E Diel, 1 Nëntor 2026

PS nuk regjistrohet si pjesëmarrëse në zgjedhjet e pjesshme lokaleNga TemaPS nuk do të marrë pjesë në zgjedhjet e pjesshme vendore të 15 nëntorit. Ka përfunduar dje në mesnatë afati i regjistrimit të partive politike që do të marrin pjesë në zgjedhje

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

PS nuk regjistrohet si pjesëmarrëse në zgjedhjet e pjesshme lokaleNga Tema

PS nuk do të marrë pjesë në zgjedhjet e pjesshme vendore të 15 nëntorit. Ka përfunduar dje në mesnatë afati i regjistrimit të partive politike që do të marrin pjesë në zgjedhjet e pjesshme vendore të 15 nëntorit 2009, ndërsa PS nuk ka regjistruar komisionarët e saj. Bojkoti i zgjedhjeve të pjesshme lokale është paralajmëruar disa ditë më parë nga kryetari i PS, Edi Rama, i cili dha qëndrimin e tij personal duke theksuar se PS nuk do të marrë pjesë në këto zgjedhje, por ai theksoi se do të jetë Asambleja Kombëtare e kësaj partie që do të marrë vendimin për këtë çështje.

Kodi Zgjedhor

Kodi Zgjedhor parashikon që PS, si forca më e madhe politike në opozitë, duhet të paraqesë komisionarët e vet pranë Komisioneve Zonale të Administrimit të Zgjedhjeve, si dhe në qendrat e votimit. Në rastin kur partia më e madhe në opozitë nuk e përmbush detyrimin ligjor në paraqitjen e komisionarëve në komisionet zonale dhe qendrat e votimit, atëherë partia e dytë opozitare, në këtë rast i bie që pas PS të vijë PBDNJ, mund të paraqesë komisionarët e saj në KZAZ dhe në qendrat e votimit. Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut u përcaktua si parti e dytë opozitare pas PS, në zgjedhjet e 28 qershorit. PBDNJ përfaqësohet në Kuvend me një deputet, ndërsa partitë e tjera aleate me PS, PSD, PDS, e G99, nuk kanë fituar asnjë mandat parlamentar në zgjedhjet e 28 qershorit. Sipas Kodit Elektoral, për regjistrimin e partive në zgjedhje, parashikohet që në rastin kur as partia e dytë apo me radhë pas saj nuk paraqesin komisionarë në KZAZ dhe në Qendrat e Votimit, atëherë në bazë të Kodit komisionarët do të përzgjidhen nga vetë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Zgjedhjet e pjesshme të 15 nëntorit do të zhvillohen në 5 qarqe, në ato zona ku të zgjedhurit e njësive të qeverisjes vendore fituan mandatin e deputetit në zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit. Bëhet fjalë për njësinë nr. 10 në Tiranë, Bashkinë Klos, komunën Otllak, komunën Fierzë dhe komunën Fushë-Arrëz.

Ambasadorët vizitojnë selinë e PS

Në një situatë të tillë, kur PS vazhdon bojkotin parlamentar dhe po shpall zyrtarisht bojkotin për zgjedhjet e pjesshme, është rritur edhe shqetësimi i faktorit ndërkombëtar për situatën politike në vend. Por socialistët vazhdojnë të qëndrojnë të vendosur për të mos thyer bojkotin parlamentar deri në momentin e hapjes së kutive të votimit. Pasditen e djeshme, ambasadori i KE, Lohan, ambasadori i Suedisë dhe përfaqësuesja suedeze në vendin tonë ishin në selinë e PS, ku janë takuar me kryetarin e kësaj partie, Edi Rama. Burime pranë PS bëjnë të ditur se gjatë takimit është diskutuar për mundësinë e ndërprerjes së bojkotit parlamentar nga ana e PS. Ambasadorët kanë kërkuar nga kreu i PS pikërisht ndërprerjen e bojkotit, ndërsa Rama ka pasqyruar përpara tre diplomatëve të gjitha arsyet pse PS po vazhdon në rrugën e bojkotit, si dhe në procesin e mbledhjes së firmave për hartimin e ligjit që parashikon hapjen e kutive të votimit. Deri në procesin e hapjes së kutive të votimit, PS do të vazhdojë përpjekjet e saj politike, jashtë parlamentit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›