E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS ne Kuvend hedh syte nga Guvernatori dhe KLSH

06/09/2011  Kreu socialist zbardh axhendën parlamentare të PS-së, shigjeton drejtuesit e institucioneve

“S’do të kushtëzojmë bashkëpunimin me ndryshimet në Kushtetutë. Konsensusi brenda ligjit”

Partia Socialiste zbardh axhendën e saj parlamentare, ku grupi kuvendor socialist do të ketë peshën kryesore në zëdhënien e të gjitha problemeve të opinionit publik. Një fakt i tillë u bë dje i ditur nga kryetari i PS-së Edi Rama në mbledhjen e parë për sesionin e ri parlamentar të grupit parlamentar të kësaj force politike. Por gjatë kësaj fjale nuk kanë munguar akuzat jo vetëm për kreun e mazhorancës, por dhe për drejtuesit e institucioneve të pavarura, siç janë ai i guvernatorit, KLSH-së, Avokatit të Popullit. Kështu, në fjalën e tij në fillim të këtij takimi kreu socialist bëri një paraqitje të detajuar të të gjithë aktivitetit parlamentar që do të ndjekë grupi kuvendor i PS-së nga muaji shtator deri në fund të këtij viti. “Kjo është një kohë e ngarkuar me probleme të rënda për gjithë njerëzit e zakonshëm të këtij vendi, e cila na ngarkon me barrën e zëdhënies së fortë të halleve e shpresave të tyre. Ne do ta bëjmë këtë edhe në respekt të paktit qytetar që kemi nënshkruar solemnisht para popullit në prag të zgjedhjeve të 8 majit. Të gjitha pikat e atij pakti grupi parlamentar do t’i zbërthejë në nisma ligjore, interpelanca e mocione për debat”, - vuri në dukje Rama gjatë fjalës së tij në mbledhjen e grupit parlamentar të PS-së. Por ndërkohë, duke iu referuar po kësaj axhende parlamentare, Rama u ndal dhe në një sërë çështjesh. Në një listim të tyre kryetari i PS-së fillimisht dha qëndrimin e forcës së drejtuar prej tij për ndryshimet kushtetuese, duke kaluar më pas te pozicioni i grupit parlamentar socialist përballë ligjeve që kërkojnë një shumicë të cilësuar në Kuvend. “Kushtetuta s’ndërrohet me pahir dhe ne s’ia lidhim duart vetes duke kushtëzuar aksionin tonë politik me ndryshimet e nevojshme në kushtetutë. Populli le të dëgjojë, të shohë dhe të gjykojë se kush kërkon të bëjë shtet për të gjithë e kush synon ta bëjë shtetin vegël sundimi mbi të gjithë”, - bëri me dije Rama sa i takon një çështje të tillë. Ndërkohë, duke vijuar më tej, kreu socialist sqaroi se “do të japim votën për ligjet që kërkojnë 3/5 vetëm kur procesi shtetndërtues përmes këtyre ligjeve të vihet në binarët që kërkon një vizion kombëtar e jo partiak për funksionimin e shtetit dhe kur i gjithë procesi ligjvënës në tërësi të jetë në shërbim të forcimit të kushtetutshmërisë e të modernizimit real të shtetit”. Njëkohësisht Rama kërkoi hartimin e një rregulloreje të re për Kuvendin.

Për guvernatorin

“Është koha kushtetuese e ndërrimit të guvernatorit, i cili është kthyer në mashë e Saliut për të çuar përpara politikën e tij shkatërruese për financat e shtetit”, - u shpreh Rama lidhur me votimin e emrit të ri për këtë post.

Për kryetarin e KLSH-së

“Është koha e ndërrimit të kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit, të cilin Saliu kërkon ta kthejë në mashë për të mbuluar zullumet e pafundme të të gjitha ministrive e agjencive shtetërore, të vëna nën regjimin e korrupsionit.”

Për Avokatin e Popullit

“Është koha e ndërrimit të Avokatit të Popullit, të cilin Saliu ia ka ofruar opozitës për t’i hedhur hi syve komunitetit ndërkombëtar, duke qenë se në gjithë këto vite e ka provuar se për të ai institucion nuk ekziston.”

Kritikët e Ramës pjesë e mbledhjes së grupit parlamentar të PS-së

Ishin Malaj, Bello Harasani, mungonte Blushi e Islami

Takimi i grupit parlamentar të Partisë Socialiste solli rishfaqjen në ambientet e selisë rozë dhe të deputetëve të deklaruar si kundërshtarë të linjës zyrtare të kësaj partie. Gjatë ditës së djeshme ishte thirrur mbledhja e parë për sesionin e ri parlamentar, duke ritakuar mes tyre kolegë socialistë të njohur si mbështetës dhe kritikë të kryetarit të PS-së. Ndërkohë që prej muajsh një forum i tillë nuk zhvillonte asnjë takim, konkretisht që prej mesit të muajit maj, takim në të cilin u vendos rikthimi i bojkotit të Kuvendit nga grupi parlamentar të PS-së. Kjo për shkak se kjo forcë parlamentare, e bindur në shkeljet dhe manipulimet që po i bëhej nga mazhoranca qeverisëse procesit zgjedhor të zgjedhjeve lokale të 8 majit, zgjodhi që veç të tjerave të përfshinte në oponencën e saj ndaj kësaj shumice në pushtet dhe bojkotin e institucionit të Kuvendit. Por rikthyer te mbledhja e djeshme e grupit kuvendor të PS-së, u panë që të mblidheshin në selinë e kësaj partie pothuajse të gjithë deputetët pjesë e këtij grupimi. Por të binte në sy se pjesë e mbledhjes ishin dhe deputetët Andis Harasani, Marko Bello e Arben Malaj. Madje këta deputetë jo vetëm që u panë të vinin bashkë, por të shoqëruar dhe me deputetët Artan Gaçe dhe Damian Gjiknuri. Megjithatë, edhe pse pjesë e takimit, diskutimet me dyer të mbyllura me sa duket nuk ishin pjesë e axhendës në këtë mbledhje, duke mos lënë kështu hapësirë për shfaqjen e ndonjë pakënaqësie. Ndërkohë deputeti Kastriot Islami nuk ishte pjesë e këtij takimi për shkak të impenjimeve në Gjermani. Por një tjetër mungesë ishte ajo e deputetit Ben Blushi, i cili prej kohësh nuk është parë të jetë pjesë e forumeve të kësaj partie.

Qëndrimi

“Do të marrim pjesë edhe në çdo proces votimi për të mbajtur jo vetëm me fjalë, po dhe me votë qëndrimet tona në koherencë të plotë me programin e partisë dhe vendimmarrjen e grupit. Duke u uruar të gjithë deputetëve punë të mbarë, jam i bindur se grupi ynë parlamentar do të jetë zëdhënësi i fuqishëm i Shqipërisë dhe i shqiptarëve, që kërkojnë rrugëdalje nga llumi ku po e zhyt përditë vendin keqqeverisja dhe kapja e shtetit për interesat e pushtetit të Saliut. Shqipëria po i afrohet një tjetër dështimi të rëndë pas atij të afro një viti më parë, kur u refuzua nga Bashkimi Europian kërkesa për statusin e kandidatit.”

Zgjedhjet

“Jemi të bindur për drejtësinë e gjykimit të arbitrit ndërkombëtar, misionit të ODHIR-it, se siç ka identifikuar problematikën e rëndë të zgjedhjeve në Shqipëri, ka dhënë rekomandime të domosdoshme për mbylljen e çdo shtegu abuzimi me ligjin nga ana e pushtetit makut. Prandaj paralelisht me punën e Partisë Socialiste e të opozitës në mbarë territorin e vendit për të forcuar rrjetin e komunikimit me qytetarët e të mbrojtjes popullore të procesit zgjedhor, ne do të bëjmë çdo përpjekje që reforma e Kodit Zgjedhor të garantojë një votim të lirë e të ndershëm dhe një administratë zgjedhore të pakontrolluar nga Saliu.”

Akuza

“E dimë mirë se Saliu s’do dhe të gjithë besoj e kanë kuptuar nën dritën e tmerreve të publikuara gjithë këto ditë se pse nuk do. Për të institucioni i Presidentit të Republikës është streha për t’i ikur drejtësisë bashkë me gjithë mëkatarët e oborrit të tij familjar e klanor, arma për të marrë peng me maskën e presidentit edhe prokurorinë, edhe Shërbimin Informativ, sepse gjykatat tashmë i ka lidhur duarsh e këmbësh në një cep të atij oborri. Ndaj ne nuk do të mjaftohemi vetëm me vënien e gishtit në plagët e panumërta të vendit, por do të bëhemi nismëtarë aktivë të hapave që Kuvendi duhet të ndërmarrë për t’i lehtësuar ato plagë.”

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›