E Diel, 1 Nëntor 2026

“Berisha të ndalë sulmin ndaj organeve të drejtësisë”

Autori i Lajmit: red.
Lëvizja Socialiste për Integrim përsërit kërkesën e saj për kryeministrin Sali Berisha, i cili sipas saj, duhet të ndalë sulmin ndaj organeve të drejtësisë. Zëvendëssekretarja e Përgjithshme e LSI-së, Brizida Gjikondi, pohoi dje se interferencat e tij të dhunshme duke tejkaluar kompetencat që i jep ligji, përbëjnë në vetvete presion dhe paragjykim të hapur kundrejt çështjeve të rëndësishme ndaj të cilave pritet shqyrtimi nga ana e sistemit të drejtësisë. “Mjafton të përmendim agresionin kundrejt prokurorit të çështjes “Sefgjini-Hoxha” dhe “tolerancën” e gjyqësorit për të pandehurin VIP dhe, rrjedhimisht, do të kuptohet paralajmërimi për çështje si ajo e Gërdecit e rrugës Kukës-Morinë si dhe një prej çështjeve më të rëndësishme Referendumin”, - tha ajo. Gjithashtu, sipas Gjikondit, agresioni i Kryeministrit sjell pasoja të paprecedentë në rrënimin e besimit të brishtë që kanë shqiptarët jo vetëm kundrejt sistemit të drejtësisë, por kundrejt çdo hallke të shtetit shqiptar. Sipas saj, agresiviteti i Berishës kundrejt sistemit kushtetues të drejtësisë u favorizua nga pazaret dhe pabesitë e 21 prillit. Gjikondi i kërkoi Kryeministrit të kthejë vëmendjen nga mekanizmat antikorrupsion, fenomen që, sipas saj, po ndihet në çdo sektor.

Ky lajm është publikuar: 10/06/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›