E Shtunë, 31 Tetor 2026

Radikali i vetmuar dhe i panevojshëm

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka mundësi të dështojë në qëllimin e tij për të mbajtur jashtë Parlamentit deputetët e kësaj partie. I ndodhur përpara argumenteve të pamjaftueshme, për të ndërmarrë një nismë të tillë radikale, ai në vend që të forcojë pozitat brenda PS-së, përmes reagimit të ashpër ndaj qeverisë së re, ka rrezik të dobësojë më shumë ato, tashmë jo vetëm në raport me politikën shqiptare, por edhe në raport me ndërkombëtarët.

Zgjedhja e linjës radikale prej Edi Ramës ka ardhur për shkak se atij i duhej një arsye për të motivuar qëndrimin e tij në krye të PS-së. Rama nuk kishte arsye statutore të qëndronte në krye të saj. Ai ka shkelur me dy këmbë statutin e partisë së ndërtuar po prej tij, duke anashkaluar një rregullator të fortë të garës dhe objektivizmit brenda një partie politike. Po ashtu, ai nuk kishte dhe as ka një program të qartë politik dhe as një ideologji “lokale” për të mbajtur gjallë liderin. Të gjitha tezat e tij ideologjike janë djegur me humbjen në zgjedhjet e përgjithshme, dhe asnjë prej artikulimeve të tij nuk ka një ngarkesë të mjaftueshme që të përballojë dhe katër vjet në opozitë.

Në këto kushte, atij i duhej një aleat, radikalizmi, i cili edhe pse joreal, gjithsesi është i konsideruar deri diku në politikën shqiptare. Radikalizmi politik është një traditë e politikës shqiptare, por sot mungojnë plotësisht rrethanat që e mbajnë të gjallë radikalizmin dhe po ashtu arsyet që e sjellin atë.

Nëse ka pasur arsye ndonjëherë që të ketë politikë radikale ndaj qeverisjes, ka pasur opozita e viteve 1997-2003. Duke pasur përballë qeverisje të dala nga dy palë zgjedhje parlamentare të vjedhura dhe jashtë çdo standardi, në dy palë zgjedhje lokale me të njëjta probleme të mëdha si ato parlamentaret dhe me një referendum për Kushtetutën tërësisht pjesor, Partia Demokratike e asaj periudhe kishte plot arsye të aplikonte politikën radikale. Por pavarësisht se rrethanat inkurajonin dhe ushqenin një politikë të tillë, Berisha dhe PD aplikuan tërësisht një qëndrim tjetër pas vitit 2000, qëndrim që tashmë është i njohur si “fillim i ri” i opozitës.

Qëndrimi i PD-së në atë periudhë lehtësoi presionet politike për mazhorancën, por shtoi presionet në raport me cilësinë e qeverisjes, gjë që u ndie shumë shpejt brenda vetë mazhorancës së majtë me të paktën tri qeveri të ndryshuara, me motive të ndryshme, por në horizont dukej edhe nevoja për një qeverisje më të mirë të vendit.

PD dhe opozita në katër-pesë vitet e fundit në opozitë përcaktuan saktë problemet e vendit që kishin të bënin me korrupsionin e administratës së lartë, krimin, menaxhimin e keq dhe nevojën për liberalizimin e ekonomisë nëpërmjet reduktimit të kontrollit të shtetit. Në programin e 2001, PD nuk kishte teza të radikalizmit politik dhe pas humbjes së zgjedhjeve, PD nuk ashpërsoi tonet politike, por shtoi përkushtimin politik. Në 2005, PD fitoi për shkak se paraqiti para shqiptarëve zgjidhje për problemet e mëdha të vendit, një pjesë të mirë të të cilave e bëri realitet përgjatë qeverisjes.

Nëse PD dhe opozita e atëhershme do të aplikonte radikalizmin politik, dhe kishte mjaft indikatorë që inkurajonin një qëndrim të tillë, atëherë PD do të ishte shumë e zënë me betejat politike dhe do t’i mungonte ose do të ishte mjaft e zbehtë oferta e saj për qytetarët dhe cilësinë e jetës së tyre.

Sot Edi Rama është bërë një radikal. Por një radikal i vetmuar, pasi i mungojnë arsyet. Zgjedhjet nuk ia mbushin mendjen kurrkujt; akuza për lirimin e të burgosurve është fillim e fund tentative e Ramës për të ndikuar në përbërjen e qeverisë së re; vetë ka shkelur procedurat dhe është borxh në moralin politik përballë partisë së vet; përballë tij nuk ka thjesht një qeveri të djathtë, por një aleancë të së djathtës me një parti të majtë që ka 30 për qind të qeverisë dhe 20 për qind të posteve drejtuese. Rruga e opozitës së ashpër të Ramës, fillimisht do të ndeshet me “të vetët” në pushtet dhe më pas do të arrijë e zbehur dhe pa pikë shëndeti tek kundërshtarët ideologjikë. Nuk ka gjë më të pagjetur nga të gjitha gabime te Ramës sesa modeli që po shtjellon këto ditë në konferencat e përditshme të shtypit. Nëse ai e ka këtë thjesht një recetë teknike për të marrë sa më shumë vota në votimin brenda partisë, le ta bëjë këto tri javë, por nëse ai e ka strategji afatgjatë, fuqia e PS-së do të fashitet përgjatë opozitës. Kanë qenë kohë të tjera ato që mbanin gjallë partinë nëpërmjet qëndrimit të ashpër.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›