E Diel, 1 Nëntor 2026

Rrënimi moral i Ilir MetësNga Panajot BarkaKalimi i ditëve në pushtet nga ana e Ilir Metës evidenton më së miri se kompleksi i inferioritetit ndaj Ramës (i shprehur si pamundësi për të qenë ai drejtues i partisë më të madhe politike në vend - i PS),

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Rrënimi moral i Ilir MetësNga Panajot Barka

Kalimi i ditëve në pushtet nga ana e Ilir Metës evidenton më së miri se kompleksi i inferioritetit ndaj Ramës (i shprehur si pamundësi për të qenë ai drejtues i partisë më të madhe politike në vend - i PS), po shndërrohet tek ai në kompleks faji që po e shkatërron moralisht e politikisht (i shprehur si vullnet për t’u hakmarrë ndaj Ramës nëpërmjet pushtetit politik duke sakrifikuar çdo gjë në emër të legjitimimit të votës së vjedhur). Arritja në këtë stad e marrëdhënieve Rama-Meta kaloi nga bashkëpunimi i Metës me Ramën (bashkëpunim që Meta e braktisi, se pa që fuqizonte politikisht Ramën në krye të PS dhe e largonte nga ëndrra e tij për këtë post), në bashkëpunimin e Metës me Berishën për ta hequr Ramën nga kreu i PS. (Pasojë e parë për Metën ishte shkatërrimi i partisë së tij, në vijim po shkruhet falimentimi i tij politik).

Definicioni i tij politik si patericë e pushtetit të Berishës, jo thjesht po e depersonalizon, por edhe po e kthen në një mjet të lirë të përdorur nga kryeministri i tij. Kjo është fatkeqësia e tij e madhe. Ai iu bashkua në koalicionin qeveriformues të PD, në emër të një pakice kontrolluese të pushtetit të Berishës. Në fakt ka filluar të vjellë pasojat e çorbës së prishur të pushtetit që i dha Berisha.

Në këtë kontekst duhet parë edhe dalja publike e Ilir Metës ditën e shtunë, pak orë para fillimit të mitingut popullor në kërkim të votës së vjedhur, organizuar nga PS dhe aleatët e vet. U duk qartë se ishte në rolin e grevëthyesit të paguar. Në deklaratën e tij kontradiktore në këtë dalje (“protestat provojnë ekzistencën e demokracisë” dhe “protestat janë absurde dhe paradoksale”), tregoi se Meta ka marrë rolin e bishtit të Berishës për të eliminuar demokracinë ose për të fshehur dhe paraqitur si demokratik krimin politik kundër themelit të demokracisë, siç ishte vullneti i votës.

Nga i njëjti pozicion Meta tentoi t’i japë një vazhdimësi deklaratave të një dite më parë të shefit të tij për pranimin gjoja të kushteve të opozitës, por që na fakt ishin një joshje banale dhe sigurisht e papranueshme nga aleanca e PS. Të dy, si Berisha dhe Meta, e kuptuan se mitingu i opozitës në Tiranë dhe përmasat e tij madhështore do të ishin guri i provës për ndryshimin e qëndrimit edhe të Perëndimit ndaj kësaj çështjeje. Pas këtij mitingu, është e sigurt që Perëndimi nuk do të flasë më me gjysmë zëri dhe nga pozita pritëse, por do të shprehet më hapur në favor të kërkesave të PS dhe aleatëve të saj. Pra Berisha gjeti te Meta figurën më bindëse në mbrojtje të atyre që thotë ai. (Po provojnë se midis tyre ata janë një duet komplementar me shef Berishën). Nga ana tjetër, ky është një tregues për njerëzit e Berishës. Duket se nuk janë fort entuziastë, si në lidhje me situatën e krijuar nga lloji i fitores, ashtu edhe me pjesën e pushtetit që Meta u hoqi nga hesapet e tyre.

Në deklaratat e tij të së shtunës Meta na serviri parimin e tij të ri, si pjesë të kompleksit të fajit që përjeton. Meta, i cili pretendonte se ndërtonte individualitetin e vet politik duke pasur si themel konsekuencën dhe ekzigjencën në moralin politik, vërtetoi se thelbi i identitetit të tij politik është amoraliteti politik makiavelist. Arritja me çdo çmim e mjet e pushtetit personal politik.

Deklarata e tij e së shtunës ngjante si dy pika uji me humorin e njohur popullor të hajdutit. Sipas Metës pra, fajin nuk e ka hajduti që vodhi lopën (Berisha që vodhi votat), por i zoti që e lidhi lopën në livadh. (Lexo populli që votoi sipas një Kodi Zgjedhor të caktuar, të propozuar nga Rama). Fajin e ka sistemi apo hajduti. Aq më keq kur po ky Meta tentoi të mbante edhe në këtë çështje flamurin e protestës kundër vjedhësve të votës. Meta, para se t’i propozonin krevatin e pushtetit të Berishës, bënte be e rrufe për sakrifica sublime në mbrojtje të votës së lirë. Tani na del në mbrojtje të hajdutit duke i thënë të zotit të votës fajin e ke vetë.

Ky parim është tani pjesë integrale e parimit që lidhet me moralin politik të demonstruar nga Meta menjëherë pas zgjedhjeve. Ai ngriti figurën e tij politike në opozitë si një antiberishist në ekstrem që kishte lënë totalisht në hije vetë Ramën. Fitoi votat e të majtëve duke u mbështetur pikërisht në demaskimin ekstrem të qeverisjes së keqe korruptive e kriminale të PD dhe në fund, kur PD nuk fitoi dot atë shumicë qeverisëse, u fut në shtratin e Berishës për t’i dhënë kënaqësinë e pjelljes së qeverisë që kemi dhe nuk kemi.

Meta kërkoi ta shiste lëkurën shtrenjtë në favor të Berishës, por edhe në arritjen e eliminimit nga kreu i PS të Ramës. Ai ishte i bindur se prania e tij në koalicionin qeverisës të Berishës do t’i jepte fund çdo lloj dileme apo dyshimi për vërtetësinë e rezultatit të zgjedhjeve. Nxitimi për konstituimin e rezultatit zgjedhur u pasua me mobilizim spektakolar për t’i zënë shtigjet e reagimit të partive fituese, por të mbetura në opozitë. Njëkohësisht u shtuan përpjekjet për të krijuar bindjen se çdo gjë pas kësaj nuk ndryshon më. Institucione shtetërore, media, elementë të faktorit ndërkombëtar u bënë pjesë e këtij inskenimi. Po krijohej një rrymë përshtatjeje me pushtetin e Berishës. Dhe kjo, bashkë me luftën e brendshme në PS, dukej se përbënte një garanci për mbylljen e ciklit politik të Ramës.

Rezistenca shumëplanëshe e nisur nga Rama me pikë referimi mbrojtjen e vërtetësisë së votës, filloi të shkaktojë shqetësim te poli i Berishës mbështetur nga Meta e Nano ose poli anti-Rama. Po ashtu, rezistenca e Ramës filloi të zhvlerësonte dalëngadalë kostot ekonomike në rritje të këtij poli për eliminimin politik të shefit të opozitës. Fjala është për përpjekje për të krijuar një ambient mbytës ndaj Ramës nga faktori i brendshëm mediatik dhe jo-mediatik dhe për të shkëputur ndonjë deklaratë detyruese për Ramën për të marrë pjesë në parlament.

Mitingu i së shtunës ishte gongu që njoftoi fillimin e fundit të kësaj përpjekjeje. Shpresat duket se nuk mund të ushqehen as nga shkëputja e mundshme e ndonjë grupi deputetesh të PS për të hyrë në parlament. Në këto momente ata e kuptojnë se ky do të ishte një vetëflijim për interesa të të tretëve dhe të Berishës.

Qëndresa aktive në rritje e PS dhe e aleatëve në mbrojtje të votës së lirë përbën në fakt një investim politik shumëplanësh të udhëheqësit të saj, Ramës. Është shumëplanëshe, për arsye se nuk u lejua shembja e pritshme e PS, me rrugë demokratike u rikonfirmua kreu i saj, po zgjohet shpirti i qëndresës kolektive dhe i shoqërisë civile, po evidentohet roli i faktorit të brendshëm në raport me atë të jashtëm, po i jepet fund ciklit të pafund të zgjedhjeve të vjedhura, të manipuluara dhe të diskutueshme. Nga ana tjetër Rama po krijon bindje dhe dalëngadalë po ia del që këtë qëndresë ta kthejë në pjesë integrale të shoqërisë së emancipuar shqiptare, si pjesë të ideologjisë së vet politike përtej së majtës dhe së djathtës.

Ky investim politik vjen pas investimeve të tjera politike të Ramës, siç ishte sfida e kryeqytetit, krijimi i një profili të ri udhëheqësi politik me takime në çdo cep të vendit duke përcjellë mesazhe të çlirimit të shtetit dhe të pushtetit politik nga skllavëria e pushtetit partiak dhe të ndryshimit të raportit të individit me shtetin dhe pushtetin politik.

I gjithë ky realitet në planin e njëshave politikë është një sfidë e papranueshme, por edhe një evidentim i qartë i kompleksit të inferioritetit të polit anti-Rama.

Ilir Meta është më i ekspozuari në këtë pol. Për këtë arsye, ai jo vetëm që e vuan më shumë, por, siç e thamë, për të shpëtuar nga ky kompleks u bë pjesë e fajit politik për legjitimimin e votës së vjedhur. Këtë situatë po e përjeton tani si një kompleks faji, shpëtimi nga i cili ka vetëm një rrugë, por që është pa krye. Të shkojë nga faji në faj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›