çështja është se këtu bëhet fjalë për të ardhmen e familjes dhe të shoqërisë njerëzore që sakrifikohen në emër të të drejtave të individit. Në një shoqëri si ajo perëndimore, shpesh e drejta e individit ngatërrohet me të drejtat e njeriut. Të drejtat e individit janë të drejtat e një të vetmi, i pandashëm dhe i ndarë nga të tjerët (in-dividuum), kurse të drejtat e njeriut janë të drejtat e shoqërisë, pra të dikujt që jeton natyrshëm në shoqëri dhe jo vetëm funksionalisht. E shoqëria e parë në të cilën jeton individi është familja, nëna dhe babai, motrat e vëllezërit që vijnë nga një dashuri e frytshme, gjë të cilën çdo lloj marrëdhënie tjetër nuk e lejon, madje e shterpëzon dhe e pengon të ecë përpara. Rrënimi i familjes është jo vetëm rrënim i shoqërisë, por dhe i individit. Prandaj, edhe nga ana e institucioneve, përfshirë edhe Avokatin e Popullit, duhet të kihet në kujdes njeriu si i tillë dhe shprehjet e tij më natyrore, ndër të cilat është patjetër martesa heteroseksuale, si e vetmja martesë e mundshme dhe familja e themeluar mbi të. Prirjet juridike që shpesh shoqërohen me programe politike në të cilat gjithçka është e lejueshme në emër të individualizmit dhe relativizmit etik, janë absolutisht të papranueshme dhe të dëmshme për rendin shoqëror, duke prodhuar kështu të ashtuquajturën diktaturë të relativizmit. Shoqëria shqiptare, që është ende një shoqëri konservatore dhe që ka një model të familjes ende të shëndetshëm e të fortë, sigurisht do të pësonte dëm në rast se prirje të tilla bëhen mbizotëruese dhe përcaktojnë politika ligjvënëse. Në këtë pikë, edhe procesi i integrimit në Europë do të ishte problematik, pasi në vend që ti çonim edhe ne Europës të mirat që kemi, i marrim asaj të këqijat që ajo ka dhe, sigurisht, diktatura e relativizmit etik dhe juridik, shprehje të të cilave janë edhe legalizimet e çifteve gay apo lesbike, është një nga këto të këqija. Kisha Katolike, si një subjekt që ka për detyrë edukimin e ndërgjegjeve, nuk mund të heqë dorë nga ngritja e zërit në mbrojtje të martesës, familjes dhe jetës që janë të lidhura ngushtë dhe pandashmërisht me dashurinë e frytshme ndërmjet një burri dhe një gruaje.
Ndërkohë që ne diskutojmë këtë çështje, për një koincidencë fatlume do të thosha, këto ditë, në Slloveni, me anë të një referendumi, u rrëzua ligji për familjen i aprovuar nga Parlamenti slloven në korrik të vitit të kaluar. Në këtë ligj ishte parashikuar edhe mundësia e martesës homoseksuale e gjithashtu mundësia për adoptimin e fëmijëve nga ana e çifteve homoseksuale, dhe kjo falë ndërhyrjes së fortë të komunitetit LGBT në këtë vend ballkanik. Rrëzimi i një ligji të tillë është më në fund një lajm i mirë në drejtim të angazhimit për familjen natyrore të themeluar mbi martesën ndërmjet një burri dhe një gruaje në një Europë që sa u përket këtyre çështjeve, këto vitet e fundit ka rrëshqitur në kahje mjaft liberale.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›