Arrestohet dëshmitari i bandave të Durrësit
Arrestohet në sallën e gjyqit dëshmitari i bandave të Durrësit. Edmond çuka, i njohur me pseudonimin “çukja”, u thirr dje për dëshmi nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, për të faktuar vrasjen e shtetasit Dritan Disha, në muajin korrik të vitit 2000. Para gjykatës ai tha se nuk mbante mend emrat e personave të cilët e thirrën në muajin korrik, ndërsa disa muaj më parë dëshmoi në procesin gjyqësor ndaj Bujar Gashit, se disa anëtarë të bandës së Durrësit e kishin faturuar për t’i çuar që të ekzekutonin shtetasin Dritan Disha. Dje dëshmitarit i është “qepur” goja dhe nuk ka preferuar të flasë se kush ishte personi që e faturoi. Pas kësaj, prokurori i Krimeve të Rënda, Anton Martini, ka urdhëruar arrestimin e dëshmitarit, nën akuzën e “dëshmisë së rreme”. Prokurori Martini i është drejtuar më pas gjykatës, duke thënë se avokatët e të pandehurve, si dhe familjarë të tyre, u bëjnë presion dëshmitarëve të bandave të Durrësit. Mësohet se dëshmitari çuka, sipas akuzës, është ankuar gjatë javës së fundit se po shantazhohet nga disa familjarë të të pandehurve dhe ka kërkuar të mos dëshmojë në gjykatë. Oficerët e Policisë Gjyqësore të Krimeve të Rënda dhe të Policisë së Shtetit kanë kontaktuar me dëshmitarin dhe i kanë kërkuar që forma ankuese e tij të shndërrohet në një kallëzim penal. Por dëshmitari nuk ka pranuar kurrsesi dhe ka deklaruar se do të mbajë të gjitha përgjegjësitë ligjore për dëshminë që do të jepte në gjykatë. Megjithatë, gjatë paraqitjes së tij para togave të zeza dhe i pyetur nga prokuroria, çuka ka preferuar të deklarojë se nuk mbante mend asnjë gjë, ndryshe nga sa kishte deklaruar disa muaj më parë, në procesin gjyqësor ndaj Bujar Gashit. I ndodhur në këto kushte, organi i prokurorisë urdhëroi arrestimin e çukës dhe ka bërë gati dokumentet për paraqitjen e tij për masë sigurimi nën akuzën e “dëshmisë së rreme”.
Prokuroria tha se në procesin gjyqësor ndaj të pandehurit të “Bandave të Durrësit”, Bujar Gashi, për të cilin dosja është veçuar, u dëgjua dëshmia e Edmond çukës në rolin e “taksistit” të të akuzuarve të bandës. Në këtë proces ai tregoi se ishte faturuar nga të pandehurit e kësaj dosjeje për t’i dërguar në Shënavlash, ku më pas kanë ekzekutuar Dritan Dishën. Për rreth dy orë, togat e zeza të Gjykatës së Krimeve të Rënda kanë dëgjuar dëshmitarin çuka, i njohur ndryshe edhe me shkurtesën “çupja”, i cili ka dëshmuar se në korrikun e vitit 2000 ishte faturuar nga Klodian Saliu për ta dërguar atë dhe tre shokët e tij nga lagjja Spitallë, në fshatin Shënavlash.
“Muajin nuk e mbaj mend, por di që ka qenë verë, kur unë punoja si taksist me furgon në linjën Durrës-Spitallë. Aty më ka kërkuar Klodian Saliu për ta dërguar diku. Kam shkuar në shtëpinë e tij në Spitallë, më ka paguar 10 mijë lekë të vjetra dhe më ka hedhur karburant në makinë, ndërsa më ka kërkuar ta dërgoja në Shënavlash. Kam shkuar pa u errësuar dhe në makinë hipën Klod Salihu, Bujar Gashi, Endrit Taullaj dhe Endrit Dokle. Ata kishin një çantë me vete, po nuk e di se çfarë ka pas brenda. Sapo është errësuar i kam dërguar në Shënavlash dhe nga aty jam larguar. Nuk e di pse kanë shkuar apo pse kanë qëndruar dhe çfarë kishin në çantë, thjesht më kanë faturuar si taksist, ndaj i kam dërguar dhe jam larguar”, ka thënë në atë kohë çuka para togave të zeza. Në sallën e gjyqit, përveç të pandehurit Gashi ishin të pranishëm edhe familjarët e të pandehurit që dëgjuan me vëmendje dëshminë e çukës së thirrur nga organi i akuzës. Akuza thotë se atë ditë të pandehurit kanë ekzekutuar me armë zjarri Dritan Dishën, pasi njihej si miku i ngushtë i Erion Lames, që mendohej se kishte vrarë kushëririn e Bujar Gashit e Klod Saliut, shtetasin Mehmet Saliu. Për këtë vrasje ka dëshmuar edhe i penduari i kësaj bande, Adriatik Coli, që ka konfirmuar se kjo vrasje është kryer nga të pandehurit Saliu, Gashi, Dokle e Taullaj të cilët i kishte transportuar pas vrasjes me makinë për në Durrës.
#