E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS, pezull votimi për zgjedhjen e delegatëve të Kongresit

Partia Socialiste nuk ka ende një datë fikse se kur do të mbajë zgjedhjet sipas parimit “një anëtar një votë”, për zgjedhjen e delegatëve për në Kongresin zgjedhor të 5 nëntorit. Megjithëse koha është e kufizuar, pasi procesi duhet të mbyllet brenda këtij muaj, për t’i lënë mundësi shpërndarjes së mandateve të delegatëve për të marrë pjesë në Kongres, selia rozë nuk ka caktuar akoma një ditë për të kryer votimin e zgjedhjes së tyre. Burime pranë PS kanë bërë të ditur se shkak janë bërë mospërfundimi ende i procesit të ngritjes së komisioneve zgjedhore dhe konstituimit të tyre. Kështu, mësohet se në varësi të këtij procesi është lënë që të përcaktohet edhe data e votimit, proces ky që do të mbahet në një ditë në të gjitha qarqet e vendit. Të njëjtat burime kanë konfirmuar se bëhet fjalë për ngritjen e rreth 36 komisioneve zgjedhore, pra afërsisht një për çdo rreth, me përjashtim të Tiranës, ku organizimi do të jetë i veçantë, ku çdo njësi minibashkiake do të ketë një qendër të sajën. Siç mësohet, në këto zgjedhje nuk është parë e nevojshme ngritja e shumë qendrave të votimit, por vetëm një në çdo njësi vendore me peshë, ku pritet të vijnë për të votuar të gjithë anëtarësia e rrethit apo njësisë bashkiake siç është në rastin e Tiranës. Ndërkohë që komisionet zgjedhore do duhet që të merren dhe me regjistrimin e kandidatëve për delegatë, dhe përfshirjen e tyre në fletën e votimit. Në të gjithë Shqipërinë pritet të zgjidhen më shumë se 800 delegatë në bazë të parimit një anëtarë një votë, ndërkohë që pjesa tjetër e tyre janë të zgjedhur direkt, për shkak të posteve që mbajnë. Përveç delegatëve, gjatë kësaj periudhe Partia Socialiste po vijon me zgjedhjen e krerëve të organizatave të partisë në të gjithë vendin, proces ky që është shoqëruar me jo pak probleme, çka është bërë edhe objekt i shqetësimit të disa mbledhjeve që kreu socialist Edi Rama ka zhvilluar me deputetët e vet. Gjithashtu është duke u zhvilluar edhe përzgjedhja e emrave për kryetar të partisë në komuna dhe bashki, emrat e të cilëve pas propozimeve do t’i vijnë kryesisë në qendër që të bëjë përzgjedhjen e 1 apo 2 emrave që t’i paraqiten asambleve lokale për t’i votuar. Zgjedhja e tyre do të përbëjë dhe procesin e fundit zgjedhor, para se të mbahet kongresi, i cili nga ana e tij do të zgjedhë asamblenë e re të partisë, si forumi i dytë më i lartë vendimmarrës. Kongresi gjithashtu do të bëjë dhe një analizë të thellë politike dhe zgjedhore, për të evidentuar linjën e qartë që do të mbajë partia në vazhdim.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›