PS, padi penale për 4 anëtarët e KQZ. Ristani, i droguar
Partia Socialiste depozitoi dje kallëzim penal për katër anëtarët e maxhorancës në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.Sekretari Ligjor në PS, Fatmir Xhafaj, kërkon “fillimin e ndjekjes penale ndaj të kallëzuarve për kryerjen e veprave penale të ‘shpërdorimit të detyrës’ dhe ‘falsifikimit të dokumenteve dhe rezultateve të zgjedhjeve’ në bashkëpunim, të parashikuara nga nenet 248, 326 dhe 25 të Kodit Penal”. Të përfshirë në kërkesën e socialistëve janë Arben Ristani, me detyrë kryetar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Klement Zguri, Vera Shtjefni dhe Hysen Osmanaj, me detyrë anëtarë të KQZ-së, si dhe persona të tjerë të paidentifikuar, punonjës të KQZ-së dhe KZAZ-ve Tiranë që kanë bashkëpunuar me të kallëzuarit. Në kërkesën e tyre, socialistit radhisin shkeljet ligjore që ka kryer kryetari i KQZ-së, Ristani, pas përfundimit të numërimit të kutisë së fundit në KZAZ-në Nr. 49 në Tiranë. “Kryetari i KQZ. z. Arben Ristani, në shkelje të detyrimit për të shpallur rezultatin si dhe për të shqyrtuar kërkesën ankimore, në mbrëmjen e datës 17 maj, me qëllim falsifikimin e rezultatit të zgjedhjeve në favor të kandidatit Basha, inicioi hartimin e një akti të KQZ që do të krijonte mekanizimin ‘formal ligjor’ për të realizuar qëllimin e tij kriminal. Kjo procedurë është në kundërshtim të hapur me parashikimet e nenit 122 dhe veçanërisht nenit 123, i cili qartësisht përcakton se nuk mund të ndryshohen tabelat e miratuara nga KZAZ dhe as ato të QV të numëruara, përveç rastit kur ka një gabim material ose në alternativë, kur KQZ është në shqyrtimin e një kërkese ankimore ndaj atyre vendimeve të KZAZ apo vendimit të saj”, thuhet në kërkesën e PS. Madje, në kërkesën e tyre, socialistët kërkojnë dhe hetimin e sjelljeve të kreut të KQZ-së. “Duke pasur parasysh mënyrën arrogante të sjelljes, qëndrimet, fjalët dhe gjestet që demonstrojnë papërgjegjshmëri mendore, si dhe të dhëna të tjera të ardhura në mënyrë konfidenciale, kemi dyshime të arsyeshme që bazohen mbi indicie, se z. Arben Ristani mund të jetë nën ndikimin e substancave alkoolike dhe psikotrope në atë masë që kanë krijuar gjendjen e afektit patologjik. Në këto kushte, kërkojmë që organi i Prokurorisë, konform neneve 179 dhe 182 të K. Pr. Penale, të kryeje ekspertimin toksikologjik dhe vlerësimin e gjendjes psikike të të
kallëzuarit Arben Ristani”, thuhet në kërkesën e PS-së. Duke përfshirë në këto shkelje dhe administratën e KQZ-së, sekretari socialist për Çështjet Ligjore, Fatmir Xhafaj, saktëson se administrata e këtij institucioni kishte bërë gati kutitë dhe materialet zgjedhore pa u zbardhur akti ligjor.
Provat
Socialistët kanë sjellë si prova materiale rastin e tri kutive të qendrave të votimit për të vërtetuar manipulimin. “Në hapjen e kutisë së QV Nr. 1800 të Njësisë Nr. 4, kodet e mbylljes ishin të ndryshme nga ato në procesverbalin përkatës. Po kështu, në kutinë e QV Nr. 1797 të Njësisë Nr. 4, është gjetur një fletë votimi e kontestuar me vulat që i përkisnin QV Nr. 1801. Gjetja e një flete votimi të vulosur nga komisioni i një qendre votimi në kutinë e një qendre tjetër, provon se manipulimi është kryer pas procesit të votimit, duke nxjerre dhe futur votat nga njëra kuti në tjetrën”, thuhet në kërkesën e PS-së.