BE: Japim “ok”-ejin për hapjen e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë
Kryeministri hungarez Orban la të kuptohet qartësisht jo vetëm se Shqipërisë i duhet dhënë statusi i kandidatit, por edhe të hapen sa më shpejt negociatat e anëtarësimit
Presidenca hungareze e Bashkimit Evropian mbështet hapjen sa më të shpejtë të negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë. Kryeministri hungarez, Orban, ka bërë të kuptohet qartësisht jo vetëm se Shqipërisë i duhet dhënë statusi i kandidatit, por edhe të hapen sa më shpejt negociatat e anëtarësimit.
Kryeministri hungarez e mbështet këtë përshpejtim etapash për Shqipërinë, pasi vendi i tij ka pasur të njëjtën eksperiencë politike si Shqipëria në prag të anëtarësimit të Hungarisë në Bashkimin Europian. Opozita në Hungarinë e viteve 2000-2002 nuk votonte ligje të rëndësishme për anëtarësimin e vendit në BE, duke tentuar të bllokojë qartësisht këtë proces.
“Më lejoni të ndalem tani tek Shqipëria. Ajo është një kandidat potencial i BE-së dhe anëtare e NATO-s. Edhe pse vendi duhet të përmbushë 12 kritere për hapjen e negociatave të anëtarësimit, presidenca hungareze inkurajon hapjen e shpejtë të tyre. Kjo pasi çdo shtyrje e procesit me Shqipërinë mund të keqësojë stabilitetin e brendshëm të vendit”, tha Viktro Orban, kryeministri i Hungarisë.
Kurse presidenti Barroso ka bërë të ditur, se ai do të vizitojë Shqipërinë dhe Kosovën në muajin maj, gjë që ia ka konfirmuar edhe kryetares së Kuvendit Topalli në një bisedë të shkurtër të zhvilluar me të.
“Unë kam vizituar Kroacinë, Bosnjën, Malin e Zi dhe Maqedoninë. Kam për qëllim që të vizitoj Serbinë, Kosovën dhe Shqipërinë muajin e ardhshëm. Ne i shohim këto vende si pjesë e Europës. E tanishmja dhe e ardhmja e tyre janë në BE. Por që të bëhet anëtar i BE, duhen kryer reforma. Rajoni është qartësisht në lëvizje, por ne nxisim çdo shtete të rajonit që të bëjë hapa përpara. Secili prej tyre e meriton dhe secili prej tyre duhet të jetë një histori suksesi që duam të shkruajmë bashkë”, tha Barroso, presidenti i Komisionit Europian.
Vizita e Barroso nuk do të jetë vetëm për të parë nëse Shqipëria i kalon me sukses zgjedhjet e tetorit, por gjithashtu edhe nëse plani i aksionit për rekomandimet e Komisionit Europian, siç e ka konfirmuar një javë më parë dhe ministrja e Integrimit. “Kjo periudhë deri në fund të majit nuk do të jetë e përqendruar vetëm te zgjedhjet por edhe te reformat”, tha Majlinda Bregu, ministre e Integrimit.
Sipas Brukselit, Mali i Zi do të marrë një datë për hapjen e negociatave të anëtarësimit në fund të këtij viti dhe Serbia statusin e kandidatit. Mbetet për të parë nëse Shqipëria do t’i kalojë provat e zgjedhjeve dhe 12 rekomandimeve me sukses.