E Diel, 1 Nëntor 2026

Çmimi i paqes Nga “New York Times”Presidenti Obama reagoi në mënyrën e duhur ndaj lajmit për marrjen e çmimit Nobel për paqe. Ai tha se ndihej i prekur, e pranoi se përpjekjet, për të cilat ai po nderohej, janë vetëm në nisje dhe u betua t’i çonte në

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Çmimi i paqes Nga “New York Times”

Presidenti Obama reagoi në mënyrën e duhur ndaj lajmit për marrjen e çmimit Nobel për paqe. Ai tha se ndihej i prekur, e pranoi se përpjekjet, për të cilat ai po nderohej, janë vetëm në nisje dhe u betua t’i çonte në fund, jo i vetëm, por në bashkëpunim me vende të tjera.

Të premten në Shtëpinë e Bardhë nuk mund të kishte gëzim të shfrenuar. Ndihmësit e zotit Obama ishin të detyruar të parashikonin një breshëri reagimesh dashakeqe dhe ashtu ndodhi. E majta e denoncoi komitetin e Nobelit që i dha çmimin një presidenti në kohë lufte. E djathta proklamoi që zoti Obama e shiti SHBA duke u përfshirë në diplomaci. Anëtarët e bandës së besnikëve në pakësim të George W. Bush shtrembëruan turinjtë - pa e pranuar fajin e tyre në asnjë mënyrë - që zoti Obama nuk i ka mbaruar ende luftërat në Afganistan dhe Irak.

Sigurisht, çmimi është ndëshkim për presidencën e zotit Bush. Por sheshimi i vullnetit të keq që zoti Bush krijoi në gjithë botën është një nga arritjet e mëdha të zotit Obama në më pak se nëntë muaj në detyrë. Gatishmëria e zotit Obama për të respektuar dhe punuar me të tjerët është një arritje tjetër.

Zoti Obama e ka rritur reputacionin e këtij vendi duke i dhënë fund torturës, këtë radhë në mënyrë të besueshme; duke u betuar për të mbyllur burgun e Guantanamos, në Kubë; duke iu bashkuar përpjekjeve për të luftuar ndryshimet klimaterike dhe për të pastruar botën nga armët bërthamore; duke u ri-përkushtuar për t’i dhënë fund konfliktit izraelit-palestinez; dhe duke ofruar bashkëpunim me Iranin dhe duke insistuar njëkohësisht që ai të heqë dorë nga ambiciet e tij bërthamore.

Zoti Obama nuk e kërkoi çmimin. Ai është kujtesë për pritshmërinë e lartë nga çdo president amerikan - dhe sjell në qendër të vëmendjes gjithë punën që ai ka përpara për ta bërë botën dhe vendin tonë më të sigurt.

Në Irak, zoti Obama është shumë larg menaxhimit të një tërheqjeje të rregullt, e cila nuk lë vakuum pushteti që do të digjte rajonin delikat. Ai duhet të vendosë shpejt për një strategji për Afganistanin, e cila do të bëjë atë që nuk bëri zoti Bush - të mundë al-Qaeda-n dhe izolojë talibanët - pa i zhytur trupat aleate dhe amerikane në një konflikt të pafund.

Për të përparuar në qëllimin e deklaruar të zotit Obama për një botë pa armë bërthamore, SHBA dhe Rusia duhet të bien dakord për shkurtime të mëdha në arsenalin e tyre bërthamor. Nëse Irani refuzon të heqë dorë nga veprimtaria e tij bërthamore qëllimkeqe, zotit Obama do t’i duhet të nxitë të gjitha fuqitë e mëdha të botës për të vendosur sanksione të forta. Ai duhet të hartojë një strategji për të zvogëluar programin nuklear të Koresë së Veriut.

Ndërsa zoti Obama ka bërë një nisje të mirë me ligje të reja për ndryshimet klimaterike, SHBA duhet të jetë udhëheqje e nismës për marrëveshje ndërkombëtare.

Zotit Obama do t’i duhet ta tejkalojë opozitën mendjengushtë në Kongres për të mbajtur premtimin e mbylljes së burgut të Guantanamos dhe t’i trajtojë të burgosurit vazhdimisht në përputhje me Kushtetutën dhe vlerat amerikane.

Amerikanët e zgjodhën zotin Obama, sepse donin që të rikthente vlerat dhe lidershipin amerikan - dhe sepse besonin që ai mund ta bënte. Çmimi Nobel dhe përkrahja që e pasoi tregon sa shumë njerëz në botë kërkojnë të njëjtën gjë prej tij.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›