E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS ndryshon programin dhe organizimin, debatet

19/04/2010 Mazhoranca ka paralajmëruar manifestim ditën e parë të majit

Rama: 1 maji do të na gjejë në shesh duke protestuar

“Kjo është një betejë që i bën nder Partisë Socialiste dhe të gjitha forcave e njerëzve të bashkuar në mbrojtje të lirisë e dinjitetit njerëzor të çdo qytetari, që më 30 prill do ti japin jetë manifestimit të madh të protestës në bulevardin e Tiranës për çlirimin e zgjedhjeve, dhe 1 majin do ta gdhijnë si një ditë beteje qytetare për ndalimin e rrënimit ekonomik”. Ky ishte qëndrimi i deklaruar dje në kongresin e PS-së nga kreu i kësaj partie, Edi Rama, duke shfaqur në mënyrë të qartë se tashmë kampi rozë ka vetëm një drejtim për të ndjekur: vetëm protestat. Por ndërkohë që aksioni i PS-së, i miratuar dhe nga kongresi, do të ketë përballë dhe një tjetër organizim, por që kësaj radhe vjen nga kampi kundërshtar. Konkretisht, forcat kryesore në vend pritet të matin forcat e tyre, ku secila ka ideuar organizimin e mitingjeve në të njëjtën ditë, apo më saktë, kampi rozë do të nisë të protestojë që në datën 30, për të vijuar dhe në datën 1 maj. Njëkohësisht, gjatë mbledhjes që organizoi forumi më i lartë vendimmarrës i PS-së, nuk u kursyen kritikat si për kampin blu dhe drejtuesit e saj, ashtu dhe për ish-aleaten kryesore të socialistëve, LSI-në. Madje, në mënyrë të drejtpërdrejtë kritikat ndaj kësaj të fundit u dukën qartë në një dokumentar të përgatitur nga përfaqësues të PS-së për shkeljet dhe manipulimet në procesin zgjedhor të zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit. Në këtë dokumentar, autorët e tij kishin zgjedhur të veçonin qëndrimin e LSI-së dhe të kreut të saj përpara zgjedhjeve, ditën e zgjedhjeve, dhe pak ditë pas publikimit të rezultateve të zgjedhjeve. Kësisoj, gjatë këtyre publikimeve shfaqej qartë qëndrimi i dyzuar i kreut Meta ndaj kreut të mazhorancës, ku sot ai vetë është pjesë e saj. Megjithatë, akuzat dhe kritikat për të gjithë mazhorancën qeverisëse në përgjithësi ishin prezente në të gjitha fjalimet e mbajtura në këtë takim. Madje, vetë kreu Rama duke dashur të bindë të gjithë opinionin publik për rëndësinë që ka qëndrimi i PS-së përballë mazhorancës, u përpoq që tu japë shpjegime të gjitha mendimeve për aksionin politik të kësaj partie. “Atyre që thonë: Mos protestoni, se do na lini pa viza! ose: Mbyllni sytë përpara krimit elektoral dhe pranojeni pa kushte Parlamentin e Ruzhdies, që Evropa të na heqë vizat! u them se jo vetëm heqja e vizave nuk ka pikë lidhjeje me këto sajesa të pushtetit fajtor për të justifikuar dështimin e turpshëm të radhës, por edhe se pa protestuar, pa çliruar zgjedhjet, pa ndalur rrënimin ekonomik, ne nuk do të integrohemi dot kurrë në Evropë, sepse kurrë nuk do të kemi një shtet si në Evropë, një administratë si në Evropë, një polici si në Evropë, gjykata, shkolla e spitale si në Evropë, treg dhe ekonomi si në Evropë”, vlerësoi Rama. Gjithashtu, po në këtë linjë sqaruese, kreu i socialistëve deklaroi përpara delegatëve të kongresit se “ka cinikë që thonë se gjërat vërtet janë keq, po as rruga e protestës nuk është zgjidhje, por ka edhe dashamirës që thonë se sjemi kundër protestave, po duam ta kemi të qartë kur, ku dhe si përfundon rruga e protestës”. Sipas tij, cinikët janë ata që vetë jetojnë megjithatë mirë dhe nuk e ndiejnë dhimbjen e atyre që jetojnë keq, siç është pjesa tjetër, ndaj kur flasim u duket sikur bëjmë politikën e ditës e deklarimin e radhës.

Propozimet për ndryshimet në statut

Delegatët e qarkut Fier, Gjirokastër, Shkodër propozojnë që në nenin 13, pika 3 të riformulojnë duke parashikuar që për një qendër votimi të krijohet një organizatë socialiste. Grupi i punës mendon që partia nuk mund të kufizojë një organizatë socialiste në bazë të një qendre votimi, por për të reduktuar mundësitë e ngritjes fiktive të këtyre organizatave për qëllime elektorale, grupi i punës propozon që do të ketë një ndryshim të atij neni dhe të shkruhet që Asambleja e PS-së vendos për krijimin, ndarjen dhe shpërndarjen e organizatave socialiste, si dhe për lëvizjen e anëtarëve të partisë në përbërjen e saj. Modalitetet për krijimin, ndarjen dhe shpërndarjen e organizatave socialiste dhe lëvizjen e anëtarëve të partisë në përbërjen e saj, përcaktohen në rregulloren e Asamblesë Kombëtare të PS-së.

2. Delegatët e Bashkisë Tiranë, Vlorës, Fier, Korçë, Berat, janë shprehur për heqjen ose riformulimin e konceptit të koordinatorit të partisë për njësit vendore. Por grupi i punës konkludoi në arsyetimin se ky koncept duhet të mbetet se është shumë e nevojshme të mbetet, pasi ka pasur shumë probleme për lëvizjen e strukturave dhe kuadrove të partisë. Po ashtu, duke ndenjur me sugjerimin që ka ardhur nga delegatët, duke ndryshuar edhe mënyrën e përzgjedhjes së këtyre koordinatorëve riformulojmë këtë nen, duke theksuar kështu se “koordinator partie për çdo njësi vendore të caktuar nga kryetari i rrethit, në konsultim me kryetarët e partive e njësive vendore dhe me miratimin e kryesisë së PS-së”.

4. Delegatët e qarqeve Shkodër, Vlorë, Lezhë, propozojnë që të përcaktohet më saktë procedura e propozimit të kandidatëve për kryetar të PS-së në rreth. Dhe riformulimi propozohet të jetë kështu: “Kandidaturat për kryetarë të PS-së në rrethe propozohen nga asambletë e bashkive dhe të komunave dhe nga lista e kandidatëve të propozuar, kryesia e PSSH-së miraton kandidaturat për kryetar, që i paraqiten pastaj për votim mbledhjes së zgjeruar të Asamblesë”.

5. Delegatët e qarkut Fier, Korçë, Shkodër, Vlorë, Dibër, propozojnë që të specifikohet qenia e kryetarit të partisë të njësisë vendore si anëtar i Asamblesë socialiste të rretheve. Për këtë u mor parasysh duke u riformuluar.

6. Delegatët e qarkut Fier, Lezhë, Shkodër propozojnë që formulimi neni 18, pika c në draftin e paraqitur e zgjeron shumë përbërjen e asamblesë socialiste të rretheve dhe krijon pabarazi përfaqësimi. Prandaj grupi i punës, duke vlerësuar këtë propozim, bëri formulimin: “Anëtarët e asambleve socialiste janë vetëm kryetarët e grupeve të këshilltarëve socialistë të njësive vendore. Pra, duke u dhënë mundësi përfaqësimi të barabartë”.

7. Delegatët e qarkut Korçë, Elbasan propozojnë që neni 17, pika 10 dhe 11, për të drejtat e kryetarit të partisë së njësive vendore për përcaktimin e komisionerëve qoftë për zgjedhjet politike, qoftë për zgjedhjet brenda partisë, do të duhet të mos jenë drejtpërdrejt atribut i kryetarit. Grupi i punës, duke u bazuar në dy ligjet, e sheh të udhës që këto dy pika të bien.

8. Delegatët e qarkut Fier propozojnë që neni 7 dhe 27, pika 4 dhe 8 për detyrat e Asamblesë Kombëtare, të bëhet ndryshimi që kryetari i partisë të ketë të drejtë të propozojë deri në 1/3 e kandidaturave më shumë se numri i anëtarëve të kryesisë të miratuara nga asambleja Kombëtare. Po kështu, kryetari i partisë të ketë të drejtën për të propozuar 1/3 e kandidaturave më shumë sekretarë të PS-së.

Grupi i punës vendosi formulimin:

Pika 4: Asambleja Kombëtare e PS-së zgjedh kryesinë e PSSH-së. Numri i anëtarëve të kryesisë miratohet nga Asambleja Kombëtare, me propozim të kryetarit të PS-së. Kryetari i PS-së propozon deri në 1/3 e kandidaturave më shumë se numri i miratuar për anëtar kryesie. Asambleja Kombëtare e PSSH-së ka të drejtën e propozimit të kandidaturave shtesë për anëtar të kryesisë, çdo kandidaturë shtesë mbi listën e propozuar për anëtar të kryesisë së PSSH-së nga Asambleja Kombëtare duhet të ketë një mbështetje të 10 % të anëtarëve të Asamblesë.

Pika 5: Asambleja Kombëtare e PSSH-së, me propozim të kryetarit të partisë miraton numrin e sekretariatit. Kryetari i paraqet Asamblesë Kombëtare kandidaturat për sekretar të PSSH-së për secilin post nga përbërja e kryesisë së PSSH-së. Asambleja Kombëtare ka të drejtë të propozojë kandidatura alternative për pozicione të veçanta për sekretar.

Zgjedhjet lokale, shfaqen mendimet ndryshe brenda PS

Blushi: Kutitë i hapim vetëm përmes garës së ardhshme

“Armët tona janë bashkimi i së majtës. Duam një parti të majtë dhe jo të djathtë”

Oli Xhilaga

Zgjedhjet lokale sjellin përplasjen e radhës mes socialistëve. Deputeti i PS-së, përfaqësues i mendimit ndryshe brenda kësaj partie, Ben Blushi, kërkoi bashkimin e socialistëve, pasi vetëm në këtë mënyrë mund të sigurohet fitorja. Një kërkesë e tillë u bë e ditur dje në kongresin e PS-së. Por nga ana tjetër, mesazhi i njërit prej kundërshtarëve të kryetarit socialist Edi Rama, konsistonte pikërisht në një apel të qartë për lidershipin e PS-së. “Kutitë nuk hapen me rrugë procedurale në një shtet që procedurën e përdor vetëm për të mbrojtur Sali Berishën nga korrupsioni, por kutitë mund të hapen vetëm me rrugë politike: populli mund të fusë duart në kuti vetëm duke votuar. Para nesh janë zgjedhjet lokale. Është një mundësi e madhe për tu dëshmuar të gjithëve se më 28 qershor ne ishim shumicë në Shqipëri”, vlerësoi Blushi gjatë fjalës së tij, mbajtur përpara delegatëve të forumit më të lartë vendimmarrës të PS-së. Sipas tij, ky kongres duhet të fillojë të mendojë për zgjedhjet që po afrojnë, sepse fitorja e zgjedhjeve lokale do të çojë vendin në zgjedhje të parakohshme. “Jam kundër të gjithë atyre që e vënë në diskutim pjesëmarrjen në zgjedhjet lokale. Armët për ta mundur Sali Berishën janë në këtë sallë dhe e majta këto armë i ka çdo ditë, por duhet ti përdorë ato me efikasitet dhe jo kundër vetes. Armët tona janë bashkimi i së majtës, lufta kundër varfërisë dhe korrupsionit, dhe natyrisht bindja se fitorja e Partisë Socialiste nuk është një fitore personale, por e përbashkët”, u shpreh Blushi, duke dhënë në këtë mënyrë propozimet e qarta për zgjidhjen e ngërçit politik. Në gjykimin e tij, “të gjithë ne duam një parti të majtë dhe jo të djathtë, të gjithë ne duam një parti të bashkuar dhe jo të përçarë. Besoj se të gjithë jemi për rrugë parlamentare dhe jo për bojkot, të gjithë jemi për protesta dhe jo për kryengritje, të gjithë duam të fitojmë dhe vetëm të fitojmë. Nëse jemi bashkë, fitorja është e sigurt dhe pa dyshim është shumë afër”.

Duartrokitjet

Punimet e kongresit i deklaroi të hapura deputetja e PS-së, Arta Dade, ajo e cila moderoi të gjithë takimin. Pas këtij momenti, ajo i dha fjalën kreut Rama, i cili u prit dhe u shoqërua me duartrokitje përgjatë gjithë fjalës së tij. Në të njëjtin entuziazëm kryetari i PS-së mbylli fjalimin, ku të gjithë delegatët u ngritën më këmbë duke brohoritur për të, me përjashtim të deputetit Ben Blushi.

Arben Malaj

“Alternativa jonë e ravijëzuar në rezolutën e aprovuar të Asamblesë sonë të 16 dhjetorit është më publike se kurrë, më e qartë dhe e drejtë për vendin, si dhe parakusht i fitores sonë elektorale. Ja pse solidariteti ynë, argumenti dhe lufta e mençur politike përkundrejt demagogjisë, hipokrizisë, por dhe protestat, i shërbejnë sensibilizimit për situatën e krijuar nga papërgjegjshmëria dhe zgjidhjet që ofrojmë ne si opozitë”. Kështu u shpreh deputeti i PS-së, Arben Malaj, gjatë fjalës së tij mbajtur në kongres, duke dhënë në këtë mënyrë arsyet se përse PS-ja është më e fortë se kundërshtari i saj, njëkohësisht duke argumentuar faktin se PS-ja në zgjedhjet lokale është fituese. “E domosdoshme për ne dhe për Shqipërinë në këtë moment është ndalimi i keqqeverisjes së vendit nga mazhoranca aktuale”, vlerësoi ai.

Marko Bello

“Ne kërkonim edhe fraksione, oponencë kolektive, gjë që nuk është pranuar. Me sa duket PS-ja ose shumica e saj nuk e sheh të arsyeshme. Fryma mbizotëruese është për të lejuar mendimin ndryshe, por jo veprimin ndryshe në PS. Propozimet janë të njohura. Ato janë depozituar. Janë shprehur edhe më parë”, nënvizoi përfaqësuesi i mendimit ndryshe në PS, Marko Bello. Njëkohësisht, Bello dha dhe pozicionin e tij brenda partisë së cilës i takon. “Po ndjek me vëmendje lëvizjet në PS, pasi këtu do të duket nëse zoti Rama do ta bashkojë apo do ta përçajë partinë. Unë uroj që zoti Rama të reflektojë dhe të krijojë një frymëmarrje për të gjithë zërat ndryshe brenda partisë, sepse në rast se do të veprohet me gjueti shtrigash për të eliminuar ata që mendojnë ndryshe, kjo do ta rrudhë PS-në”, vlerësoi Bello lidhur me këtë çështje.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›