E Shtunë, 31 Tetor 2026

Cani: Kritikat e Meidanit për programin, të mirëpritura

TIRANE-Shkëlqim Cani, një prej anëtarëve më të rinj të kryesisë së Partisë Socialiste, e vlerëson si një përgjegjësi më shumë zgjedhjen e tij, në forumin e lartë të kësaj partie. Ai është një nga ekspertët e ekonomisë që ka kontribuuar edhe më përpara për hartimin e programit të PS-së. Në një intervistë për “Gazeta Shqiptare”, Cani vlerëson programin që u miratua edhe në Kongresin e 5 nëntorit, ndërsa shprehet se edhe kritikat e bëra nga ish-Presidenti Meidani janë të mirëpritura. “Po mbajmë shënim me vëmendje dhe mirëkuptim çdo sugjerim. Kritika e sugjerime ka pasur për programin edhe nga kryetari i partisë, nga presidenti Mejdani”, - është shprehur Cani. “Këtë radhë nga programi presim që deri në zgjedhjet e ardhshme të kemi një program elektoral, për më tepër edhe qeverisës, që do të ‘trokasë’ në derën e secilit shtetas, kudo qoftë”, - sqaroi anëtari i kryesisë së PS-së. Ndërsa në lidhje me qeverinë, ish-Guvernatori i Bankës së Shqipërisë shprehet se: Pushteti apo qeveria aktuale është si një copë rreckë e varur në një çengel, ku ministrat apo dhe zyrtarët e tjerë të lartë i janë turrur për të shkulur sa të mundin ndonjë copë prej saj. Ai tha se: “duhet fare pak për t’i përzënë. Por, problemi është që dhëmbët e tyre e kanë dëmtuar së tepërmi copën dhe duhet jo pak punë për ta riparuar”.
Zoti Cani, ju keni kohë që angazhoheni si ekspert i ekonomisë në Partinë Socialiste. Por, së fundi ju u bëtë pjesë edhe e kryesisë së kësaj partie. Si e pritët propozimin e ri të kryetarit të PS-së për t’ju bërë pjesë të këtij forumi të lartë?
Së pari, e mbi të gjitha e shoh si një vlerësim nga kryetari dhe anëtarësia e Partisë Socialiste dhe për këtë i falenderoj. Është e natyrshme që ky është një angazhim shtesë që kërkon diçka më shuma nga sa kam bërë deri më tani, por kuptohet pa hequr dorë, në mos edhe më shumë tashmë, duke bërë dhe punën e ekspertit.
Si e shihni Partinë Socialiste, me syrin e një eksperti që megjithëse ka dhënë kontribut për të, ka qëndruar jashtë politikës aktive të ditës?
Partia Socialiste është partia më e madhe në vend. Një parti e konsoliduar në vite, ku në të gjitha nivelet ka individë dhe organizime dinjitoze me ekspertë mjaft të mirë, që mendoj se janë të aftë që brenda një kohe shumë të shkurtër të kthejnë keqqeverisjen e deritanishme në shërbim të një klike të kësaj qeverie në mirëqeverisje, në shërbim të qytetarit.
Ju keni dhënë gjithashtu kontributin tuaj edhe në programin e PS-së. Sa e shihni PS-në pranë pushtetit në 2013, me përpjekjet e deritanishme të saj?
Pushteti apo qeveria aktuale është si një copë rreckë e varur në një çengel, ku ministrat apo dhe zyrtarët e tjerë të lartë i janë turrur për të shkulur sa të mundin ndonjë copë prej saj. Duhet fare pak për ti përzënë. Por problem është që dhëmbët e tyre e kanë dëmtuar së tepërmi copën dhe duhet jo pak punë për ta riparuar. Veç programit, duket se duhet edhe një dëshirë e pastër, një vullnet i fortë dhe punë, shumë punë e mund nga të gjithë. Këto tipare e virtyte duket se nuk mungojnë në Partinë Socialiste.
Çfarë mendoni se është bërë keq në këtë program, duke pasur parasysh disa kritika të bëra edhe nga ish-Presidenti Rexhep Meidani, pak para miratimit të këtij programi në Kongres?
Besoj që biem dakord me të gjithë lexuesit se me këtë program është bërë një punë relativisht e lavdërueshme. Janë hedhur themelet apo “janë vënë pikat mbi i” për një mori çështjesh themelore që shqetësojnë shtetasin, biznesin etj. Këto vlerësime pozitive janë dhënë edhe nga oponentët e rreptë të Partisë Socialiste. Kritikat janë të mirëpritura nga kushdo, pasi programi është në objektiv të përmirësimit dhe ka shumë ditë që ka filluar komunikimi, diskutimi dhe debati për marrje mendimi me ekspertë dhe anëtarësinë e partisë. Po mbajmë shënim me vëmendje dhe mirëkuptim çdo sugjerim. Kritika e sugjerime ka pasur për programin edhe nga kryetari i partisë, nga presidenti Mejdani, por edhe nga diskutantët që ju përmenda më sipër. Këtë radhë nga programi presim që deri në zgjedhjet e ardhshme të kemi një program elektoral, për më tepër edhe qeverisës, që do të “trokasë” në derën e secilit shtetas, kudo qoftë. E rëndësishme është që ne të arrijmë që këtë program ta vlerësojë dhe ta pranojë shtetasi shqiptar, por më shumë e rëndësishme është të gjej zbatimin e duhur në qeverisjen e ardhme. Nëse nuk dëshiron ta degradojë më tej vendin, hapësira për zbatim ka edhe qeveria aktuale, e cila aktualisht noton në ujëra të ndenjura e pashpresë.
Çfarë mendoni se do të sillni të re në Partinë Socialiste, ju edhe një grup anëtarësh të rinj, që hyni për herë të parë në këtë forum?
Gjykoj që e rëndësishme është dëshira e mirë, vullneti dhe vendosmëria për të ndryshuar e përmirësuar këtë realitet në degradim. Dhe kjo nuk është se bëhet nga të vjetër a të rinj. Personalisht, por edhe të tjerët, siç edhe e konstatoni edhe ju në pyetjet tuaja të kësaj interviste, kemi qenë të angazhuar edhe pse pa një tagër prej anëtari kryesie. Nga mbledhja në kryesi, para disa ditëve, konstatova që të gjithë jemi të vendosur në kërkim të një realiteti të ri, krejt të ndryshëm nga bataku i sotëm.

(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›