PS sytë nga Kushtetuesja për ligjet e miratuara
Opozita ka paralajmëruar në Kuvend se do të dërgojë ligjet në Gjykatën Kushtetuese në rast se mazhoranca nuk tërhiqet nga miratimi i tyre. Deputeti Sajmir Tahiri, në cilësinë e përfaqësuesit të opozitës në Komisionin e Ligjeve, nga foltorja e Kuvendit ka treguar dje arsyet pse opozita e quan antikushtetues ligjin për inspektimin financiar publik. “Ligji ka shkelje procedurale në Komisionin e Ligjeve dhe Komisionin e Financave. Projektligji ka ardhur dhe diskutuar brenda 48 orëve pa pasur mundësi diskutimi. Ligji do të shkojë në Gjykatën Kushtetuese dhe do shikoni se do gjenden vendime antikushtetuese”, tha Tahiri. Në fjalën e tij, deputeti Tahiri tha se “ju kërkoni që të nënshtroni dhe të vini nën presion pushtetin vendor dhe mbi institucionet që ju sjellin pengesë”. Socialistët e quajtën antikushtetues projektligjin, pasi cenon dhe dublon veprimtarinë e institucioneve të pavarura. Nga ana tjetër, deputetja Vasilika Hysi tha se “shprehim votën tonë kundër dhe ju ftojmë të reflektoni që ligji të mos shkojë në Gjykatën Kushtetuese”.
#