E Diel, 1 Nëntor 2026

Lëvizja Fol prezantoi raportin më të ri “Matësi i së vërtetës”

Nga Express më 05 qershor 2011 në ora 15:00

Lëvizja Fol në raportin e saj më të ri “Matësi i së vërtetës” ka prezantuar pesë deklarata të drejtuesve të lartë të institucioneve të Kosovës, nga të cilat tri ka vlerësuar se janë të pavërteta, një kontradiktore dhe një deklaratë e ka cilësuar si të vërtetë.

Në një konferencë për media drejtues të Fol si të vërtetë e kanë quajtur deklaratën e presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga dhënë më 13 maj lidhur me protestën e Lëvizjes Vetëvendosje kundër vizitës së shefit të ekipit negociator serb Borisllav Stefanoviq në Kosovë, me ç’rast ka thënë se “nuk është mirë për askënd që ne nuk kemi krijuar mekanizma të marrëveshjes, nuk kemi krijuar rrethana që jo rruga, por institucionet të jenë vendi ku gjendet zgjidhja.”

“Institucionet e Kosovës nuk kanë arritur ende të krijojnë mekanizmat real për pjesëmarrje në vendimmarrje dhe përkitazi me këtë vlerësojmë si të vërtetë këtë deklaratë. Presidentja e vendit ka një mandat për unifikimin e klasës politike dhe duhet ta përdorë autoritetin e saj për krijimin e këtyre mekanizmave institucional për të rritur pjesëmarrjen qytetare në vendimmarrje. Ndryshe format e reagimit, përfshirë edhe protestat në rrugë, janë instrumente demokratike që shprehin vullnetin qytetar karshi zhvillimeve në vend dhe si të tilla nuk mund të ndalohen”, kanë thënë zyrtarë të Lëvizjes Fol.

Por, për dallim nga presidentja Jahjaga, “Matësi i së vërtetës” e ka cilësuar si të pavërtetë një deklaratë të kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi të bërë më 1 qershor për arritjen e marrëveshjes me Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe se çështja e pagave për shërbyesit civilë është zgjidhur një herë e përgjithmonë, pasi që FMN-ja njoftoi se ka ndërprerë marrëveshjen 18 mujore “Stand by” me Kosovën.

“Vlerësimi: E pavërtetë. Arsyetimi: Fondi Monetar Ndërkombëtar momentalisht ka përjashtuar Kosovën nga mundësia për të përfituar nga programet e saj, pikërisht ngaqë Qeveria e Kosovës nuk ka arritur marrëveshje me këtë institucion për vendimin e saj për rritjen e pagave në sektorin publik”, ka thënë zyrtarë të Fol.

Lëvizja Fol ndërkaq e ka quajtur kontradiktore deklaratën e ministrit të Brendshëm Bajram Rexhepi, më 27 prill lidhur me punën e EULEX-it në veri, ndërsa e ka cilësuar të pavërtetë premtimin programor të Qeverisë së Kosovës për reforma në administratën publike, pasi që sipas saj themelimi i Ministrisë së Diasporës është në kundërshtim me programin e qeverisë dhe me Programin e Rishikimit Funksional të Qeverisë.

Matësit së vërtetës nuk i ka shpëtuar as deklarata e zëvendëskryeministrit të parë të Kosovës, Behgjet Pacolli, i cili kishte thënë se është apartiak. Fol këtë deklaratë e quan të pavërtetë, kur dihet se Pacolli ishte pjesëmarrës aktiv në takimet PDK-LDK-AKR, që rezultuan me marrëveshje të cilën Pacolli e nënshkroi gjithashtu.

Fol konsideron se në këto takime Pacolli ka përfaqësuar AKR-në ndryshe nuk do të kishte arsye që të merrte pjesë në takime.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›