Ristani: Kutitë hapen kur të djegim fletët
Shkaku i vetëm i hapjes së kutive të votimit është djegia e fletëve të votimit dhe jo rinumërimi i tyre. Kështu ka deklaruar kreu i KQZ-së, Arben Ristani, gjatë një interviste dhënë në TV Alsat. Sipas tij, destinacioni i vetëm ligjor i fletëve të votimit të 28 qershorit nëse kutitë hapen, është djegia e tyre. “Fletët e votimit nuk janë një dokument zyrtar që mbahen nga institucioni jonë mbi bazën e këtyre rregullave, nuk janë dokumente që futen në arkiv dhe mbahen në arkivin e KQZ. Ato në këtë moment që flasim duhet të ishin hi, pra, duhet të ishin të asgjësuara. I vetmi veprim në bazë të ligjit që ne mund të bëjmë është se në rast se hapen kutitë, patjetër do t’i djegim se kështu thotë ligji. Për mendimin tim debati për hapjen e kutive është i kotë, sepse i vetmi destinacion ligjor i këtyre fletëve të votimit, është të bëhen hi”, deklaron Ristani. Për këtë arsye, kryekomisioneri shton se ka marrë përgjigje negative, edhe kërkesa e kreut të G99 që t’i vihen në dispozicion fotokopjet e fletëve të votimit. Ai thotë se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mund t’i djegë fletët e votimit në çdo moment, por nuk e ka bërë këtë për të mos tensionuar më tej situatën. “Kur neve mund ta kishim bërë këtë punë, ndërkohë kishte nisur debati politik rreth këtij problemi. Dhe figurativisht, për të mos i hedhur benzinë zjarrit, menduam që palët do të binden që kërkesa e tyre është e paligjshme dhe në një kohë të qetë ne mund të fillonim këtë lloj veprimtarie. Ky debat për këtë çështje nuk do të bëhej nëse do ishin djegur më parë, po jam i bindur që debati nuk e ka këtu problematikën, do të ishte gjetur ndonjë problem tjetër”, vijoi Ristani. “Neni i debatueshëm, i Kodit Zgjedhor që i njeh të drejtën dy anëtarëve të KQZ-së të kërkojnë rinumërim votash, trajtohet politikisht”, thotë Ristani. Sipas tij, ligji është mjaft i qartë, kërkohet rinumërim kur ka vota që janë kontestuar gjatë procesit të numërimit. Kodi Zgjedhor parashikon që pas mbarimit të zgjedhjeve dhe shpalljes së rezultatit përfundimtar, KQZ-ja duhet të marrë masa për asgjësimin e tyre. Materialet zgjedhore, përveç fletëve të votimit, dërgohen në Arkivin e Shtetit. Ndërsa fletët e votimit digjen sipas një procedure të posaçme të përcaktuar nga ana e KQZ-së. Një komision i posaçëm merret me këtë procedurë. KQZ-ja s’ka një afat për ndjekjen e fletëve të votimit, por ajo mund ta ndërmarrë një veprim të tillë në çdo kohë. Debatet politike ndikuan që KQZ-ja të bllokojë një proces të tillë, duke lënë pezull asgjësimin e fletëve të votimit. Vetë kreu i PS-së, Edi Rama i pati bëri thirrje kreut të KQZ-së të mos ndërmerrte një vendim për djegien e kutive të votimit, për sa kohë opozita ka kërkuar hapjen e kutive dhe rinumërimin e fletëve të votimit.
Neni 178
Ruajtja e dokumentacionit
Dokumentet origjinale, të parashikuara në pikën 3 të këtij neni, i dërgohen KQZ-së brenda 3 muajve nga shpallja e rezultateve të zgjedhjeve. KQZ-ja mban një kopje dhe ia dërgon dokumentet origjinale Arkivit Qendror të Shtetit, në mënyrën e kërkuar prej tij dhe brenda 24 muajve pas shpalljes së rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve.
Menjëherë pas shpalljes së rezultateve nga KZAZ-ja, komisioni i dërgon KQZ-së, në mënyrën e caktuar prej saj, të gjitha kutitë e vulosura të votimit me procesverbalet e votimit, vulën e komisionit, fletët e votimit të përdorura në zgjedhje, si edhe fletët e votimit të papërdorura.
Me marrjen e kutive të votimit dhe fletëve të votimit të papërdorura dhe pas përfundimit të afatit për ankimet, sipas këtij Kodi, KQZ-ja hap të gjitha kutitë e votimit, nxjerr procesverbalet e votimit, si dhe tabelat dhe procesverbalin e numrit të fletëve të votimit dhe ia dërgon ato Arkivit Qendror të Shtetit në mënyrën e caktuar prej tij. Të gjitha fletët e votimit dhe kundërfletët digjen nën mbikëqyrjen e KQZ-së.