E Shtunë, 31 Tetor 2026

Petraq Milo: Rritja ekonomike në 2009, jo më e vogël se 5 ose 6 %

Këshilltari i Kryeministrit për Çështjet Ekonomike, Petraq Milo, shprehet optimist se rritja ekonomike e Shqipërisë për vitin 2009 do të jetë e qëndrueshme dhe më e lartë se në vendet e tjera të rajonit. Në një intervistë për gazetën, Milo flet për të gjithë treguesit, raportet ndërkombëtare për Shqipërinë, si dhe impaktet e krizës globale që mund të prekë zhvillimin e shpejtë të vendit. Sipas tij, elementët e garancisë për vendin mbeten plani buxhetor 2009, ulja e deficitit buxhetor, ku shteti sot merr shumë më pak borxh se më përpara, inflacioni i ulët, sistem bankar i qëndrueshëm dhe sektori privat që tashmë është më i aftë. Milo shprehet se siguria e investitorëve privatë reflektohet dhe në një element tjetër që është politik, anëtarësimi ynë në NATO, njëkohësisht edhe afrimi me BE-në. Ai thotë se raporti i BERZH-it ka tri skenarë për Shqipërinë dhe nënvizon se rritja ekonomike në Shqipëri nuk do të jetë më e vogël se 5 për qind. Raporti më i fundit i BERZH-it vlerëson se për vitin 2008 Shqipëria ka pasur një rritje ekonomike 6.1%. Njëkohësisht Milo thotë se klima e biznesit në Shqipëri ofron siguri për investitorët e huaj.

Erald Kapri

Zoti Milo, qeveria ka shprehur ambicien për një rritje ekonomike të lartë edhe në vitin 2009, kur parashikohet edhe një ngecje ekonomike ndërkombëtare. Mjaft organizata ndërkombëtare si FMN-ja apo BERZH-i, kanë dhënë mendimet e tyre, të cilat shprehin se do të ketë rritje ekonomike në Shqipëri. BERZH ka pasur disa raporte për Shqipërinë për sa i përket rritjes në Shqipëri. Në shifrat tuaja, sa mendoni se do të jetë rritja ekonomike e Shqipërisë në vitin në vijim?

Ajo që është parë është rifillimi i një debati për rritjen ekonomike, duke bërë atë lojë fjalësh të vazhdueshme dhe lozur me shifrat 4 apo 5, duke bërë krahasueshmërinë. Në raportin e fundit të BERZH-it do të vija theksin në radhë të parë në tendencën me të cilën BERZH krahason Shqipërinë me vendet e tjera. Po ta shikojmë me kujdes, BERZH ka dhënë një mendim për rritjen ekonomike për vitin 2009, në të cilën ka disa skenarë. Të tre skenarët për vitin 2009 janë optimistë. Skenari i parë është 6% i fundit 5% dhe krahasuar me vendet e tjera, Shqipëria mbetet më lart. Në gjithë këtë debat të rritjes ekonomike, një element i përbashkët i parashikimit tonë është që përsëri rritja ekonomike mbetet e lartë dhe e dyta, është dukshëm e distancuar nga vendet e tjera të rajonit. Kjo është në radhë të parë tendenca që vazhdon të jetë pozitive dhe nuk është se qeveria ka qenë euforike në parashikime të rritjes ekonomike prej 6%. Të gjithë elementët të çojnë në faktin që në parashikimin tonë ka disa arsye, në të cilat ne kemi mbështetur këtë rritje ekonomike.

Raport i BERZH-it jep disa rekomandime. Njëkohësisht rekomandime ka dhënë edhe G-20? Çfarë do të mbahet parasysh nga këto rekomandime nga ana e qeverisë shqiptare për të garantuar rritjen ekonomike që ju mendoni se do të jetë mbi 5 %?

Sa i përket rekomandimeve të BERZH, por edhe të G-20 ose në rekomandimet e një nga liderëve të BERZH, Peter Sanfei, në radhë të parë thekson që Shqipëria po vazhdon të bëjë progres të vazhdueshëm në një numër të konsiderueshëm drejtimesh. Ai rekomandon që kjo rritje ekonomike pozitive dhe e lartë mund të mbahet duke vazhduar reformat në përmirësimin e klimës të biznesit dhe mbështetjen e financimit të infrastrukturës. Po ta analizonim këtë lloj rekomandimi, themi se nga qeveria “Berisha” që në 2005 theksoi se ka qenë në dy drejtime kryesore pa harruar elementë të tjerë të luftës kundër korrupsionit, elementë të tjerë të përmirësimit të kontrolleve etj. Në radhë të parë, përmirësimi i klimës së biznesit ka qenë dhe vazhdon të jetë prioritet në programin e qeverisë, si dhe një politikë fiskale e përgjysmuar ndër më të ulëtat në rajon në drejtim të detyrimeve fiskale. Mund të përmendim heqjen e licencave, heqjen e disa tatimeve, krijimin e formave elektronike, si atë të deklarimit online, heqja e barrierave të tjera administrative. Është e gjithë kjo tërësi e programit që ka ecur dhe vazhdojmë të themi që do ta përmirësojmë akoma më shumë klimën e biznesit dhe do të marrim masat më tej për të ulur barrën fiskale. Rekomandimi i dytë thotë që Shqipëria duhet të vazhdojë të ketë ritme të larta në investimet, kryesisht në infrastrukturën rrugore. Nëse do të analizojmë programin apo çfarë qeveria parashikon, vazhdojmë të ruajmë norma të larta në investimet publike vitet e fundit, rreth 100 miliardë për çdo vit, norma të cilat janë 3-4 herë më lart se të mëparshmet që kanë qenë 25-30 miliardë. Siç shihet kemi një politikë fiskale, e cila ka kaluar direkt në mbështetjen e infrastrukturës rrugore. Ky lloj investimi mund të them që është rekomandim i domosdoshëm për vetë faktin se efekti i kësaj infrastrukture janë të lidhura jo vetëm me rritjen ekonomike të një periudhe të shkurtër, por edhe për një periudhë afatgjatë. Një rekomandim tjetër i G-20 (zakonisht rekomandimet konvergojnë me atë program që qeveritë duhet të hartojnë për rritjen ekonomike dhe rritjen e prodhimit të tyre, duke e shoqëruar me një politikë të uljes së barrës fiskale) është pikërisht kjo politikë që ka filluar që në vitin 2005, e cila edhe për 2009 mbyll kuadrin e një politike fiskale të reduktuar dhe duke vazhduar që nga 1 maji uljen e masës së kontributeve të sigurimeve shoqërore në 15%.

Kryeministri Berisha ka folur edhe për një rritje ekonomike dyshifrore për këtë vit. Pavarësisht se ka tone pozitivizmi, ka deklarata pesimiste për një ngecje të ekonomisë shqiptare në vitin 2009. Ku e mbështesni ju optimizmin tuaj për një rritje të lartë ekonomike?

Është e vërtetë që kjo shifër ka mbetur e pakomentuar dhe e njëjtë edhe nga institucionet ndërkombëtare. Statistikisht është deklaruar dhe po bëhet verifikimi për rikonfirmimin e saj, një rritje prej 11% në tremujorin e parë dhe 12% në tremujorin e dytë. Jemi konfidentë, pasi ka një lidhje organike ndërmjet çfarë raportohet për rritje ekonomike dhe zhvillimeve të degëve ete ndryshme të ekonomisë në vitin 2008, si rrjedhim i investimeve të bëra në vitet e mëparshme. Konkretisht kemi një rritje në industrinë minerale për arsye se të gjithë jemi të ndërgjegjshëm dhe e dimë që konkretisht në bursë çmimet janë të favorshme për produktet minerale njëkohësisht kemi një rritje gati 48% të eksporteve, ku pjesa kryesore e tyre është nga produktet minerale. Pra, rivlerësimi i eksporteve, rritja e prodhimit industrial në 2008 është një nga elementët bazë ku mbështetet kjo rritje ekonomike në tremujorin e parë dhe të dytë. Rritje tjetër kemi edhe në degë që nuk kanë qenë tradicionale në rritjen ekonomike, të cilat kanë një rritje për 13% dhe një rritje ekonomike prej 16-17% tremujorin e parë dhe të dytë në tregti, hotele dhe restorante. Pra pjesa e shërbimeve të kësaj kategorie ka rritje 12, 13 dhe 10% për faktin se ka një rritje të këtyre shërbimeve, si dhe kemi një rritje të turizmit. Ka një rritje të prezencës së huaj në kuptimin qoftë të pjesëmarrjes, qoftë të detyrimeve të Shqipërisë për të kooperuar anëtarësimet etj., që është shprehur në rritje më të madhe të këtyre shërbimeve. Një degë tjetër e cila është rritur në vitin 2008 nga investimet e viteve të mëparshme është ajo e shërbimeve. Ka një rritje prej 14% në tremujorin e parë dhe të dytë, sikurse kemi një rritje të shërbimeve të konsulencës për faktin se ka më shumë prezencë të investimeve të huaja, që është element i dukshëm.

Po sektorët e tjerë, si kanë ecur në kushtet kur në vendet perëndimore ka një krizë financiare?

Kemi një rritje të shërbimeve bankare për faktin e blerjes së aseteve të bankave lokale private nga banka të huaja të një niveli botëror si “Intesa Sanpaolo”, “Raiffeisen” dhe banka të tjera, të cilat jo vetëm kanë rritur volumin e transaksioneve falë dhe mbështetjes së qeverisë, por kanë rritur edhe numrin e produkteve, të cilat janë shprehur në rritje të aktivitetit të tyre. Kemi edhe sektorë të tjerë të shërbimeve si p.sh., sigurimet, të cilat kanë volume në aktivitetin e tyre që është i dukshëm. Një element tjetër, i cili është shprehur në këto degë e konkretizuar janë industria, ndërtimi, shërbimet dhe investimet e huaja, të cilat kanë një rritje në vitin 2008, të cilat kanë mbështetur pikërisht këto lloj aktivitetesh që kanë pasur rritje ekonomike në vitin 2008. Pavarësisht krizës financiare globale, qeveria ka shpallur si parashikim të saj sërish një rritje ekonomike prej 6%. Siç u theksua edhe më lart, BERZH mendon se kjo rritje do të jetë 5%, sërish jo e vogël dhe më e madhe sesa vendet e rajonit, nëse mendon se kriza do të ketë qoftë dhe indirekt ndikim në vendin tonë.

Tashmë u miratua edhe buxheti i vitit 2009. Në buxhet parashikohet një ulje investimesh në krahasim me atë të vitit 2008. Mund të kemi një ulje në peshën e rritjes së ekonomisë nga ky fakt, kur ju deklaroni se rritja ekonomike do të jetë e lartë përsëri?

Në qoftë se Shqipëria ka një rritje ekonomike pozitive, duhet të theksojmë që në radhë të parë kemi një rritje dhe në raportin e BERZH-it flitet për një rritje prej 5% përsëri, ku 5% mbetet më i lartë se vendet e rajonit. Shqipëria parashikon 6%, kjo është një çështje parashikimesh, por nuk do të ndalem në lojën e shifrave 5 apo 6. Ne mendojmë që është 6. Ku e mbështesim ne vazhdimësinë e kësaj rritjeje? Në radhë të parë mbështetet në planin buxhetor, i cili nuk është as pesimist, nuk mund të jetë euforik, është një program real. Ka në radhë të parë mekanizma të rezervës, të cilat e sigurojnë buxhetin nga ndonjë krizë apo element të krizës që mund të veprojnë. Buxheti nuk është se ul peshën e tij në ekonomi, përkundrazi, vazhdon me një ritëm investimesh gati 100 miliardë edhe për vitin 2009. Ky është elementi i parë pozitiv, kuptohet i mbështetur në të ardhura. Është elementi kryesor dhe themi se buxheti është një nga furnizuesit kryesorë të ekonomisë me investime, punësim etj. E dyta është ulja e deficitit buxhetor. Një program realist i të ardhurave, i cili ka shmangur korrupsionin etj., ka arritur të mbledhë shumë herë më shumë se një periudhë më parë, ka siguruar elementin më kryesor, uljen e deficitit buxhetor. Shqiptarët duhet ta dinë që shteti shqiptar merr më pak borxh sesa më përpara. Të marrësh borxh më pak do të thotë t’i lësh më shumë hapësira kredimarrësve pjesës tjetër, e cila është sektori privat. Ky është elementi i dytë, nga i cili nuk shkojmë në një situatë të rritjes, përkundrazi, kemi vazhdimësi në rritje dhe deficiti buxhetor është një deficit shumë realist dhe optimal krahasuar me vendet e tjera. Politika e tretë që është politikë fiskale monetare. Ne vazhdojmë të kemi inflacion të kontrolluar prej 3 %, ndërkohë që vendet e tjera e kanë shumë herë më të lartë dhe ky inflacion garanton një farë sigurie për investitorët e brendshëm, por dhe të huaj. Ky element bën që mos të ketë një stepje në realizimin e investimeve. Parë në këto 3 aspekte dhe në aspektin e rritjes së fuqisë blerëse, që e realizon buxheti, duke rritur pagat dhe mënyrat e tjera të realizimit të pagesave, ky është një buxhet që mbështet rritjen ekonomike. Pjesa tjetër e rritjes ekonomike është pjesa e sektorit privat, që përbëhet nga sektori i brendshëm dhe i jashtëm. Kemi një sistem bankar të qëndrueshëm, që është pjesë e raporteve për të cilën nuk ka arritur këtë konkluzion vetëm qeveria shqiptare, por edhe institucionet ndërkombëtare. Pra, ky sistem është i aftë të vazhdojë të financojë sektorin e brendshëm ose sektorin privat. Nuk do të ketë ngërç, përderisa sistemi është solid nga pikëpamja e likuiditeteve. Ne kemi një sistem bankar likuid të siguruar, nuk kemi pse të mendojmë që sistemi bankar nuk do të jetë në gjendje të kreditojë ekonominë. Element tjetër është vetë sektori privat dhe sjellja e tij vitin 2009. Investitorët privatë kanë hyrë në investime të mëdha dhe janë në fazën e marrjes së fryteve të tyre në industrinë minerale, në industrinë e materialeve të ndërtimit, në industrinë energjetike, të infrastrukturës, tregun bankar dhe atë të sigurimeve, njëkohësisht edhe investimet në bujqësi dhe agro-bujqësi.

Në kushtet e krizës ekonomike botërore flitet se duhet më shumë siguri në ekonomi. Do të jetë e aftë ekonomia shqiptare për të ofruar siguri për investitorët që do të mund të kërkojnë të sjellin kapitale në Shqipëri?

Në aspektin e sigurisë, politika e parë qeverisëse në drejtim të klimës së biznesit, në drejtim të politikës fiskale, politikës bankare, kontrollit të inflacionit etj., ofron siguri për vazhdimësinë e investimeve të tyre. Vetësiguria e tyre reflektohet dhe në një element tjetër që është politik, anëtarësimi ynë në NATO në procesin e tij përfundimtar, dhe vazhdimësia e hapave për anëtarësimin në BE. Garancia e këtyre elementëve bën që ne të mendojmë që investitorët vazhdojnë të kenë interes sidomos në ata sektorë, që janë interesantë dhe të rëndësishëm, flasim për zgjerimin e porteve, aktivitetit të shërbimeve, prodhimit të energjisë, që është një nga elementët bazë të kërkesës rajonale, rritja e industrisë minerale dhe investimet e kryera vitet e mëparshme që do të konkretizohen vitin që vjen, krijojnë një klimë pozitive në këtë drejtim, njëkohësisht flasim edhe për zhvillimin e sektorit agro-bujqësor. Investimet e para në këtë sektor janë kryer qoftë në drejtim të pemëtarisë, qoftë në prodhime të tjera bujqësore. Janë pikërisht këto trende dhe ky interes për Shqipërinë, për të cilat ne mendojmë që intensiteti i financimeve dhe investimeve të huaja do vazhdojë edhe vitin e ardhshëm.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›