“Edi Rama e ka kthyer kryeqytetin në të dytin qytet më të betonizuar në Europë”

Deputetja Rajmonda Bulku
Deputetja demokrate Rajmonda Bulku, ka shprehur shqetësimin e saj lidhur me mungesën e hapësirave të gjelbra dhe mungesën e parqeve në kryeqytet. Përmes një konference për mediat, deputetja e PD-së, Bulku tha se “sot Tirana ka shumë pak vende apo parqe ku mund të luajnë fëmijët, ku familjet të mund të kalojnë kohën së bashku dhe ku njerëzit të luajnë apo të ushtrojnë sporte të ndryshme”.
Duke vijuar më tej, Bulku ka theksuar se mungesa e këtyre hapësirave bën që Tirana të mos jetë kurrë një qytet modern europian. Popullsia është rritur ndjeshëm, edhe taksa e gjelbërimit që paguajnë qytetarët është rritur nga 250 për qind në 300 për qind dy vitet e fundit, por numri i parqeve në Tiranë ka rënë në mënyrë drastike”, tha Bulku.
Duke vijuar më tej ajo tha se Tirana është sot qyteti i dytë më i betonizuar në mbarë Evropë sipas Agjencisë Evropiane për Mjedisin.
“Një raport i kohëve të fundit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë thotë se çdo qytetar i Tiranës humb 1 deri në 2 vjet jetë nga niveli i lartë i ndotjes së ajrit që vjen vetëm si pasojë e punimeve në qendër të qytetit”, deklaroi deputetja e partisë Demokratike, Bulku. Ndër të tjera ajo nënvizoi se, aktualisht sipërfaqja e gjelbër, zë vetëm 2.7 m² për banorë, ndërkohë që Rregullorja e Urbanistikës përcakton se norma minimale e gjelbërimit duhet të jetë 7 m² për banorë.
“Kemi mungesë totale të zonave të gjelbra brenda zonave te banimit dhe përpjesëtimi mes betonit dhe hapësirës së gjelbër është në nivele alarmante, 180 metër katrorë beton për 2.7 metër katrorë hapësirë të gjelbër, për çdo banor të Tiranës. Edhe ato pak hapësira të gjelbra që kanë mbetur, janë në një gjendje të mjeruar”, theksoi Bulku.
Duke akuzuar kryebashkiakun Rama, Deputetja e PD-së, Bulku solli në vëmendjen e qytetarëve se “Rama interesohet vetëm për politikën kombëtare dhe ka lënë në harresë të përditshmen e qytetarëve, madje shtoi se për këto arsye është koha që të zgjidhet një kryebashkiak ndryshe”. Ndër të tjera ajo shtoi se, “mungesa e hapësirave të gjelbra po shkakton vërtetë një efekt negativ tek çdo burrë, grua dhe fëmijë në qytetin tonë. Fëmijët e Tiranës meritojnë një fëmijëri, jo një kryebashkiak që ka betonizuar thuajse të gjitha hapësirat publike të qytetit”, deklaroi më tej deputetja demokrate për qarkun e Tiranës, Rajmonda Bulku.