Vrasja, pranga 20 personave. Radikalë islamikë
SHKUP- Plot 20 persona jane arrestuar per vrasjen e pesefishte ne Smilkovcë. Lajmin e ka bere me dije ministrja e Punëve të Brendshme të Maqedonisë, Gordana Janullovska, e cila tha se të arrestuarit u përkasin grupeve radikale islamike.
Ministria e Punëve të Brendshme ka ndërmarrë një operacion të quajtur Monstrum, ku jane prangosur 20 persona në disa lagje të Shkupit , ku një pjesë e të arrestuarve ndërlidhen me vrasjen në Smillkovc.
Në mesin e 20 të arrestuarve, ka persona të cilët drejtpërdrejtë janë të ndërlidhur me vrasjen makabre në liqenin e Hekuranës, pranë fshatit Smillkovc. Por, ka dhe të tillë për të cilët nuk kemi të dhëna konkrete se drejtpërderjtë janë të përfshirë në këtë vrasje. Ata po merren në pyetje për momentin dhe pasi të realizohen hetimet do të dalim me të dhëna tjera, ka deklaruar ministrja e Punëve të Brendshme të Maqedonisë, Gordana Jankullovska.
Sipas saj, bëhet fjalë për qytetarë të Maqedonisë, nga Shkupi, të cilët janë pjesëtarë të grupeve radikale islamike, të cilët paraqesin kërcënim si për të krishterët, ashtu dhe për muslimanët.
Më 13 prill në bregun e liqenit afër Smillkovcit, u vranë Kire Triçkovski, Aleksandar Naqeski, Filip Sllavkovski dhe Cvetanço Acevski, të moshës prej 18 deri 20 vjeç, si dhe Borçe Stefanovski (45) nga fshati Creshevë.
Pesë personat, sipas informatave të deritanishme të policisë, janë vrarë me armë automatike në afërsi të drejtpërdrejtë.
Një ditë më vonë, 10 kilometra nga vendi i masakrës është gjetur automobili “opel omega”, për të cilin më vonë është konfirmuar se ka qenë në vendin e ngjarjes dhe është përdorë nga vrasësit.