“Kur të votojnë, elbasanit të kujtojnë se Edi Rama u përpoq për të bllokuar autostradën Tiranën – Elbasan”
Kryeministri Berisha prezanton në Elbasan kandidatin për kryetar bashkie, Durim Hushi
Partia Demokratike dhe koalicioni “Aleanca për Qytetarin”, ka çelur pasditen e djeshme fushatën elektorale në qytetin e Elbasanit. Përballë mijëra qytetarëve që kishin mbushur sheshin ‘Gensher’ në qendër të qytetit, kryeministri Sali Berisha prezantoi kandidatin e Aleancës për Qytetarin, për postin e kryetarit të bashkisë për këtë qytet, Durim Hushi.
Të pranishëm gjatë këtij prezantimi ishte i deleguari për drejtimin e shtabit elektoral të qarkut të Elbasanit, Ministri Arben Imami, Zëvendëskryetari i Kuvendit të Shqipërisë, njëkohësisht deputeti i Elbasanit, Ardian Turku, deputeti Luçiano Boçi, Aurel Bylykbashi, Ardiana Gjoni si dhe mjaft simpatizantë dhe përkrahës të Partisë Demokratike dhe koalicionit të gjerë qeverisës.
Fjalën e hapjes e mbajti kreu i PD-së së Elbasanit, Boçi, i cili ndër të tjera theksoi se “nën ritmin e një fushate për qytetarin ne sot dalim përpara jush m,e besimin dhe vullnetin që rruga jonë e përbashkët, rruga jonë e zhvillimit dhe e ecjes përpara për një Elbasan të së ardhmes, për një Elbasan të dijes dhe kulturës, tradicional dhe modern, për një Elbasan Europian, të jetë një rrugë shërbimi, një rrugë dëshirash dhe realizimesh të pafundme”. “Ne duam që qyteti ynë të jetë një projekt gjigand përparimi, një burim i pashtershëm mençurie dhe energjie, një urë jete pa të cilin vlerat janë vlera dhe premtimet janë premtime. Prandaj sot ne shpallim vizionin tonë dhe ky vision është konkret që i përket dhe shërben të gjithëve”, u shpreh ai.
Nën moton “Ju jeni të parët”, kryeministri Berisha i ftoi qytetarët elbasanllinj, që të votonin kandidatin e koalicionit të djathtë në 8 maj, duke i garantuar se ai do të ketë mbështetjen e plotë të qeverisë për realizimin e projekteve të shumta që do realizojë në qytetin e Elbasanit.
“Ju jap fjalën se qeveria do të financojë çdo projekt që ju së bashku me Durim Hushin do të vazhdoni gjatë mandatit që vjen. Elbasni do ketë unazën dhe bypass-in e tij, impiantin e përpunimit të mbetjeve urbane, kampusin e tij universitar dhe parkun e tij më të bukur. Së bashku me qytetarin tuaj të parë do presim shiritin e autostradës Tiranë- Elbasan, autostradë kjo me një investim 460 milion dollarë, me katër korsi dhe 7 mbikalime, 4 nënkalime, shumë ura dhe shpejtësi 120 km/orë, me gjatësi prej 31.7 km. Autostrada kushton 4 herë më shumë se projekti i rrugës tjetër, por edhe sikur të kushtonte 40 herë më shumë do ta bënim”, u shpreh Berisha.
Duke iu referuar akuzave të hedhura nga kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, i cili etiketoi kryeministrin Berisha duke e quajtur atë një drejtor ‘komunalje’, kreu i ekzekutivit tha: “Këto ditë kreu i PS-së, i cili ka varur në qafë një zinxhir të pafund shpifjesh, mendoi se do të më fyente duke më quajtur mua ‘Drejtor komunaleje’. Jo zotëri, e ke gabim! Unë për qytetarin jam punëtor komunaleje. U gabove ti, me atë që the. Ndjehem i privilegjuar, i bekuar nga Zoti, t’u shërbej nga mëngjesi në mbrëmje çdo qytetari të këtij vendi. Europa nuk vjen në Shqipëri, ne duhet të ndërtojmë Europën këtu”, deklaroi kryeministri.
Ndërkohë Berisha gjatë fjalës së tij bëri premtimin më të madh elektoral për qytetarët e Elbasanit. Dhe projektin më të madh që qeveria ka për këtë qytet.
“Kam bindje se me Durim Hushin kryetar të ardhshëm të bashkisë së Elbasanit dhe Lulëzim Bashën kryetar të ardhshëm të Tiranës, në pranverën e vitit 2013 do të bashkojmë Elbasanin me Tiranën”, përfundoi kryeministri Berisha.