E Diel, 1 Nëntor 2026

PS premton mbështetje për banorët e Gërdecit

Autori i Lajmit: red.
Partia Socialiste premton mbështetje për kërkesat e banorëve të Gërdecit. Kryetarja e Grupit Parlamentar të PS-së, Valentina Leskaj, e shoqëruar dhe nga kryetari i Asamblesë Kombëtare, Gramoz Ruçi, dhe nga deputeti Musa Ulqini vizituan dje përfaqësues të këtyre banorëve, të cilët prej katër ditësh kanë hyrë në një grevë. “Ne si Grup Parlamentar i Partisë Socialiste, i kemi kërkuar dhe do të vazhdojmë të kërkojmë në Kuvend të drejtat tuaja, sepse janë të drejta që u janë marrë dhe jo privilegje që kërkoni”, - premtoi Leskaj. Ajo informoi se kanë paraqitur në Parlament, projektin për sa i takon kompensimit të anës materiale, por edhe dëme të tjera, si pagesa për dëmtime fizike, pagesën për humbjen nga vendi i punës, pagesën për invaliditet për ata që kanë nevojë për të, pagesën për kohën e humbur nga mosnjohja e periudhës së punës nga sigurimet shoqërore etj, dhe presin shqyrtimin e tij. Leskaj pohoi se PS do të vazhojë të kërkojë të gjitha kompensimet dhe të drejtat e tjera që u takojnë atyre që kanë punuar në Gërdec, të gjithë familjarëve që kanë humbur jetën në Gërdec, të gjithë atyre që kanë jetuar rreth e rrotull dhe vazhdojnë të kenë pasojat e kësaj tragjedie të madhe. “Ajo lidhet me pagat, pensionet, çështje të invaliditetit, për të cilat këta po bëjnë edhe një sakrificë sublime, duke qenë në emër të komunitetit dhe atyre që po vuajnë pasojat. Që sot, do t i kërkojmë në Parlament kërkesat, derisa të plotësohen”, - tha ajo. Ndërsa Ruçi pohoi se kjo tragjedi nuk mund të zgjidhet me deklarata politike, as të mazhorancës, as të minorancës prandaj PS e konkretizoi qëndrimin e saj me një nismë ligjore. “Do të vazhdojmë të kërkojmë në Parlament, që qeveria aktuale të mos bëjë shurdhin, të mos bëjë memecin apo qorrin. Vendimet e saj duhet të jenë syri, veshi, mendja, zemra, halli, problemi dhe shqetësimi juaj”, - përfundoi ai.

Ky lajm është publikuar: 10/06/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›