E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi-Withers: Qeveria po tenton të tkurrë rolin e Presidentit në Prokurori

Diplomati amerikan në Tiranë zbardh takimet me Berishën dhe Topin për ligjin për Prokurorinë dhe atë për SHISH. “Berisha u zbraps për Shërbimin Informativ, tha se nuk ishte në dijeni”

Në dy takime të veçanta në 4 dhe 5 shtator, kryeministri Sali Berisha dhe presidenti Bamir Topi kanë takuar ambasadorin Withers për marrëveshjen me NATO-n dhe draftet për median, prokurorinë dhe SHISH. Në një telegram të zbardhur nga Wikileaks, Withers pohon se Berisha menjëherë nisi të lëshojë pe dhe ra dakord me të gjitha sugjerimet e ambasadorit. Megjithatë, Presidenti Topi shprehu shqetësimet e tij të forta se Berisha do vazhdojë përpjekjet e tij për të vënë në kontroll institucionet e pavarura, veçanërisht Prokurorinë e Përgjithshme.

Berisha: ǒtë kërkoni do u japim!

Ambasadori Withers e hapi takimin me kryeministrin Berisha, duke e informuar atë se zyrtari i lartë amerikan, Fried do të dëshmojë përpara Kongresit në 10 Shtator sa i takon zgjerimit të NATO-s. Berisha nga ana e tij e falenderoi ambasadorin për ndihmën e çmuar të SHBA-ve për antarësimin në NATO dhe shprehu pëlqimin e tij të “fortë e të palëkundur” ndaj Gjeorgjisë. Më tej, ambasadori shprehu shqetësimin e tij për sa i takon draftit të ligjit për Prokurorinë e Përgjithshme, duke i thënë Berishës se ai ishte konfuz dhe i paqartë, por ishte bërë në vetvete për të imponuar më shumë kontroll politik mbi Prokurorin e Përgjithshëm. Ambasadori kërkoi që një draft i plotë i ligjit t’i jepet Grupit të Punës, ku merr pjesë dhe misioni OPDAT për një rishikim të gjithëanshëm. Berisha ra dakord se procesi i hartimit të draftit ishte konfuz dhe tha se të vinte në dispozicion një kopje të draftit menjëherë. Kryeministri më pas siguroi ambasadorin se drafti për Prokurorinë e Përgjithshme, kur të përfundojë do të jetë në përputhje më të gjitha standardet ndërkombëtare. Berisha i tha ambasadorit se ai gjithashtu donte të shtynte parlamentin për t’u hequr imunitetin për të gjithë antarëve të qeverisë dhe deputetëve dhe jo vetëm për Prokurorin e Përgjithshëm. Pas sugjerimit të ambasadorit, Berisha gjithashtu ra dakord që të hiqte nga drafti një propozim për të emëruar një përfaqësues të Ministrisë së Drejtësisë në Këshillin e Prokurorëve si dhe u zbraps nga një tjetër propozim në draftin ligjor, për t’i hequr të drejtën e votës përfaqësuesit të Presidentit në Këshillin e Prokurorëve. Ambasadori Ëithers shkruan se sa i përket draftit për SHISH-in, Berisha kishte pohuar se nuk ishte në dijeni për një nismë të tillë. Berisha shtoi se ka “ zero qëllim për të ndikuar median” në çdo rast.

Presidenti Topi: Qeveria e Berishës s’është transparente

Në takim, Ambasadori e siguroi Presidentin Topi se edhe pse Shqipëria nuk ka avokat më të fortë dhe aleat më të madh për anëtarësimin në NATO, SHBA-ja mbetet e shqetësuar për një numër zhvillimesh të brendshme në Shqipëri, ku përfshihen shqetësimet për draftin ligjor për median dhe draftin për ligjin mbi Prokurorinë e Përgjithshme. Ambasadori i tha presidentit Topi se sa më afër NATO-s shkon Shqipëria, aq më shumë pritet prej saj. Nga ana e tij, Presidenti Topi ra dakord se disa nga punët e qeverisë janë bërë në mungesë të transparencës. Ai kritikoi përpjekjet e qeverisë për të politizuar Televizionin Publik Shqiptar, nëpërmjet emërimit të përfaqësuesve partiakë duke shtuar se opozita ka dështuar në kritikën e saj ndaj këtyre përpjekjeve. Topi ndau me ambasadorin shqetësimet e tij, sa i takon projektligjit për Prokurorinë e Përgjithshme, duke shtuar se zyra e tij nuk ka ende një draft të plotë në duar. Topi arsyetoi se drafti që po përgatitet synon tkurrjen e influencës e zyrës së Presidentit në këshillin e Prokurorisë, ndërsa në të njëjtën kohë shton rolin e Ministrisë së Drejtësisë, duke shtuar një votë nga përfaqësuesi i kësaj ministrie dhe duke i hequr një votë në Këshill zyrës së Presidentit. Topi tha se është e “papranueshme” që qeverisë iu deshën katër vite për të nisur procesin e prodhimit të kartave të identitetit dhe shprehu shqetësime për vonesat e përsëritura në kalimin e një kodi të ri zgjedhor.

Qëndrimi pajtues i Berishës ndaj shqetësimeve që iu shprehën nga ambasadori duket se reflektojnë më shumë një ndryshim taktik, sesa një ndryshim në strategjinë e tij afatgjatë. Pas disa takimeve me Ambasadën për draftin për Prokurorinë e Përgjithshme, Berisha duket se bie dakord tani për tani. Sa i takon draftit, ditët e fundit kanë treguar se Ministria e Drejtësisë është pajtuar me shumicën e objeksioneve mbi draftin. Ngelet për t’u parë nëse Berisha do t’i qëndrojë fjalës për draftin tjetër ligjor, por është për t’u theksuar se Berisha hapi rrugë menjëherë ndaj çdo pretendimi të Ambasadorit gjatë takimit. Megjithatë, opinioni i përgjithshëm në radhët e vëzhguesve ndërkombëtarë, bashkë me ata shqiptarë është se Berisha do të vazhdojë të synojë kontrollin mbi median, Prokurorin e Përgjithshëm dhe Shërbimin Informativ, me qëllimin për të shtënë në kontroll hetimin e Gërdecit dhe për të siguruar një pozicion dhe imazh më të mirë për Partinë Demokratike në zgjedhjet e ardhshme. I vetmi ndryshim është se duket se Berisha po heq dorë nga sulmi frontal ndaj institucioneve të pavarura, në këmbim të një taktike më indirekte të shtënies në kontroll të këtyre institucioneve.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›