E Diel, 1 Nëntor 2026

PS përzgjedh Igli Totozanin për Avokat të Popullit, Rama: Avokat për Popullin jo për pushtetin sot apo nesër!

Igli Totozani

Igli Totozani, është kandidati që Partia Socialiste do tia propozojë Kuvendit për postin e Avokatit të Popullit. Eglantina Gjermeni, deputetet e Partisë Socialiste e cila drejtoi Komisionin Përzgjedhës për kandidaturat për Avokat të Popullit, deklaroi se procesi i përzgjedhës i PS-së ishte transparent dhe se ishte mishërimi i programit politik që paraqet PS-ja.

Gjermeni gjatë prezantimit të kandidatit të përzgjedhur nga PS theksoi se shpresonte qëkandidati të përmbushë pritshmërinë e PS dhe të publikut.

Igli Totozani është me profesion jurist dhe publicist i njohur në vend. Emri i tij u përzgjdh nga PS mes 33 kandidaturave të paraqitura në mënyrë vullnetare për këtë pozicion.

Pas bërjes publike të kandidaturës së përzgjedhur nga PS-së, ka reaguar OSBE. Kreu i Prezencës së OSBE-së në Tiranë, Eugen Volfart ka përshëndetur kandidaturën e propozuar nga partia kryesore opozitare dhe ka vlerësuar procesin e ndjekur nga PS për përzgjedhjen e tij. Volfarth ka theksuar se procedura e ndjekur nga PS janë hapa përpara dhe ka shtuar se shpreson që Kuvendi të miratojë sa më shpejt kandidaturën.

Pas shpalljes së kandidaturës së përzgjedhur nga PS, reagoi edhe lideri i opozitës Edi Rama.  ”Shqiptarët sapo panë një provë se PS është gati për një administrim publik europian. Avokat për Popullin jo për pushtetin sot apo nesër!”, shkruan Rama në Tiwitter.

Kush është Igli Totozani?

Igli Totozani ka lindur në Tiranë, më 18 shkurt 1973. Jurist me profesion, ai ka studiuar për gjashtë vjet në Universitetin e Gjenevës në Zvicër, ku dhe ka mbrojtur dy herë titullin Master, respektivisht në Studime Evropiane dhe Shkenca Politike. Ai ka kryer studime për titullin Doktor në Drejtësi në Universitetin Robert Schuman Strasbourg, Francë.

Në vitin 2001 ka fituar çmimin Jean Louis de Claparede nga Universiteti i Gjenevës.  Për një kohë të gjatë ka punuar në detyra të rëndësishme shtetërore si Këshilltar i Kryeministrit për Arsimin dhe Integrimin Evropian.

Prej shumë vitesh është lektor i të Drejtës Publike në disa universitete të vendit. Ai është autor i një numri të konsiderueshëm artikujsh, raportesh dhe kërkimesh në revista dhe të përditshme shqiptare dhe të huaja.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›