E Diel, 1 Nëntor 2026

Mashtrimi për hekurudhën e kombitNga Sadedin ÇelikuJavën e kaluar kryeministri i Shqipërisë bëri një vizitë dyditore në Kosovë, e cila u kurorëzua me firmosjen e disa marrëveshjeve bilaterale. Në një nga fjalimet e tij, zoti Berisha i premtoi Kosovë

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Mashtrimi për hekurudhën e kombitNga Sadedin Çeliku

Javën e kaluar kryeministri i Shqipërisë bëri një vizitë dyditore në Kosovë, e cila u kurorëzua me firmosjen e disa marrëveshjeve bilaterale.

Në një nga fjalimet e tij, zoti Berisha i premtoi Kosovës të lidhë hekurudhën nga Shqipëria në Kosovë. Pastaj këtë ai e konfirmoi menjëherë pas kthimit në Tiranë në mbledhjen e qeverisë, ku i dha urdhër ministrit të Transportit të fillojë studimin e fizibilitetit të gjurmëve nga ku do të kalojë ky segment hekurudhor. Ai theksoi nevojën e domosdoshme për mbështetjen e këtij projekti, që, sipas tij, do të sigurojë lëvizjen e lirë të qytetarëve dhe mallrave midis dy vendeve e me gjerë.

Premtimi i kryeministrit edhe këtë radhë është tullumbace, për shkak se ajo vepër nuk mund të financohet ose do të pësoje fatin e rrugës së Kukësit që u nis për 380 milionë euro dhe ka gjasa të bitiset në 1,3 miliardë euro.

Shqipëria ka rreth 500 km rrugë hekurudhore, e cila është plotësisht e amortizuar dhe aktualisht ajo përbën kërcënim serioz për pasagjerët dhe pse jo për transportin e mallrave. Problemet e hekurudhës janë rënduar dita-ditës dhe për shkak se nuk ka pasur as vullnet për të ndërhyrë, as strategji se ç’do bëhet me të. Edhe ato ndërhyrje që janë bërë, kanë qenë parciale e të parëndësishme, si rikonstruksioni i disa stacioneve.

Hekurudha është lënë qëllimshëm në këtë gjendje, që të realizojnë koncesionimin e saj, që, sipas deklarimit të qeverisë, do t’u jepet çekëve për ta shfrytëzuar. Hekurudha shqiptare kërkon ndërhyrje të përgjithshme në shina, ballast, traversa, aksesorë. Terminalet e saj janë prishur tërësisht atje ku ka pasur dhe në shumë stacione ato pothuajse mungojnë fare. Për ta kthyer atë në kushte optimale kërkohet një fond prej 300 milionë eurosh.

Ndërtimi i rrugës për në Kosovë, nëse kryeministri e ka seriozisht, mund të bëhet nga segmentet Shkodër-Pukë-Morinë ose Durrës-Fushë-Arrëz-Morinë apo Milot-Fan-Kukës-Morinë. Ngado që ta nxjerrë studimi, duhet theksuar se ky ndërtim është jashtë mundësive, një investim që parashikohet të shkojë rreth një miliard euro. Ai bën mirë të prishë banesat pa leje të ndërtuara pranë shinave dhe të mos i legalizojë ato. Gjithashtu ai ka firmosur një marrëveshje me homologun e tij maqedonas për ndërtimin e segmentit Lin (Pogradec) - Strugë, i cili ende nuk ka filluar dhe nuk dihet se kur do të fillojë.

Vështirë se gjendet ndonjë vend në botë që planet e programet ekonomike, sidomos ato afatgjata, të bëhen në këmbë dhe pa menduar fare. Ndofta prandaj dhe nuk realizohen treguesit, sepse buxheti bëhet pa bërë llogari. Tashmë, me këto alibi shqiptarët këtej janë mësuar, por do të mësohen edhe ata matanë kufirit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›