E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vetëvritet djali i njërit prej viktimave të demonstratës së 21 Janarit

FIER- Gjendet i vetëvrarë 22-vjeçari Bardhosh Myrtaj, djali i njërit prej viktimave të 21 Janarit, Faik Myrtajt. Edhe pse policia dhe Prokuroria tashmë kanë nisur hetimet, mendohet se ai i ka dhënë fund jetës pas një momenti depresiv, pasi e kishte pasur shumë të vështirë humbjen e babait të tij tre muaj më parë. Në vendngjarje, sipër kodrës më të lartë që shtrihet fshati Kreshpan, gjurmët e gjakut janë ende të freskëta. Viktima ka shkuar atje me motorin e familjes. Pastaj me një pistoletë ka kryer dhe aktin. Para aktit ka lajmëruar të afërm të tij, njërin prej dajave dhe vëllanë. Kur ata kanë shkuar e kanë gjetur mes pellgut të gjakut, të pajetë. Policia me mjetet e saj ka tërhequr motorin në orët e vona të pasdites, pasi ka kryer ekspertizën e vendit të ngjarjes. Ndërsa Kreshpani përjeton ngjarjen e dytë të dhimbshme. Atë e bir vdiqën nga armët e zjarrit. Njëri prej një arme që nuk dihet se nga qëlloi, në mes të bulevardit në kryeqytet, dhe djali, pasi nuk duronte dot humbjen e tij.

Ngjarja

22-vjeçari Bardhosh Myrtaj nga fshati Kreshpan i komunës Cakran Fier është gjendur i pajetë, i vrarë me armë zjarri në një nga kodrat e këtij fshati, rreth 500 metra larg shtëpisë ku ai banonte. Ky është njoftimi i parë i ardhur nga ky fshati rreth 20 km larg nga qyteti i Fierit. I pari që ka gjetur trupin e pajetë të viktimës ka qenë një nga dajat e tij, si dhe vëllai i madh Renato, 25 vjeç, i cili ka marrë njoftimin me anë të një telefonate të kryer nga viktima. Sipas tyre, para se të vetëvritej, ai iu kërkonte atyre të shkonin dhe merrnin motorin në majën e kodrës ku ndodhen antenat e telefonisë celulare në këtë zonë. Dajë e nip kanë gjetur në vendngjarje nipin të mbuluar nga gjaku, një pistoletë, mjetin motor. Ata kanë njoftuar menjëherë policinë, e cila është nisur urgjentisht drejt vendit të ngjarjes. Nga ana tjetër trupi i 22-vjeçarit është dërguar në spitalin e qytetit, por fatkeqësisht gjithçka ka qenë e pashpresë. Pas kësaj trupi i pajetë është dërguar në morgun e qytetit. Policia nga ana e saj ka nisur hetimet. Viktima e djeshme është njëri prej dy djemve të njërit prej viktimave të demonstratës së 21 Janarit, Faik Myrtaj. Shumica e fshatit ka nisur të shkojë, sipas zakonit, shqiptar për ngushëllime. Deri rreth orës 19 00 trupi i pajetë i 22-vjeçarit nuk kishte mbërritur ende në shtëpinë e tij. Atje tashmë është hapur për herë të dytë morti. Por të afërm të pranishëm nuk kanë dashur të pranojnë median. “Nuk kemi absolutisht asgjë me gazetarët. Por nuk dimë se ç’të themi. Ai i mori të gjitha me vete. Ndaj na lini të qetë”, është kërkesa e tyre.

Hetimet

Blutë nga ana e tyre kanë nisur hetimet lidhur me këtë ngjarje. Kjo nisur edhe nga fakti se viktima ishte djali i njërit prej të vrarëve në demonstratat e 21 Janarit në kryeqytet. Sipas burimeve paraprake, policia hetoi në disa pista U morën në pyetje familjarë dhe të afërm për të zbardhur rrethanat e shkaqet e kësaj ngjarje. Vetëm rreth orës 16 00 në një deklaratë për shtyp blutë deklaruan nëpërmjet zëdhënëses se pas ngritjes së grupit hetimor nën drejtimin e prokurorisë së rrethit gjyqësor Fier me specialistë të krimeve të rënda në Drejtorinë e Policisë së qarkut, ekspertë të mjekësisë ligjore, specialistë të hetimit të laboratorit shkencor në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, u kryen verimet hetimore në vendngjarje dhe u konstatua se Bardhosh Myrtaj , 22 vjeç është vetëvrarë me armë zjarri pistoletë në vendin e quajtur Antenat në fshatin Kreshpan. Policia ka përfunduar deklaratën e saj se është duke punuar për zbardhjen e rrethanave të kësaj vetëvrasjeje.

Mesazhet

Në faqen e tij të Facebook-ut Myrtaj shkruante se e quante veten e tij një tip jo shumë i hapur dhe se ishte tip i qetë. Madje, sipas informacioneve të kësaj faqeje, komenti i fundit i tij ishte “nëse nuk e ke zgjedhur rrugën tënde, atëherë zgjidh më të mirën, se unë fitova lotarinë. Çdo gjë është e mirë në këtë botë, po kur humbet të ngushtohen rrugët”. Komente të cilat kanë shumë interpretime, por që kanë qenë të fundit fjalë që ai ka thënë para se të merrte vendimin se do të vetësakrifikohej.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›