E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS ne parlament. nisin replikat dhe akuzat

06/09/2011  Kuvendi çel sesionin e ri parlamentar. Replika mes Berishës dhe Ruçit

Integrimi, PS kushte për bashkëpunimin

Shija e ëmbël që lanë këto ditë deklaratat e dy partive kryesoren në vend, duke nënkuptuar arritjen e një bashkëpunimi mes tyre për reformat për integrimin e vendit, u zhduk shumë shpejt. Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, kërkoi bashkëpunimin e opozitës për të çuar përpara këto reforma, por e deklarua prerazi se nuk do të ketë asnjë pazar me opozitën. Po ashtu nga ana e saj PS-ja përmes kryetarit të grupit parlamentar të saj Gramoz Ruçi, ripërsëriti kërkesën e saj për dhënien e konsensusit për reformat, duke nisur me atë zgjedhore, pa kryeministër Sali Berishën dhe pa kryetar të KQZ-së Arben Ristanin. Në këtë mënyrë Kuvendi i Shqipërisë nisi dje sesionin e ri parlamentar me prezencën e opozitës, pas disa muajve bojkot dhe atë të ambasadorit të SHBA-ve në vendin tonë Aleksandër Arvizu si dhe ambasadorë të tjerë të BE-së të akredituar në Tiranë.

Akuzat

Njësoj i ashpër si të gjitha fjalimet që ka mbajtur këta dy vjet në parlament ishte numri një i parlamentarëve socialistë G. Ruçi. Ai akuzoi si përgjegjës kryesorë, por dhe fajtorë të hapave mbrapa që Shqipëria ka shënuar në kuadër të procesit të integrimit vetëm mazhorancën qeverisëse e në mënyrë të veçantë kryeministrin Berisha. “Jemi përgjegjës njësoj, por jo fajtorë njëlloj dhe ky është Berisha së bashku me ata që e kanë ndihmuar të bëjë masakrën, të vrasë demokracinë. Zoti kryeministër, vendi ynë po bën hapa prapa. Për fajin tuaj rrezikojmë të mbetemi jashtë dyerve të BÉ-së, sepse ju doni të vidhni. Prova më e fundit ishin zgjedhjet vendore të këtij viti. Provë për çmimin e rëndë të së ardhmes së tij. Në vitin 2009 zgjedhjet u manipuluan po nga ky kryeministër. Opozita kërkoi garanci, por kryeministri hezitoi. Berisha mbylli zgjedhjet e 2009-s për të sajuar manipulimin e 2011-s. Qeverisja juaj zoti Kryeministër është e denjë të quhet diktaturë”, - theksoi Ruçi në fjalën e tij. Lidhur me zgjedhjet ai shprehu bindjen se opozita dhe lideri i saj bënë gjithçka në përputhje me standardet e botës. Referuar ftesës për të reformuar kodin, numri një i parlamentarëve të PS-së tha se reforma zgjedhore duhet të hartohet duke mbajtur larg duart e manipulimit të pushtetit. “KQZ-së duhet ti kthejmë legjitimitetin. Me Ristanë, Sashenka dhe Tomka nuk mund të ketë zgjedhje në Shqipëri”, - deklaroi ai. “Ne, - përfundoi Ruçi, - jemi pro reformave, por ato nuk mund të bëhen me ju kryeministër në krye.”

Ftesa

Eksponentë të lartë të mazhorancës këmbëngulën në ftesën e tyre drejtuar opozitës për të votuar së bashku të gjitha ligjet që kërkojnë votën e deputetëve të saj. Madje, kryeministri kërkoi që Kuvendi qysh javën që vjen të votojë ligjin për heqjen e imunitetit. Edhe kryeparlamentarja i ftoi kundërshtarët e saj politikë të marrin përsipër përgjegjësitë që kanë për të votuar ligjet dhe çuar përpara reformat. Por, siç tha ajo në fjalën e saj përshëndetëse, kjo është detyrim dhe për këtë mazhoranca nuk do të pranojë asnjë pazar. “Fjalët duhet të kthehen në vepra. Votimi për 12 rekomandimet është detyrë ndaj vendit. Dhe kjo nuk pranon as kushte, as pazare. Ne jemi ligjbërës, ne kemi detyrë për të miratuar ligjet, mes të cilave reforma zgjedhore. 12 rekomandimet e Brukselit janë të parat. Të gjithë ne jemi betuar para Kushtetutës për të punuar në të mirë të kombit, në drejtim të interesave publike dhe për integrimin e vendit. Tani të përveshim mëngët që të fitojmë kohën e humbur”, - tha Topalli. Në mbyllje në Kuvend u miratuan punimet e kalendarit tre javor si dhe u betua deputeti më i ri i tij, Ramiz Çoba.

Heshtja e kryeministrit

Kryeministri Sali Berisha zgjodhi të mos reagojë ndaj lumit të akuzave që Ruçi adresoi ndaj tij në seancën e djeshme Kuvendit. Fjalimin e kryetarit të grupit parlamentar të PS-së Gramoz Ruçi kreu i qeverisë e cilësoi vajtim. “Duke dëgjuar folësin, fillimisht mendova se po lexon manifestin antikapitalist të radhës, por gabova. Ky ishte vajtim i një disfate të merituar. Vajet dhe vajtimet janë të vetmet që nuk komentohen, prandaj unë u uroj mirëseardhjen në punë atyre si dhe punë të mbarë Kuvendit në këtë fillim sesioni”, - tha Berisha në fjalën e tij. Më herët Ruçi e akuzoi Berishën për hajdut të zgjedhjeve dhe vrasës të qytetarëve shqiptarë.

Replika e Patozit

Kryetari i grupit parlamentar i PD-së Astrit Patozi fajësoi opozitën për reformat e munguara në këta dy vjet, ndryshe nga mazhoranca, e cila është shprehur vazhdimisht e gatshme për të bashkëpunuar me të. “Kjo maxhorancë nuk mund të fajësohet për vullnetin e munguar gjatë këtyre dy vjetve. Porta mbetet e hapur, aq më tepër për një çështje me kaq interes për opozitën siç është reforma zgjedhore”, - tha Patozi. Ai ironizoi qëndrimet e liderit të PS-së Edi Rama së fundi edhe për të ndryshuar Kushtetutën. “Kushtetuta nuk është tabu, por as bllok faturash klubesh apo hotelesh, që hidhet pasi përfundon sezoni”, - vijoi ai.

Kryeministri i bën ftesë opozitës për reformën zgjedhore dhe ligjet e integrimit

“Urojmë që ta shfrytëzojë pushtetin jo për të bllokuar”

Kryeministri Sali Berisha garantoi dje se mazhoranca parlamentare që ai kryeson do të bëjë gjithçka është në dorë të saj për të përshpejtuar procesin e integrimit të vendit në Bashkimin Evropian. Referuar opozitës si aktor i rëndësishëm në miratimin e reformave që synojnë integrimin, shefi i qeverisë shprehu gjithashtu gatishmërinë të vlerësojë të gjitha propozimet e opozitës në respekt të ligjeve dhe të Kushtetutës së vendit. Shefi i ekzekutivit gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të Partisë Demokratike për këtë sesion të ri parlamentar tha se vendin e presin një sërë reformash të mëdha dhe të gjithanshme. Ai prezantoi disa nga drejtimet më kryesore të punës së dy vjetve të ardhshme të qeverisë së tij, duke shprehur besim të madh në vendosmërinë e deputetëve të pranishëm që reformat e një rëndësie jetike të bëhen realitet për shqiptarët.

Ftesa

“Ftoj opozitën të japë të gjithë kontributin e saj dhe e garantoj se zëri, ekspertiza mendimi i saj do të dëgjohen me seriozitetin më të madh”, - kjo ka qenë ftesa e hapur që kryeministri Berisha u ka bërë kundërshtarëve të tij politikë për realizimin e reformave që e pret vendin tonë. Por më parë ai garantoi për përkushtimin e mazhorancës që qeveris. “Ne do të bëjmë gjithçka për të plotësuar çdo gjë që është në dorë të kësaj mazhorance, për të përshpejtuar procesin e integrimit të vendit në Bashkimin Evropian. Asnjë pengesë, asnjë vështirësi dhe asgjë nuk mund të lëkundë përpjekjen, përkushtimin dhe besimin tonë në projektin e integrimit të vendit në Bashkimin Evropian. Nuk është proces i thjeshtë, por është plotësisht i mundshëm”, - theksoi lideri i qeverisë në fjalën e tij.

Për Ramën

Por gjithsesi kryeministri nuk ka lënë pa sulmuar dhe politikën e dy vjetve të shkuar të liderit socialist Edi Rama. Sipas tij, reformat e integrimit u bllokuan me qëllim që vendi të dëmtohej. “Janë një sërë reformash politike të kërkuara, të cilat tashmë janë familjare, por që u bllokuan. Ato u bllokuan vetëm e vetëm që vendi të dëmtohej, u bllokuan vetëm e vetëm se u përdor fuqia e votës, pushteti i dhënë nga sovrani u përdor jo për të votuar, por për të bllokuar; u bllokuan sepse u përdor parimi: e keqja e vendit, e mira ime. Sidoqoftë, duket se opozita po kalon nga rruga e vetmisë në rrugën normale. Duket se po braktis rrugën e vetmisë. E uroj këtë, nuk e di, por të paktën disa deklarata paraprake janë. Urojmë që ajo të marrë përgjegjësitë e saj për ta përdorur pushtetin jo për të bllokuar, por për të votuar. Urojmë që rruga e vetmisë apo rruga pa krye, apo rruga e rënies së murit me kokë, të braktiset përfundimisht. Ne jemi të gatshëm që në frymë dhe në respekt të plotë të ligjeve dhe të Kushtetutës së vendit, të frymës së reformave që ne ndërmarrim, të vlerësojmë me seriozitetin më të madh kontributin e saj, propozimin e saj, angazhimin e saj, duke bërë gjithçka për një respekt të plotë dhe rigoroz të çdo hapësire që i takon opozitës në një vend të lirë”, - tha Berisha.

Reforma zgjedhore

“Reforma zgjedhore, ligji aktual i vendit sipas ekspertizës së Komisionit të Venecies dhe OSBE–ODIHR-it është bazë solide ligjore për zgjedhje demokratike, por kjo nuk do të thotë se nuk ka vend për përmirësime. Dëshmi e kësaj janë rekomandimet e dy zgjedhjeve të fundit. Edhe një herë do të garantoj opozitën se mazhoranca është tërësisht e gatshme që secilin nga ato rekomandime, pa përjashtim, bashkërisht ti shndërrojmë në ligje dhe vendime të lidhura me to, ti adresojmë ato në interesin më të mirë të Kodit Elektoral, i cili është kodi më konsensual në historinë e vendit. Uroj që opozita, në interesin e saj, të angazhohet në këtë proces.

Imuniteti

“Uroj që opozita, si një dëshmi e braktisjes së rrugës së vetmisë, të votojë në Parlament, të kërkojë që të futet me urgjencë në rendin e ditës ligji për heqjen e imunitetit. Ligj ky i cili ka ekspertizën e Komisionit të Venecies, ligj i cili ka bekimin e Komisionit të Venecies, ligj i cili përbën një dëshmi të vullnetit të qartë të çdo deputeti për ti dhënë përgjigje korrupsionit. Është mirë të shkëputesh, sado të dhimbshme të jenë disa probleme, të mos mbetesh opozitë e vetme në botë që nuk voton për heqjen e imunitetit. Uroj që kalimi nga rruga e vetmisë në rrugën normale të ketë bindur deputetët e opozitës për ta votuar këtë ligj. Një Shqipëri pa imunitarë do të jetë një arritje e madhe për çdo taksapagues të këtij vendi.

Haxhinasto: Ligji për censusin në përputhje me standardet Evropiane

Kryediplomati shqiptar Edmond Haxhinasto ka e vlerësuar ligjin për regjistrimin e popullsisë të hartuar në përputhje me standardet më të larta ndërkombëtare dhe me zero tentativë për manipulim. Gjatë një deklaratë për mediet së bashku me delegacionin e Këshillit të Europës për të drejtat e minoriteteve, Haxhinasto ka theksuar se censusi është një domosdoshmëri, që do të bëhet në përputhje me ligjin e miratuar. "Ligji për censusin është bërë në përputhje të plotë me standardet më të larta ndërkombëtare dhe sigurisht janë të gjithë mekanizmat për të bërë të mundur që të evitohet çdo lloj manipulimi apo çdo lloj keqraportimi për sa i takon asaj që thanë zonjat e nderuara, pra së drejtës së përfaqësuesve të etnive të caktuara për të deklaruar ose jo etninë së cilës i përkojnë. Pra, hapësira për manipulim është thuajse zero", - tha ministri i Jashtëm.

Të njëjtin mendim ka ndarë edhe përfaqësuesja e delegacionit të Këshillit të Europës, sipas të cilës secili ka të drejtë të identifikohet me anë të kombësisë që ai deklarohet. Sipas saj, regjistrimi i popullsisë do të realizohet për efekt statistikor. "Ky është një census që do të zhvillohet për arsye statistikore, por besoj se secili ka të drejtën që të identifikohet me minoritetin, me kombësinë që ka. Nëse dikush dëshiron që të shprehë për një kombësi a për një tjetër, është e drejta e tyre themelore, gjë që është e parashikuar edhe në Konventë, që të shprehet lirshëm në lidhje me këtë përkatësi", - tha e dërguara e Këshillit të Europës Barbara Uilson.

Deputetët austriakë në Shkodër

Shqipëria tashmë është në Evropë

Shqipëria është në rrugën e mbarë të integrimit evropian, kjo për faktin se qeveria Shqiptare ka bërë ndryshime të mëdha këto vitet fundit", - ky ishte vlerësimi i deputetit të parlamentit austriak Verner Amon, i cili kryesoi delegacionin prej 10 deputetësh dje në një vizitë në qytetin e Shkodrës. Ai shtoi se gjatë takimeve që do të ketë me deputetë shqiptarë, do ti inkurajojë ata në punën drejt integrimit në Evropën e Bashkuar si dhe vlerësoi se çdokush që mendon se Shqipëria është jashtë Evropës e ka gabim. "Shqipëria është në Evropë, madje fuqishëm", - tha Verner Amon, kryetar i delegacionit të deputetëve austriakë. Në lidhje me qëndrimet e opozitës deputeti austriak i Partive Popullore vlerësoi se në çdo demokraci të konsoliduar në botë divergjencat dhe dallimet janë, por në të gjitha këto demokraci mbizotëron kompromisi në të mirë të vendit, gjë që duhet ta kenë parasysh deputetët në nisje të këtij sesioni parlamentar.

Greva e Bulqizës

Nikolla: Parlamenti të marrë në shqyrtim kërkesat tona

Minatorët e Bulqizës do të vazhdojnë grevën deri në zbatimin e kërkesave të tyre. Ata nëpërmjet sindikalistëve i kërkojnë parlamentit shqiptar të marrë në shqyrtim kërkesat e tyre dhe të ngrejë një grup hetimor apo të përdorë forma të tjera për zbatimin e ligjit. "Minatorët presin sot përgjigje nga parlamenti shqiptar. Ata janë të bindur se kjo odise ka filluar në parlament në vitin 2001 dhe tashmë vetëm parlamenti mund të kontrollojë zbatueshmërinë ligjore, mundësisht me një komision hetimor parlamentar ose me forma të tjera që ai e shikon të arsyeshme. Sido që të shkojë puna, minatorët, ashtu siç e kanë filluar grevën në përputhje të plotë me ligjin, po me mënyrë ligjore do ta vazhdojnë dhe do ta mbyllin me ligj kur të plotësohen kërkesat e tyre të ligjshme", - tha Kolë Nikolla, kryetar i konfederatës së sindikatës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›