E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presidenti i NALA-s: Ballkani të jetë i përgatitur për krizën ekonomike

Asambleja e Autoriteteve Vendore kërkon që bashkitë dhe komunat të jenë të përgatitura dhe gati për rreziqet që vijnë nga kriza ekonomike ndërkombëtare. "Ka rezultuar se efekti i krizës globale i ka prekur pak qeverisjet vendore të Evropës Juglindore. Gjithsesi, qeverisjet vendore duhet të jenë të përgatitura dhe të përfitojnë nga rreziqet që mund të vijnë. Qeverisja qendrore duhet të besojë në qeverisjet vendore, duke sjellë sa më shpejt politika që influencojnë në ekonomi", u shpreh Tarzan Millosheviç, president i NALA-s. Ndërsa presidenti i Kongresit të Autoriteteve Lokale në KE, Yavuz Mildon, u shpreh se nuk është vetëm Shqipëria vendi i cili nuk është prekur nga kriza globale. "Por e rëndësishme është të merren masat për të gjitha vendet që nuk janë prekur. Dhe Këshilli i Evropës është gati për të ndihmuar", u shpreh Mildon. Kryeministri Berisha ishte dje i pranishëm në mbledhjen e Asamblesë së Përgjithshme të Rrjetit të Shoqatave të Autoriteteve Vendore të Evropës Juglindore. Të pranishëm në këtë aktivitet ishin presidenti i rrjetit të autoriteteve rajonale të Evropës Juglindore, Tarzan Millosheviç, presidenti i kongresit të autoriteteve vendore dhe rajonale, Yavuz Mildon, kryetarë bashkish dhe rajonesh të Evropës Juglindore, si dhe përfaqësues të autoriteteve vendore ndërkombëtare. Kryeministri theksoi se për qeverinë shqiptare, procesi i decentralizimit përbën një nga përpjekjet më të mëdha të tre viteve të fundit, si kusht përcaktues për konsolidimin e demokracisë në Shqipëri dhe për të pasur një zhvillim të qëndrueshëm dhe harmonik të vendit. Në këtë kontekst, Kryeministri vlerësoi partneritetin e vendosur me të gjitha qeveritë vendore të vendit, i cili bazohet në respektimin e plotë të parimeve të përcaktuara në dokumentet evropiane, që normojnë demokracinë dhe autonominë lokale. Kryeministri theksoi, ndër të tjera, se në partneritetin e saj me qeveritë vendore, ajo qendrorja ka bërë çdo përpjekje për t‘i inkurajuar ato, drejt hartimit të projekteve në interesin më të mirë të qytetarëve që ata qeverisin. "Në rast se në këto tre vjet ne pothuaj katërfishuam grantin, qëllimi ynë është që në vitet që vijnë ne të mund të rrisim në mënyrë progresive të ardhurat buxhetore të qeverive vendore", tha ai. Duke u ndalur në bashkëpunimin rajonal, si një kontribut i rëndësishëm i autoriteteve vendore në proceset integruese rajonale dhe evropiane, Kryeministri Berisha theksoi se Shqipëria është shumë e hapur dhe e gatshme të bashkëpunojë me të gjitha qeveritë e vendeve rajonale në interesin më të mirë të ruajtjes, zhvillimit dhe shfrytëzimit të pasurive potenciale e rajonale. Në këtë kontekst, Kryeministri Berisha garantoi se Shqipëria do të ketë decentralizimin një përparësi madhore të saj dhe bashkëpunimin rajonal një nga format kryesore të bashkëpunimit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›