PS sulmon turizmin shqiptar
Çfarëdolloj statistike që vërteton integrimin e Shqipërisë në BE shkakton fatalitet politik në zyrat e PS-së. Partia e pjellë prej Bllokut Enverist s’duron dot kurrfarë të dhëne për bukuritë natyrore, kapacitet hoteliere apo edhe veçantitë e kuzhinës shqiptare. Edi Rama urdhëroi dje të shpallet dështimi i sezonit turistik, sepse kështu duket se ishte dhënë direktiva nga shtabi i krizave ballkanike, i cili që prej kohëve të Internacionales së Tretë Komuniste, s’pushon së shërbyeri për armiqtë natyralë të shqiptarëve
Si një rrufe në qiell të hapur mund të duket deklarata djeshme e partisë Socialiste për sezonin turistik në vend. Sekretari për programin në PS, Ilir Beqja deklaroi se “ndërsa sezoni turistik po i afrohet mbylljes, edhe për këtë vit rezulton i dështuar siç ishin 7 vite”. Sigurisht kjo deklaratë për mediat e opozitës nuk bazohej në të dhëna e zhvillimit të turizmit në Shqipëri apo me studime shkencore të mirëfillta.
Treguesit më të rëndësishëm të turizmit janë numri i turistëve të huaj, dhe të ardhurat e siguruara nga turizmi. Gjithashtu për të krahasuar zhvillimin e turizmit në një vend është e nevojshme llogaritja e kapaciteteve turistike të një vendi. Por deklarata e PS-së nuk kërkonte të “demaskonte” paaftësinë e qeverisë, por synimi i fshehur dukej në dëshirën për të frikësuar pushuesit e turistët potencialë. Retorika mesjetare e ankesave për ujë e drita, kanalizime e aksidente rrugore, për plaçkitje dhe tritol agjencive turistike janë për të instaluar një klimë pasigurie tek qytetarët në radhë të parë dhe padyshim tek operatorët turistikë.
Padyshim sulmet e pa principta të partisë Socialiste ndaj një aseti kryesor të ekonomisë vendit siç është turizmi sinjalizojnë jo vetëm një papërgjegjshmëri politike, por në mënyrë të tërthortë bëhen “aleate” të agjencive turistike fqinje. Për të pasur një ide sesi është beteja për të fituar sa më shumë turistë duhet të shikojmë ngjarje analoge në vende e rajone të tjera.
Në logjikën e Lindjes së Mesme ku lufta për të marrë sa më shumë turistë njëri-tjetrit është më reale sesa ajo atomike dezinformimi për rendin, sigurinë personale e rrugore, rehatinë, shërbimet cilësore janë punë shërbimesh sekrete. Një shembull para ca kohës u hap lajmi i frikshëm se në plazhin e Egjiptit “Sharm el Sheik” kishin parë një peshkaqen. Sigurisht ishte një lajm i rremë i prodhuar në media të papërgjegjshme apo të paguara kastile për të përhapur tmerre por që prodhoi mijëra anulime pushimesh. Nëse për analogji lexoni deklaratën e PS për turizmin do të shikoni logjikën e frikësimit të pushuesve apo turistëve potencialë që do të anulonin pushimet në bregdetin apo alpet e Shqipërisë.
Natyrisht importimi i këtij modeli oriental nga segmente të politikës opozitare është një investim apatrid në dëm të interesave kombëtare. Sigurisht sekretari për programin në Partinë Socialiste, Ilir Beqja, i cili u përjashtua nga parlamenti për shkelje flagrante e me dy këmbë të ligjit themeltar të shtetit, Kushtetutën, nuk ka sesi ti dijë efektet e deklaratave të tij. Ai thjesht lexon çka ustai e ustallarët e këtyre punëve dinë të shkruajnë.
Sidoqoftë për sektorin e turizmit, PS-ja nuk është se ka ndonjë platformë apo ndonjë të dhënë faktike. Do të mjaftonte të shikonin statistikat e hyrje-daljeve të personave në Shqipëri, sipas sistemit kufitar TIMS, për të konstatuar një rritje të hyrje në territorin shqiptarë të turistëve të huaj. Nëse do të ishin të vëmendshëm do të shikonin statistikat e Policisë së Shtetit që deklarojnë se për 6 muaj të këtij viti kanë hyrë përveç qytetarëve të shumtë shqiptarë mbi 2 milion shtetas së huaj, përndryshe 118 mijë shtetas të huaj më shumë sesa një vit më parë. Ku 28 mijë qytetarë janë amerikanë, 28 mijë anglezë, 35 mijë italianë, 10 mijë anglezë, pastaj maqedonas e serbë. Sikurse Shqipëria priti gjatë 2011 afro 3 milionë turistë, duke u ofruar gjithçka të bukur ofron natyra shqiptare, nga deti, liqenet, malet, muzetë dhe ajo që biznesi ka investuar në funksion të turizmit. Ndërsa vendin e parë e zënë shtetasit e huaj me 2 milionë e 120 mijë vizitorë dhe 870 mijë vizitorë janë shtetas shqiptarë, rezidentë në vendet e huaja.
Por jo vetëm turizmi i diellit e i rërës ka afruar turistët, por edhe turizmi malor dhe ai kulturor ka rritur numrin e turistëve këtë vit.