E Diel, 1 Nëntor 2026

“PS shkeli Kodin Zgjedhor - lista e zgjedhësve, garanci për një proces të lirë e të ndershëm”

16-04-2011 / Gazeta 55

Raporti i parë i Misionit të vëzhguesve të OSBE/ODIHR, për zgjedhjet vendore të 8 majit

Raporti paraprak i Vëzhguesve të OSBE/ODIHR për zgjedhjet vendore të 8 majit 2011-të, vlerëson se janë plotësuar pjesa dërrmuese e detyrimeve nga qeveria qendrore në bashkëpunim me atë vendore. Raporti evidenton se përgatitjet kanë qenë serioze pavarësisht retorikës së nxehtë politike mes mazhorancës dhe opozitës. Raporti vëren se forcat e opozitës të kryesuara nga Partia Socialiste, shkelën ligjin, duke mos dërguar emrat në KQZ për ngritjen e KZAZ-ve dhe QV-ve.
Gjithashtu, raporti kritikon se KQZ, zbatoi standarde të dyfishta duke regjistruar PS-në në KZAZ, në një kohë kur kishte skaduar afati ligjor.
“Komisionet e Zonave të Administrimit Zgjedhor (KZAZ-të) nuk u ngritën brenda afatit të përcaktuar kohor, për shkak se të gjitha partitë e regjistruara nuk arritën të dorëzonin të emëruarit e tyre. Partitë e mazhorancës emëruan anëtarët e komisioneve menjëherë pas këtij momenti, por partitë opozitare nuk e bënë një gjë të tillë deri në fund të marsit. Përkohësisht, KQZ-ja caktoi kandidatë nga organizatat e shoqërisë civile në KZAZ-të”, thuhet në raportin e vëzhguesve të OSBE/ODIHR.
Raporti e cilësoi Kodin Zgjedhor, si një kod me boshllëqe e të paqartë në lidhje me zgjedhjet për qeverinë vendore.
“Për shembull, kodi nuk shprehet qartë nëse ka një prag minimal në lidhje me përfaqësimin në këshillat vendore, dispozitat për financimin e fushatës me fonde publike nuk gjejnë zbatim të plotë për zgjedhjet vendore, dhe nuk ka dispozitë lidhur me regjistrimin e kandidatëve për Bashkinë e Tiranës, pasi ligji nuk specifikon një organ kompetent për administrimin e zgjedhjeve”, thuhet në raport.
Por, ajo që cilësohet më e rëndësishmja në këtë proces zgjedhor është hartimi në kohë i listës së zgjedhësve si pastrimi i tyre nga publikimet.
“Janë bërë përpjekje për të eliminuar dublimet në regjistrime dhe të dhënat për personat e vdekur, duke bërë verifikimin e saktësisë së të dhënave. Lista Paraprake e Votuesve (LPV) u afishua për t’u verifikuar nga publiku në tetor 2010, dhe partive politike u është dërguar kopja elektronike e LPV-së”, vijon raporti.
Duke theksuar se që nga 8 prilli, intensiteti i aktiviteteve të fushatës është rritur, raporti vlerëson se problemet e fushatës përfshijnë zhvillimet në infrastrukturë, cilësi të shërbimeve që ofron Bashkia dhe zgjidhje të papunësisë.
Sipas OSBE/ODIHR, fushata është karakterizuar nga sulmet e ashpra personale me akuza për korrupsion nga të dy anët. Raporti vëren garën e madhe që po zhvillohet në kryeqytet nga të dyja palët si PD-ja edhe PS-ja, për kryetar Bashkie në Tiranë. OSBE/ODIHR, vë theksin edhe tek roli i grave në jetën publike shqiptare. “Njëzet e tre nga 140 deputetë në Kuvend janë gra (16.4 për qind). Kodi zgjedhor përmban dispozita që garantojnë pjesëmarrjen si të grave, edhe të burrave në KQZ dhe në KZAZ-të. Dy nga shtatë anëtarë të KQZ-së janë gra. Kodi kërkon që secila gjini të përbëjë të paktën 30 për qind të anëtarëve të emëruar në KZAZ, nga partia më e madhe mazhoritare dhe partia më e madhe e opozitës”, thuhet më tej në raport.

Konteksti politik
Zgjedhjet e 8 majit 2011 janë zgjedhjet e para vendore që do të zhvillohen që nga momenti i ndryshimeve në Kushtetutë dhe adoptimi i Kodit të ri Zgjedhor më 2008. Në 2009-ën, koalicioni zgjedhor i kryesuar nga PD-ja fitoi 70 nga 140 vende në parlament (Kuvend) dhe formoi një qeveri me Lëvizjen Socialiste për Integrim (LSI), e cila fitoi katër vende. Rezultatet e zgjedhjeve u kundërshtuan nga koalicioni zgjedhor që kryesohej nga PS-ja, dhe deputetët e saj bojkotuan parlamentin deri në mars 2010vërehet midis ët tjerave nga na e misionit OSBE/ODIHR.
Që nga zgjedhjet e 2009-ës, mjedisi politik ka vazhduar të jetë shumë i polarizuar, me një retorikë të ashpër dhe sulme personale, si edhe demonstrata nga ana e opozitës. Tensioni u rrit menjëherë pas një proteste antiqeveritare të organizuar nga PS-ja në Tiranë, më 21 janar 2011, ku pati përleshje të ashpra ndërmjet protestuesve dhe forcave të sigurisë. Katër persona u vranë dhe shumë të tjerë u plagosën. Parlamenti nisi një hetim, ndërsa Prokurorja e Përgjithshme nisi një hetim të veçantë për gjuajtjen me armë. Këto hetime, që ndezën edhe më shumë kundërshtitë politike, nuk kanë përfunduar ende. Pas ngjarjeve të 21 janarit, ka pasur disa vizita ndërkombëtare të nivelit të lartë për t’u bërë thirrje për
qetësi dhe përgjegjësi në përgatitjet për zgjedhjet e 8 majit. Presidenti u ka bërë thirrje të gjitha partive të sillen në mënyrë të përgjegjshme dhe të veprojnë në përputhje me ligjin. Të dyja palët, si udhëheqësit e mazhorancës, ashtu edhe ata të opozitës kanë deklaruar se ata kanë si prioritet që zgjedhjet të zhvillohen në përputhje me angazhimet e OSBE-së dhe detyrime të tjera në nivel ndërkombëtar. PS-ja ka shprehur shqetësimin duke thënë se nuk beson se do të ndodh kështu dhe ka bërë një numër propozimesh për “të garantuar” procesin, përfshi përdorimin e skanerave për Kartat e Identitetit, aksesin ndaj përditësimit të listës paraprake të votuesve, ri-numërimin e votave me kërkesën e dy anëtarëve të KQZ-së, dhe kontrollin paszgjedhor të materialeve zgjedhore si një masë
shtesë në lidhje me transparencën. PD-ja ka shprehur besim të plotë për procesin e zgjedhjeve.

Rekomandimet
Një nga rekomandimet kryesore të OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet parlamentare të 2009-ës kishte të bënte me përgjegjësinë e partive për të bërë përmbushjen e detyrave zgjedhore në një mënyrë të përgjegjshme. Nën drejtimin e komunitetit ndërkombëtar, një tryezë e rrumbullakët diskutimi u organizua me partitë parlamentare në fund të marsit për një “marrëveshje të vullnetit të mirë” bazuar në këtë rekomandim.
Partitë e mazhorancës e firmosën marrëveshjen, ndërsa partitë e opozitës nuk e firmosën.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›