Komisioni i Venecias, seancë për zgjedhjet e 8 Majit
Problematika zgjedhore e konstatuar nga socialistët në zgjedhjet e shkuara vendore pritet të angazhojë këtë javë që vjen Komisionin e Venecias. Në mbledhjen e radhës Komisioni i Venecias pritet të diskutojë ditën e enjte mbi problemet zgjedhore në Shqipëri, çka i paraprin përgatitjes së një opinioni për përmirësimet që duhen bërë në Kodin Elektoral. Bëhet fjalë për mbledhjen e Këshillit për Zgjedhje Demokratike, strukturë brenda Komisionit të Venecias, i cili do të informohet për punën e bërë deri më tani lidhur me këtë çështje. Ndërkohë një delegacion i këtij Komisioni do të vizitojë Tiranën më 24 dhe 25 tetor. Delegacioni do të takohet me drejtuesit e partive politike dhe drejtuesit e lartë të shtetit. Në faqen zyrtare të Komisionit të Venecias theksohet se “pas zgjedhjeve lokale të 8 Majit dhe në veçanti në lidhje me polemikat për zgjedhjen e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Europës, Thjoborn Jagland, kërkoi një opinion, mbi të cilin duhet të bëhen përmirësime të legjislacionit zgjedhor në Shqipëri. Delegacioni i Komisionit të Venecias do të ketë në përbërje të tij dhe përfaqësues të KiE-s. Pas kësaj vizite Komisioni i Venecias pritet që gjatë muajit dhjetor të dalë me një qëndrim përfundimtar.