Dokle: Votojmë ligjet me 3/5 nëse PD-ja pranon reformën institucionale
Socialistët janë të gatshëm të votojnë ligjet që kërkojnë një shumicë të cilësuar votash vetëm nëse mazhoranca nga ana tjetër do të pranojë që të diskutojë një reformë të gjerë institucionale, kryesisht për organet e drejtësisë dhe ato kushtetuese. Nënkryetari socialist i Kuvendit, Namik Dokle, duke folur për aksionin e ri opozitar që do të ndjekë grupi parlamentar socialist me rikthimin në Kuvend, ka bërë të ditur faktin se PS po përgatitë një paketë propozimesh ligjore që synojnë të reformojnë shtetin shqiptar, në veçanti në organet e drejtësisë. “Propozimet tona do të synojnë që institucionet e drejtësisë dhe institucionet e tjera të pavarura të shpëtojnë përfundimisht nga thundra e pushtetit dhe thundra e zyrtarëve të korruptuar. Nëse ata do të bien dakord me këtë, vetëm mirë do t’i bëhet Shqipërisë. Por unë jam pesimist nëse do të bien dakord me të gjitha propozimet që opozita ka përgatitur dhe po përgatit përsa i përket këtyre elementeve”, - tha Dokle. Më tej ai ka shtuar se në varësi të qëndrimit që do të mbaj mazhoranca për këtë reformë, PS do të përcaktojë dhe qëndrimin e saj ndaj të gjitha atyre ligjeve që prej vitesh qëndrojnë në sirtarët e Kuvendit, për shkak se kërkojnë 84 vota për t’u miratuar. “Për ne ka rëndësi koncepti dhe filozofia mbi bazën e së cilës do të punohet për këto ligje. Ne synojmë një reformë thelbësore europiane dhe jo arnime të tipit ballkanik, të cilat e ndihmojnë dhe nuk ndikojnë pozitivisht në integrimin e vendit. Nëse mazhoranca do të ketë vullnetin të bashkohet me këtë reformë në tërësi, atëherë nuk ka asgjë që mund të pengojë votimin e ligjeve të tjera”, - u shpreh Dokle. Ndërkohë që lidhur me reformën zgjedhore, socialistët në vijim edhe të qëndrimit të shprehur në Konferencën e Kryetarëve, kanë theksuar se për të nuk duhet nxituar, por duhet pritur më parë opinioni që do të japë Komisioni i Venecias për pyetjet e paraqitura nga sekretari i përgjithshëm i KiE. “Ne siç e dini kemi bërë një kërkesë dhe i kemi shtruar disa pyetje Këshillit të Europës dhe OSBE/ODIHR-it për t’ju adresuar Komisionit të Venecias dhe mbi këtë bazë ne do të ngremë një grup pune në PS që të kemi të përgatitur gjithçka në mënyrë që kur të shkojmë në Komisionin e Reformës Zgjedhore çdo gjë të jetë e gatshme për t’u miratuar. Ne jemi mëse të interesuar përsa i përket reformës zgjedhore”, theksoi Dokle.