E Diel, 1 Nëntor 2026

80 vjet të Kampionatit Shqiptar të Atletikës së Lehtë:1929-2009 (III)Nga Besnik DizdariPrologu për “historianët”… Kam ndejë këto dit me një historian, i cili më ngacmonte disi edhe për këte histori të Kampionatit të parë të sporteve për Shqipërinë

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

80 vjet të Kampionatit Shqiptar të Atletikës së Lehtë:1929-2009 (III)Nga Besnik Dizdari

Prologu për “historianët”…

Kam ndejë këto dit me një historian, i cili më ngacmonte disi edhe për këte histori të Kampionatit të parë të sporteve për Shqipërinë. Jo me përçmim se deri këtu nuk guxonte, por ndoshta me një farë nënvleftësimi “dashamir”.

“I di ti këto ngjarje”, e pyeta. “Jo”, tha, “nuk i di”. “A ke dëgjuar ti ndonjëherë, bie fjala”, i thashë, “se Shqipëria dhe Partia e saj e asokohe ka vrarë pa pikë mëshire edhe një rekordmen të shquar: Sefedin Biçakun, qysh në javët e para të Mbasluftës?”. “Jo, nuk kam dëgjuar”, mu përgjigj historiani. “Po mirë”, vazhdova unë pa u ndalë, “a ke dëgjuar ti se ky rekordmen i shquar i Shqipërisë së Paraluftës është sportisti i parë në historinë e Shqipërisë që ka çuar këte Shqipëri në pjesëmarrjen e saj të parë në një Kampionat Europian të Atletikës, qysh më 1938”?. “Jo, jo, nuk kam dëgjuar”, vazhdonte historiani me një nënqeshje disi shpotitëse. “Po përse nuk ke dëgjuar”, pyeta unë, “a je historian ti? Si shkruan ti, qoftë edhe për temën tënde të veçantë, pa ditur në përgjithësi, jo në imtësi, se çka ka ngjarë aty afër, diku përreth temës tënde?”. Ai heshti për një çast. “Ta tregoj”, i thashë edhe unë me shpoti, “përse nuk ke dëgjuar ti për këto ngjarje jo të zakonshme, madje të bujshme shqiptare. Ti nuk ke dëgjuar, sepse ne, ty, mua, Partia, shteti i asokohe na i kanë fshehur, dhe na e kishin ndaluar që t’i tregonim. Megjithate, fatkeqësia është se prap i fshehim, ose kur dikush i tregon ato, e shohim me nënvleftësim”.

Ai vuri buzën në gaz, nuk foli dhe më vuri dorën në qafë. Dhe u ndamë pa prishë qejf, megjithate.

Tash disi në largsi, po më pëlqen ta vazhdoj monologun me te edhe përmes rradhëve të mia të mëposhtme të këtij shkrimi me shpresë se ai i lexon:

“Do të desha të them, mik i dashur “historian”, se italianët, për shembull, me që i kemi këtu afër, botojnë çdo vit “Annuario dell’ Atletica”, me format të gjërë prej 900 faqesh, ku janë përherë të gjithë Kampionët e Italisë qysh prej Kampionatit të Parë më 1898. Po të shkosh në Itali e të pyesish nxënësit e shkollave të mesme po e po, por edhe ata më poshtë, se cili ka qenë, ta zëmë, Mario Lanzi, Luigi Beccali, Giorgio Oberweger, Adolfo Consolini apo dhe një emër tjetër i famshëm që na emocionon fort edhe ne ngaqë quhet quhet Albano Albanese, menjëherë të thonë se kanë qenë atletët italianë më të famshëm të Paraluftës. Dhe kjo thjesht sepse emrat e tyre përsëriten çdo vit në “Annuario…”, por edhe pse këta shtete, përveç kulturës historike, e kanë të zhvilluar tejet edhe atë që po humb në Shqipëri dhe që quhet “kultura atletike”. Dhe kulturë atletike do të thotë shëndet, forcë, shkathtësi, guxim, fizik i bukur, harmoni, inteligjencë. Të përmenda heroin Sefedin Biçaku që ti, natyrisht, nuk e njeh. Tash po të rreshtoj gjithë këta emra të tjerë, të cilët janë atletët themelues pjesëmarrës në Kampionatin e parë Kombëtar të Atletikës së Lehtë, që është i pari Kampionat Kombëtar për të gjithë sportet në Shqipëri. Tek i ke:

Llazar Miha, Ragip Lohja, Sabit Çoku, Prof. Peter Andoni, Mehmet Gjakova, Vasil Alarupi, Simon Todoshi, Jorgji Koja, Prof. Taho Shkreli, Qamil Abazi, Irfan Gjinali, Ferid Beshiri, Vladimir Shuteriqi, Hysen Kusi, Prof. Behxhet Jolldashi, Qazim Dervishi, Dr. Bahri Kopliku, Ahmet Taibi, Zeqir Sulejmani, Dr. Isuf Dashi, Andrea Çani, Shaban Ahmeti, Dr. Naim Vreto, Qazim Keçiçi, Prof. Xhevdet Skilja, Dr. Ndoc Gera, Qamil Abazi, Mehmet Gjakova, Aleko Turtulli, Ahmet Duhanxhiu, Koço Kaftani, Azbi Tepelena, Fetah Fara, Aleko Turtulli, Rexhep Shpendi, Andon Terova, Petraq Leka, Ndoc Paci, Muharrem Toptani, Shuk Radoja, Kapllan Dervishi, Av.Sandër Kraja, Shadan Toptani, prof. Elez Mahja, Isa Meta, Kristo Isak, Prof. Alush Lleshanaku, Muharrem Musa”…

“Vështirë të njohësh ndonjerin, ndoshta do të kesh dëgjuar vetëm emrin e Prof. Alush Leshanakut si “armik” i madh që ishte, jo si një kampion e pedagog i paharrueshëm i edukatës fizike që ka qenë. Nuk i njeh sepse kështu të rreshtuar emrat e tyre si atletë, po bëhen të njohur për herë të parë vetëm sot mbas 80 vjetëve! Kaq të fshehtë kemi qenë dhe vazhdojmë të jemi për historinë! Tash, a të vjen keq me të thënë diçka pak më të rreptë? Nëse vërtet do të donim të vinim pikat mbi “i” për tregimin e vërtetë të historisë, ndoshta gjëja e parë që duhej bërë menjëherë më 1992, duhej të ishte ajo që të gjithë profesorët dhe doktorët që këta tituj i kishin marrë deri asokohe në shkencat shoqërore, politike e historike, t’i dorëzonin pa bëza këta tituj dhe t’i mbronin edhe një herë me të vërtetat, jo me rrénat. Nuk e bënë, nuk ia kërkoi askush që ta bënin. Prandaj vazhdon të krekosesh ti me titullin e profesorit a të doktorit, duke mbrojtur tregimin e shtrembët të historisë që e bë me urdhër të Regjimit”.

Këtu po e mbyll me mikun tim “historian”. Ndërkaq, mu kujtuan diskutimet e kohëve të fundit për historinë në TV këto dit, ku të gjithë “ekspertët” e historisë flasin rradhazi këmbë mbi këmbë e me duar në xhepa, siç thuhet, përmbi dy orë pa thënë asgjë, pa marrë përsipër asgjë, pa guxuar të thonë asgjë, po vetëm duke u munduar të shesin erudicion, duke cituar e bërë gjasme teori. Dhe asnjeri nuk del burrë e të flasë për bëmat ahistorike të Shqipërisë tash gati mëse gjysmëshekulli e më tej. E jo më të tregojnë një histori të vërtetë sado të vogël e të përgënjeshtrojnë të paktën një, një të vetme, prej rrênave shekullore të Shqipërisë së Mbasluftës. Të lind pyetja: a i duhet dhënë kaq shumë hapësirë këtyre “historianëve” a “komentatorëve” të historisë, të cilët kujtojnë se histori e vërtetë është vetëm themelimi i PKSH apo Konferenca e Labinotit, dhe kurr nuk është histori, bie fjala, duke qëndruar mbrenda asaj kohe, as Plenumi IV i PPSH (1973) që terrorizoi Shqipërinë?

Temë e vështirë edhe kjo. Sepse… “Vëllau i madh, ju sheh” (George Orwell, “1984”).

1.

Tash, “me që fjala fjalën nuk e mûn si ká thane ajo e motit”, siç thotë Fishta, le të vazhdojmë ne me pjesën e fundit të kësaj historie tonën sportive, “të lehtë”, por të vërtetë edhe pse “historianët” nuk duan ta bëjnë pjesë të historisë…

E, na duhet të kujtojmë edhe faktin e paprecedent që së bashku me Kampionatin Kombëtar u zhvillua edhe Kampionati i parë Kombëtar i Shqipërisë për Juniorët, siç përcaktohet, çka i jep këtij themelimi një pamje më se të guximshme për kohën. Interesante është se përzgjedhja gati e përkryer e këtyre atletëve të rinj. Midis tyre do të gjejmë plot emra kampionësh e nënkampionësh të pesë kampionateve të tjera kombëtare të Paraluftës (sepse janë zhvilluar plot 6 kampionate kombëtare të atletikës nën Mbretëri), prej një Adem Karapici e deri te një Ibrahim Dizdari e të tjerë…

Ndalim tash te tre emra të tjerë të shquar. Përshembull, te një Simon Todoshi nga Korça – kampion në tri gara: 800, 1500 dhe 300 metra. Figurë e mirënjohur e sportit korçar, Todoshi i paharrueshëm, më 1929 fiton titullin e kampionit në 800 metra ndaj Ferid Beshirit të Tiranës, ndërsa në 1500 metra ai ka një duel të vetëm: Shkodër – Korçë, teksa triumfon ndaj dy shkodranëve, Zeqir Sulejmani dhe Tahir Shkreli, i cili nuk është askush tjetër përveçse profesori ynë i nderuar i astronomisë në Gjimnazin e Shkodrës. Ndërkaq, në 3000 metra Todoshi mposht Jorgji Kojën e Tiranës.

Ky është çasti kur shfaqet emri i Jorgji Kojës së Tiranës, kampioni dhe rekordmeni, i cili paralajmëron se dy garat e gjata, ato të 5000 dhe 8000 metrave do të ishin të tijat. Në të parën tiranasi i mirënjohur mposht nënkampionin Tahir (Taho) Shkreli të sipërpërmendur, emri i të cilit pra, befason, sidomos ne, gjimnazistë të Shkodrës, që e patëm mësuesin tonë të paharrueshëm të astronomisë. I një humori të jashtëzakonshëm përveç të tjerave, kur pa u shqetësuar aspak, shembujt eksprimentues e zbulues të astronomisë, na i jepte prej qendrave gjeoastronomike të Italisë, ndonëse libri ynë zyrtar me autor sovjetik, të mbyste me Moskë e Leningrad! Tepër i ndjeshëm ndaj sportit, ku gjithmonë gjente të na shlodhte me një intermexo sportive, del se Prof. Taho Shkreli paska qenë Nënkampion apo medalist i Kampionatit të parë Atletik së Shqipërisë në tri gara: 1500, 3000 dhe 5000 metra!

Kishte rivalizuar kështu edhe me kampionin dhe rekordmenin Jorgji Koja, me një atlet pionier të themelimit të garave të 5000, 8000 apo 10.000 metra. Katër herë Kampion Kombëtar i Paraluftës, Jorgji Koja, më mbas si trajner ai shfaq një tjetër vepër të madhe sportive të tij. Kjo do të ndodhte Mbasluftës kur do t’i rriste dhe do t’i formonte Shqipërisë një nga atletët më të mëdhej të saj, djalin e tij, mjeshtrin tonë të mirënjohur të atletikës shqiptare, fitimtarin e vazhdueshëm Albert Koja. Madje fenomenal për historinë tonë: 5 herë Kampion i Shqipërisë në 400 metra, 10 herë në 800 metra, 8 herë në 1500 metra që së bashku do të thotë 23 herë Kampion i Shqipërië në tri disiplina të vrapimeve. Dhe natyrisht rekordmen në të tri këto gara. Nuk e di a e njihni? Albert Kojën mund ta takosh në Tiranë, teksa kalon në punë të vet, rri shpesh me djalin e axhës së tij, emri i të cilit është Vangjel Koja – i famshmi i volejbollit shqiptar, duke u përmbledhur kësisoji “epoka” e fisit Koja në sportin shqiptar, që daton më 1929 me Jorgji Kojën dhe që vazhdon ende tash mbas 80 vjetëve me Vangjel Kojën, i cili në një mënyrë ose një tjetër nuk i ndahet asesi volejbollit.

Dhe qëndrojmë te Atletika 1929.

Zbulojmë rradhazi emrat e kampionëve. Mbërrijmë te Dr. Isuf Dashi – kampion në 110 m/p me shifrat antike 19.8, më mbas, më 1930, 1931, 1932 – tri herë Kampioni i Shqipërisë me Sportklub Tiranën në futboll. Fatmirësisht dikujt i ka shkuar ndër mend t’i japë një rruge emrin e tij. Një vit më vonë, më 1931, ai do të jetë përsëri kampion në këte garë, por dhe i futbollit mbrenda të njëjtit vit! Ndërkaq, në trehapësh një tjetër firmë e madhe e sportit shqiptar, Isuf Gjinali - i pari i Gjinalëve që do të vërshonin pa ndalë në sportin shqiptar, Zihni Gjinali, Frederik Gjinali e deri një Gjinal i shquar i Kosovës, Skender Gjinali i Sportklub Tiranës - të gjithë futbollistë. Përjashtimi është kampioni i ynë i trehapëshit Irfan Gjinali me shifrat që për kohën të bëjnë të mendosh disi më gjatë: 12.10 metra, natyrisht edhe rekord kombëtar. Mandej, mû ky Irfan Gjinali është dy herë rresht Kampion Kombëtar në futboll me Sportklub Tiranën më 1930 dhe 1931!

2.

Dhe mbërritëm te garat e hudhjeve.

Tre emra: Ymer Sharra i Vlorës - Kampion Kombëtar në gjyle dhe disk, Zeqir Sulejmani i Shkodrës – Kampion në shtizë dhe Behxhet Jolldashi - Kampion në hudhjen e topit me vjegë (dorezë) një garë olimpike e kohës, binjake me çekiçin. Ky titull i Prof. Behxhet Jolldashit për Elbasanin e vitit 1929, në të vërtetë është paraprirës i hudhjes së çekiçit, ku më mbas do të shkëlqejë as më pak e as më shumë por mû Ibrahim Kodra, piktori i madh, dy herë Kampion më 1933, po dhe rekordmen i garës së topit me vjegë, ndër më të mirët e Shqipërisë edhe në gjyle e disk, ku për nostalgji ka pozuar në Itali duke u realizuar një fotoportret i denjë për konkurs botëror. Kodra mbetet rekordmen deri sot e kësaj dite me shifrat 40.56, sepse Mbasluftës kjo garë u hoq në të gjithë shtetet e botës. Dhe rekordi ynë i Kodrës ka mbetur i pathyer!

Duke iu kthyer Jolldashit, vërejmë se një vit më vonë, ai do të tregojë “mësimin” e tij të një stili të shkolluar kur do të shpallet Kampion dhe rekordmen i Shqipërisë në hudhjen e shtizës me 41.99 metra. Ndonëse si fillim, në këte 1929, shtiza bëhet e pronë e atletit ushtarak nga Shkodra, Zeqir Sulejmani, me shifrat që prap të bëjnë të mendosh disi gjatë: 40.03 metra, duke i lënë mbi 12 metra larg kundërshtarët e tij. Dhe themi “ushtarak”, sepse Shkodra jo vetëm ka të tillë, por ndër drejtuesit kryesorë të ekipit të saj janë dhe ushtarakët italianë, kapiten Napoletano dhe major Zanchi.

Këto ishin themelet e shkollës “modeste” të shtizës shqiptare prej së cilës rreth 70 vjet më vonë ka për të dalë dy herë Kampionia e Botës, Mirela Manjani nga Durrësi, nën fanelën e Greqisë! Edhe këte fakt të rangut botëror me zanafillë tokën atletike shqiptare, natyrisht që e kemi harruar…

Kur mbërrijmë mandej te emri i Ymer Sharrës së Vlorës - Kampion Kombëtar në gjyle dhe disk, historia jonë merr tone dramatike, tragjike madje, të historisë në tanësi. Shifrat e Sharrës mund të jenë modeste, por ky kampion “i panjohur” “i zbuluar” vetëm sot mbas 80 vjetëve, është plot 5 herë Kampion i Shqipërisë! Ai fiton edhe më 1930 e 1931. Ndërsa në këte 1929 ai ka një duel të vërtetë me të njëjtin kundërshtar, si në gjyle ashtu dhe në disk: Mehmet Gjakova i Tiranës. Ymer Sharra do të jetë një nga të dënuarit pa mëshirë të Regjimit që do të vinte. Me sa duket, siç më thonë, ai është vëllau i Ing. Abdyl Sharrës, ingjinieri i paharrueshëm i tharjes së kënetës së Maliqit, që do të shpërblehej me dënimin me vdekje. Më parë se te toga e pushkatimit edhe Abdyl Sharra do të ishte një atlet i Kampionatit tjetër, atij të vitit 1930 dhe madje më 1931 në gjyle dhe në disk ai do të ketë duelin mû me Sharrën e parë, Ymerin, gara tejet tërheqëse për kohën

Kjo është atletika shqiptare e Paraluftës, me kampionë të zhdukur nga arkivi, por dhe të zhdukur duke iu rrëmbyer jetën. Nga një Sefedin Biçaku i përmendur në fillim të këtij dossier-i e deri te një Abdyl Sharra, për të kulmuar te e vona me një tjetër rekordmen si zëvendëskryeministri Abdyl Këllezi! Regjimi natyrisht nuk do pyeste për historitë e tyre sportive edhe pse themeluese të sportit shqiptar për të ndjerë të paktën një mëshirë më tepër.

Edhe në këto episode të zhdukjes së kampionëve të aletikës do ta gjejmë vetë zhdukjen e historisë së këtij Kampionati të parë, që e treguam kësisoji për herë të parë në histori mbas bukur 80 vjetëve. Në këte rast vështirë të të ngushëllojë sentenca që thotë “më mirë vonë se kurr”. Sepse jemi, vonë, vonë, shumë vonë, njëqind herë vonë!

Kampionati i parë Kombëtar i Atletikës së lehtë ka përfunduar plot 80 vjet më parë, më 6 shtator 1929. Ai ka përfunduar me fitoren e skuadrës atletike të Prefekturës së Tiranës, mbas një dueli të fortë me Elbasanin, Korçën dhe Shkodrën. Tirana mori thuajse të gjitha Kupat e vëna: atë Çmimit Mbretëror, atë të Princeshës Myzejen, të Entit Kombëtar Djelmënia Shqiptare dhe të Kryeministrisë. Kampionati ka një mbyllje spektakolare ceremoniali, gjithnjë me praninë e patroneshës së tij Princeshës Myzejen. Himni Kombëtar, pjesë orkestrale, entuziazëm dhe manifestim i ekipeve atletike rrugëve të kryeqytetit, ndërsa mbi te po binte mbrëmbja…

Epilogu për atletikën

Kështu themelonte Shqipëria nën Mbretëri, Kampionatin e saj të parë për sportet. Jo rastësisht i themelonte me “mbretëreshën e Sporteve” , atletikën e lehtë. Jo vetëm për saktësi historike, por për t’iu treguar shqiptarëve se cilët qenë kampionët e tij të parë kombëtarë, për të kujtuar nderet që duhet t’iu bëjmë këtyre themeluesve të paharrueshëm, të cilët asnjeri nuk jeton më dhe të cilët deri më sot historia i kishte zhdukur, po i përmbledhim së bashku në këte dokumentim:

100 m.: Dr. Naim VRETO / Tirana

200 m.: Llazar MIHA / Tirana

400 m.: Llazar MIHA / Tirana

800 m.: Simon TODOSHI / Korça

1500 m.: Simon TODOSHI / Korça

3000 m.: Simon TODOSHI / Korça

5000 m.: Jorgji KOJA / Tirana

8000 m.: Jorgji KOJA / Tirana

11 m/p.: Dr. Isuf DASHI / Tirana

Së gjati: Prof. Peter ANDONI / Elbasani

Së larti: Prof. Peter ANDONI / Elbasani

Trehapësh: Irfan GJINALI / Tirana

Gjyle: Ymer SHARRA / Vlora

Disk: Ymer SHARRA / Vlora

Shtizë: Zeqir SULEJMANI / Shkodra

Topi me vjegë: Prof. Behxhet JOLLDASHI / Elbasani

4x100 m.: Tirana

4x400 m.: Tirana

Pentatlon: Prof. Petër ANDONI / Elbasani

Dekatlon: Prof. Petër ANDONI / Elbasani

Kampion si ekip: TIRANA

Nuk është e lehtë të gjesh foto autentike të vitit 1929 të këtyre kampionëve apo pjesëmarrësve, çka kërkon kohë të gjatë, shumë mund, ndoshta po aq sa çfarë u munduam deri në rraskapitje për të ndërtuar këte dossier të emrave, datave, episodeve, rezultateve e zhvillimeve. Kemi fatin e madh të zotërojmë megjithate, një foto që mbetet emblematike për krejt Kampionatin. Eshtë ekipi i atletëve të Korçës që morën pjesë në këte Kampionat. Vështrojeni me vëmendje se sa kulturë, finesë, sportivitet që përmban kjo foto, e cila ka në mes dy organizatorët e mëdhenj korçarë, Prof. Sotir Sugari dhe Dhionis Gogo. Të duket si një ekip ndërkombëtar i një gare olimpiade, të sprovuar, ndonëse ishte vetëm një fillim shqiptar. Vetëm Korça plakë e një kulture mund të të dokumentojë kësisoji, qoftë edhe 80 vjet më parë, kur Shqipëria ende ishte në hapat e parë të formimit dhe forcimit të shtetit të saj. Eshtë një foto-dokument i rrallë botuar prej autorëve Nevila dhe Ilia Jorgji në kalendarin e tyre të vitit 2004 kushtuar sportit korçar.

Kaq. Mbërritëm në fund, për të cilin kemi përzgjedhur për të treguar pak se si e gjykonin të huajt këte Kampionat. Eshtë një fragment prej shkrimit të “La Gazzetta del Mezzogiorno” me titullin “I Campionati Nazionali di atletica leggera” (“Kampionatet Kombëtare të atletikës së lehtë”, në shumës, sepse së bashku me atë të Juniorëve ishin dy Kampionate së bashku). Shkruan “La Gazzetta…”:

“Kampionatet Kombëtare të atletikës së lehtë, nën drejtimin e Entit Kombëtar për Rininë të zhvilluara nën kujdesin e lartë të Lartësisë së saj Mbretërore, Princeshës Myzejen, përfunduan me një bilanc elokuent, sepse garat e zhvilluara, dhanë rezultate që më tepër se një dëfrim, përfaqësojnë një siguri për zhvillimet e ardhshme të edukatës fizike në Shqipëri. … Rezultatet kanë qenë shumë të kënaqshme, e për këte duhen përgëzuar fort organizatorët dhe atletët pjesëmarrës, të cilët u treguan mjaft të zot… Ndërmarrja e Entit Kombëtar të Rinisë meriton lavdërimet më të larta. E gjithë Shqipëria u shndërrua kështu në një vatër atletësh dhe Kampionatet realizuan synimin për të nxjerrë në dritë elementët më të mirë, të cilët me stërvitje në të ardhmen do të mund të arrijnë rezultate teknike shumë të larta. Mbështetës i madh i këtij zhvillimi ishte publiku i shumtë, i cili mbushi këto dit Fushën e Shallvares, gjithnjë plot entusiazëm, duke i nxitur atletët gjatë garës dhe duke duartrokitur fort episodet e bukura. Bukuria dhe eleganca e trofeve që u dorëzuan, midis të cilëve ato të Princeshës Myzejen, qenë tejet tërheqës për t’i fituar… Prej këtyre kampionateve u morën gjithë mësimet e nevojshme, ndërkohë që tash fillon një punë përzgjedhëse për veçimin e kampionëve, të cilët në një të ardhme të shpejtë do të mund të përfaqësojnë me dinjitet në garat ndërkombëtare, ngjyrat kombëtare. Në pllakatin e kampionatit është paraqitur një atlet i ri në çastin e hudhjes së shtizës, figurë kjo kuptimplote, në një kohë kur të gjithë të rinjtë shqiptarë po përgatiten intensivisht për t’u barazuar me kombet e tjera. Shtiza do të fluturojë dhe do të qëllojë në shéj”.

Dhjetë vjet më parë, i joshur edhe nga ky pllakat që ka si emblemë stilin e shtizës, jam bërë promotor i emetimit të një pulle postare kushtuar 70-vjetorit të themelimit të këtij Kampionati të Atletikës, meritë e Postës Shqiptare natyrisht. Për fat, deri më sot vetëm kaq!...

Fund

--------------------------

SHENIM: Shih dy pjesët e para të këtij dossier-i në “TemA” të 29 shtatorit dhe të 6 tetorit 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›