PS, rikthehet sot në Kuvend, ftohen edhe Islami e Harasani
Grupi parlamentar socialist mblidhet sot për të vendosur formalisht rikthimin në Kuvend dhe për të përcaktuar gjithashtu dhe qëndrimin që do të mbajë për çështjet e rëndësishme që do të trajtohen në këtë sesion të ri parlamentar. Mbledhja do të zhvillohet në mesditë dhe në të janë lajmëruar të marrin pjesë të gjithë deputetët socialistë, duke përfshirë edhe Kastriot Islamin dhe Andis Harasanin, të cilët gjatë muajve të fundit ishin përfolur se do të përjashtoheshin nga grupi për shkak të shkeljeve të vendimeve të tij.
Grupi
Vetëm pak orë para se Kuvendi të mblidhet në seancë plenare, për të hapur sesionin e katërt të legjislaturës XVIII, PS-ja do të mbledhë grupin e saj parlamentar. Burime pranë selisë rozë kanë konfirmuar se në këtë mbledhje janë thirrur të marrin pjesë të gjithë deputetët që janë pjesë e grupit, pa përjashtuar këtu as ata që në vazhdimësi gjatë fundit të sesionit të shkuar, ndryshe nga kolegët e tyre, morën pjesë në seancat parlamentare, duke mos njohur kështu bojkotin. Bëhet fjalë për deputetët Harasani dhe Islami, për të cilët shpesh herë kohët e fundit, për shkak të qëndrimeve të tyre kundërshtuese ndaj linjës zyrtare të partisë dhe vetë grupit, është përfolur se do të përjashtoheshin prej tij. Por duket se drejtuesit e selisë rozë kanë hequr dorë nga ky plan, duke mos dashur që ta nisin këtë sezon politik me masa përjashtuese, duke ia lënë këtë gjë një procesi normal të veçimit të dy deputetëve gjatë procesit të zgjedhjeve në parti që do të konkludojë me rinovimin e forumeve drejtuese të partisë, ku me shumë gjasa dy deputetët e mësipërm nuk do të jenë më pjesë. E pavarësisht kësaj, mësohet se Kastriot Islami nuk do të jetë në mbledhjen e grupit për shkak të një angazhimi në kuadër të delegacioni parlamentar në Gjermani. Mbledhja e parë e grupit për këtë sesion pritet me interes edhe për faktin se për herë parë pas një mungese të gjatë, në selinë rozë pritet të kthehet dhe nënkryetari i grupit, Erion Braçe, i cili siç mësohet ditët e fundit ka injoruar një takim të thirrur nga kryetari Edi Rama me deputetët e qarkut të Beratit.
Vendimet
Grupi parlamentar socialist pritet të diskutojë për kursin e ri politik që PS ka vendosur të ndjekë në Kuvend. E natyrshëm vendimi i parë formal do të jetë ai për të hequr dorë nga marrëdhënia e kushtëzuar me Kuvendin dhe pjesëmarrjen e deputetëve të tij në jetën e plotë parlamentare, si në mbledhjet e komisioneve ashtu edhe në seancë plenare. Një çështje që pritet të shkaktojë debat do të jetë padyshim qëndrimi që do të mbajë ky grup parlamentar lidhur me çështjet që shtrohen përpara në kuadër të reformave integruese, siç janë ligjet që kërkojnë 3/5 e votave. Megjithëse burime nga PS kanë bërë të ditur se miratimi i tyre, megjithëse është pranuar të futet në kalendarin e punës në komisionet e përhershme parlamentare do të kushtëzohet me një reformë më të gjerë institucionale në vend. Gjithashtu jo vetëm në këtë mbledhje të parë, por edhe në vazhdimësi grupi socialist pritet të organizojë dhe strategjinë e veprimit në Kuvend, ku një rëndësi e veçantë pritet t’i kushtetohet rolit kontrollues ndaj qeverisë.