E Shtunë, 31 Tetor 2026

SHBA e BE: Zgjedhjet progres, pa standarde

Shqipëria përforcon mbështetjen nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe BE-ja për procesin integrues. Në seancën dëgjimore në Kongresin Amerikan para Komitetit Amerikan të Helsinkit, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Europian kanë rikonfirmuar vullnetin e tyre për të ndihmuar vendet e Ballkanit Perëndimor në rrugën e procesit integrues. Për këtë mbështetje të ndërkombëtarëve, klasa politike shqiptare duhet të tregohet e matur, pasi në dorën e saj varet përgjegjësia dhe pesha e integrimit europian të vendit tonë. Por kushti absolut që duhet të plotësojë Shqipëria është realizimi i të gjitha standardeve. Në seancën dëgjimore të Komitetit Amerikan të Helsinkit, për Shqipërinë është specifikuar gjuha e përdorur në raportin e ODIHR-it për zgjedhjet. Në analizën e Bashkimit Europian kuptohet se pa arritur të gjitha standardet, rruga e integrimit të Shqipërisë nuk do të jetë e lehtë. BE del në konkluzionin se përgjegjësia për mosarritjen e standardeve do të bjerë vetëm te partitë politike. "Zgjedhjet e 28 qershorit në Shqipëri treguan një progres të qartë në krahasim me zgjedhjet e mëparshme, përfshirë edhe përmirësimet në regjistrimin dhe identifikimin e votuesve dhe në atë të kornizës ligjore. ODIHR-i gjykoi se zgjedhjet përmbushën pjesën më të madhe të angazhimeve të OSBE-së, por nuk arritën të realizojnë potencialin e Shqipërisë për të përmbushur standardet më të larta të zgjedhjeve demokratike", thotë Stjuart Xhons, zv/ndihmëssekretari i shtetit për çështje europiane. Përpos vlerësimeve, zgjedhjet e 28 qershorit mbajnë edhe anën tjetër të medaljes. Kritikat për mënyrën e numërimit të votave, mediat, por edhe presioni i vazhdueshëm për pjesën e administratës dhe angazhimin e saj në fushatë ishin pjesë e fjalimit në Kongresin Amerikan para Komitetit Amerikan të Helsinkit, ku dy forcat më të mëdha të vendit, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Europian rikonfirmuan qëndrimin për të mbështetur Shqipërinë në procesin e integrimit europian. "Hapësira për përmirësim u identifikua në numërimin e votave, anësia e mediave dhe presioni gjatë fushatës mbi nëpunësit civilë nga partitë politike në qeveri. Por qeveria e re e Shqipërisë ka pranuar këto të meta dhe është angazhuar t‘i trajtojë ato në të ardhmen", thotë zv/ndihmëssekretari i shtetit për çështje europiane, Stjuart Xhons.

Gjatë seancës dëgjimore në Komitetin e Helsinkit, i pyetur për autostradën Durrës-Kukës, Jones vlerësoi se autostrada është një pasuri e jashtëzakonshme për të gjithë rajonin, sepse nuk lehtëson vetëm transportin e Shqipërisë me Kosovën, por të të gjitha vendeve në rajon. Zgjedhjet e fundit janë vlerësuar nga faktori ndërkombëtar, ndërkohë që palës shqiptare i ka ngelur për të arritur dhe plotësuar lista e sugjerimeve që Bashkimi Europian ka rezervuar për Shqipërinë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›